Thirrur për Vuajtje dhe Ngazëllim: Për një peshë të përjetshme lavdie
Nga Gospel Translations Albanian
By John Piper
About Suffering
Part of the series Called to Suffer and Rejoice
Translation by Desiring God
2 Korintasve 4:7–18
Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar; kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta. Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola,” edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju. Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit. Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.
Vargu 16 shpreh diçka të cilën dëshiron ta përjetojë kushdo që është këtu këtë mëngjes. Pali thotë, “Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” Këtu ka diçka të cilën nuk e dëshiron askush dhe diçka të cilën e dëshirojmë të gjithë.
Cila është ajo që nuk e dëshiron askush, dhe çfarë dëshirojmë të gjithë
Askush që është këtu në këtë mëngjes nuk dëshiron ta lëshojë zemra. Askush nuk vjen këtu duke thënë, “Shpresoj shumë që të këndojmë disa këngë dhe të dëgjojmë një predikim që të më ndihmojë të më lëshojë zemra. Vërtet dëshiroj të shkurajohem këtë mëngjes prej asaj që do të thotë Xhoni.” Asnjë prej jush nuk vjen me këtë qëndrim. Askush nuk dëshiron që të humbasë zemrën e dëshirës për të jetuar. As Pali nuk e dëshironte këtë gjë.
Përkundrazi, që të gjithë dëshirojnë ripërtëritje të brendëshme ditë pas dite. Ne të gjithë e dimë që ndjenjat e forcës, rinimit, shpresës, gjallërisë, kurajos dhe dëshirës për jetë zgjatin fare pak dhe pastaj priren të humbasin. Nëse do të jemi të fortë përbrenda, të kemi shpresë, gëzim dhe aftësi për të dashur, duhet të ripërtërihemi çdo ditë. Këtë e dimë. Jeta nuk është e ngurtë apo e pandryshueshme. Ajo shkon lart, posht, lartë. Është mbushje, zbrazje dhe mbushje sërish. Është ripërtëritje, harxhim, ripërtëritje, harxhim dhe ripërtëritje. Secili prej nesh dëshiron të ketë fuqinë e ripërtëritjes. Askush këtu nuk dëshiron të braktiset në luginën e shterjes, boshllëkut dhe shkurajimit. Nëse ka një sekret për t’u bërë të fortë, me shpresë, të gëzuar dhe të dashur herë pas here pas here çdo ditë, atëherë jemi të interesuar të dëgjojmë.
Dy fjalë kritike “Prandaj” dhe “sepse”
Kjo do të thotë që ka dy fjalë në këtë tekst që duhet të na tërheqni vëmendjen. Fjala “prandaj” në fillim të vargut 16 dhe fjala “sepse” në fillim të vargut 17. Përse janë këto fjalë kaq kritike?
Vargu 16 si këndi sipër i një trekëndëshi
Imagjinojeni vargun 16 si këndin e sipërm të një trekëndëshi dybrinjishëm. Prandaj dëshira jonë mbështetet prej këtyre dy brinjëve: “Nuk na lëshon zemra…personi i brendshëm ripërtërihet nga dita në ditë.” Këtë dëshirojmë të gjithë ne këtë mëngjes – të jemi në gjëndje ta themi dhe ta kemi me gjithë mënd.
Vargu 16: Nuk na lëshon zemra…por ripërtërihemi nga dita në ditë.
Vargjet 7-15 njëra brinjë ku mbështet kulmi
Fjala “prandaj” në fillim të vargut do të thotë që Pali ka qënë duke thënë disa gjëra që e kanë sjellë tek ky përjetim dhe të cilat e mbështesin: “kjo është e vërtetë, kjo është e vërtetë dhe kjo është e vërtetë” në vargjet 7-15, “PRANDAJ nuk na lëshon zemra… PRANDAJ ripërtërihemi çdo ditë.” Prandaj brinja e parë e trekëndëshit është e vërteta e vargjeve 7-15 që na sjell tek ky përjetim dhe që e mbështet. Kjo duhet të na tërheqë vëmendjen dhe të na bëjë të hetojmë ato vargje për të zbuluar çfarë është. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me ne.
Vargjet 17-18 si brinja tjetër ku mbështetet kulmi
Pastaj fjala “sepse” në fillim të vargut 17 do të thotë që Pali do të thotë diçka si arsyeja e vargut 16. “Nuk na lëshon zemra…dhe ripërtërihemi ditë pas dite” SEPSE kjo është e vërtetë, kjo është e vërtetë dhe kjo është e vërtetë. Prandaj brinja e dytë e trekëndëshit që zbret në anën tjetër është e vërteta e vargjeve 17-18 gjë e cila mbështet përjetimin që ai sapo ka përshkruar.
A mund ta dalloni tani? Përjetimi që dëshirojmë është atje tek kulmi i këtij trekëndëshi me dy brinjët ku mbështetet. Vargjet 7-15 janë të vërteta, “PRANDAJ nuk na lëshon zemra por ripërtërihemi ditë pas dite.” Kjo është njëra brinjë. “Nuk na lëshon zemra, por ripërtërihemi ditë pas dite” SEPSE vargjet 17-18 janë të vërteta.
Prandaj synimi ynë është të shohim të dyja brinjët e këtij trekëndëshi dhe të vërtetën që mbështeti Palin ta bëjmë të vërtetën që na mbështet ne.
Vargu 16 ndodh në mes të vuajtjes
Por së pari, një vëzhgim i shkurtër: vargu 16 tregon që fakti se nuk na lëshon zemra dhe që po ripërtërihemi ditë pas dite ndodh në mes të vuajtjes. “Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” Pali e dinte që po vdiste dhe që të gjithë po vdesim. Ai përjetoi vuajtje të jashtëzakonshme, dhe në mes të saj ai pa prishjen dhe dobësimin e jetës së tij tokësore. Kishte dobësi, sëmundje, lëndime, vështirësi, shtypje, përleshje dhe zhgënjime. Që të gjitha këto i hoqën atij një copë jete. Një mënyrë për ta thënë ishte që “vdekja po vepronte në të” (krahaso vargu 12).
Ky ishte konteksti për të thënë, “Nuk na lëshon zemra…po ripërtërihemi gjithmonë.” Prandaj ajo që po pyesim tani nuk është thjesht, “Si mund të mos më lëshojë zemra në jetë?” dhe “Si mund të ripërtërihem çdo ditë?” por “Si mund të përgatitem për të vuajtur pa më lëshuar zemra?” “Si mund të pres prishjen e trupit tim, shterimin e jetës tokësore dhe në të njëjtën kohë të mos më lëshojë zemra, por të më ripërtërihet forca e brendëshme për të vazhduar me gëzim deri në fund plot me vepra dashurie?”
Tani jemi gati të shohim përgjigjen e Palit ndaj kësaj pyetjeje. Së pari në vargjet 7-15 dhe pastaj në vargjet 17-18.
Vargjet 7-15. Katër arsye për të mos na lëshuar zemra
Në vargjet 7-15 ka të paktën katër arsye që e bëjnë Palin të thotë, “PRANDAJ nuk na lëshon zemra.” Secila prej tyre merr parasysh prishjen e jetës së tij tokësore. Ai nuk e harron kurrë faktin që është një njeri i vdekshëm dhe që jeta e tij po shteron. Prandaj ajo që Pali bën në këto vargje është që na tregon çfarë është e vërtetë pavarësisht dhe madje për shkak se natyra e tij e jashtme po prishet dhe dobësohet.
1. Përlëvdimi i fuqisë dhe Birit të Perëndisë
Së pari, edhe pse natyra e tij e jashtme po prishet, megjithatë në dhe përmes vuajtjes së tij fuqia e Perëndisë dhe jeta e Birit të Tij po manifestohen dhe përlëvdohen.
Vargu 7, “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte [ky është personi i jashtëm, i dobët dhe që po prishet] që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se fuqia e Perëndisë po madhërohet në dobësitë tona.
Vargu 10, “kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus [ky është një aspekt tjetër i prishjes së njeriut të jashtëm], që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë..” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se jeta e Birit të Perëndisë po madhërohet në vdekjen tonë të përditshme.
Vargu 11, “Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… sepse jeta e Birit të Perëndisë po shfaqet dhe përlëvdohet në trupat tanë që po prishen.
Prandaj arsyeja e parë pse Palin nuk e lëshon zemra ndërsa natyra e tij e jashtme është duke u prishur, është që në dobësitë e tij dhe vdekjen e përditshme për hir të të tjerëve fuqia e Perëndisë dhe jeta e Birit të Tij po përlëvdohen dhe kjo është gjëja që Pali dëshiron më tepër se çdo gjë tjetër.
2. Forcimi i kishës
Së dyti, edhe pse natyra e tij e jashtme po prishet, megjithatë në dhe përmes vuajtjes së tij jeta po rrjedh prej tij tek kisha. Të krishterët po forcohen prej faktit që Pali po dobësohet.
Vargu 12, “Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se jo vetëm që Perëndia po përlëvdohet por ju o të dashurit e mi po merrni jetë, forcë dhe shpresë.
Vargu 15, “Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave [përmes vuajtjeve të Palit për ta], të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se (vini re si vargu 15 i bashkon dy arsyet e para) në shërbesën time të vuajtjes hiri po përhapet tek ju dhe lavdia po shkon tek Perëndia. Këto janë dy dashuritë e mëdha të jetës së Palit: të sjellë hir tek të tjerët dhe t’i japë lavdi Perëndisë dhe ky varg thotë që ato ndodhin në të njëjtin përjetim. PRANDAJ Palin nuk e lëshon zemra.
3. Prania mbështetëse e Perëndisë
Së treti, edhe pse natyra e tij e jashtme po prishet, megjithatë në dhe përmes kësaj vuajtjeje Perëndia po e mbështet dhe nuk lejon që të mposhtet.
Vargjet 8-9 (Vini re në secilën prej këtyre dysheve ajo që ai po thotë në të vërtetë është: “Po, natyra jonë e jashtme po prishet, por, Jo, nuk na lështon zemra); “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se Perëndia na mbështet dhe nuk lejon të mposhtemi.
4. Ringjallja jonë prej së vdekuri
Së katërti, edhe pse natyra e tij e jashtme po prishet, ai do të ringjallet prej së vdekuri bashkë me kishën dhe do jetë me Jezusin.
Vargu 14, “Duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.” PRANDAJ nuk na lëshon zemra… për shkak se gjërat do dalin mirë. As vdekja vetë nuk mund të bëjë që historia jonë të ketë një fund të keq. Unë do jetoj sërish; do jetoj bashkë me ju, njerëzit që dua; do të jetoj me Jezusin dhe do përjetoj lavdinë e tij përgjithmonë.
PRANDAJ… kjo është brinja e parë e trekëndëshit (vargjet 7-15) mbi të cilën mbështet përjetimi i madh i mos humbjes së zemrës por përkundrazi, ripërtëritja çdo ditë.
1. Po ripërtërihem për shkak se fuqia e Perëndisë dhe jeta e Birit të Perëndisë po manifestohen dhe përlëvdohen në dobësinë time që po prishet. 2. Po ripërtërihem për shkak se jeta po rrjedh nga vuajtja ime në kishën që e dua kaq shumë. 3. Po ripërtërihem për shkak se Perëndia më mbështet në vuajtjet e mia dhe nuk më lë të mposhtem. 4. Po ripërtërihem për shkak se e di që do të ringjallem prej së vdekuri bashkë me ju do të jetoj përgjithmonë me Jezusin.
PRANDAJ nuk më lëshon zemra!
Vargjet 17-18. Katër arsye për të mos na lëshuar zemra
Tani shihni brinjën tjetër të trekëndëshit ku mbështetet përjetimi i mrekullueshëm i Palit në vargun 16, domethënë, vargjet 17-18. Atë nuk e lëshon zemra dhe po ripërtërihet ditë pas dite SEPSE vargjet 17-18 janë të vërteta. Sërish ka katër arsye pse Palin nuk e lëshon zemra pavarësisht njeriut të tij të jashtëm që po prishet – dobësitë, sëmundjet, lëndimet dhe vështirësitë e tij.
1. Trishtim momentar
Atë nuk e lëshon zemra SEPSE trishtimi i tij është momentar.
Vargu 17, “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment…” Kjo nuk do të thotë që zgjat vetëm 60 sekonda. Do të thotë që zgjat vetëm një jetë (e cila është momentare në krahasim me një milionë epoka mijëvjeçarësh), kaq është. Fjala do të thotë “e tashme” – “Trishtimi i tashëm” – trishtimi që nuk do zgjatë më tepër se jeta e tanishme. Nuk më lëshon zemra… SEPSE trishtimet e mia do mbarojnë. Ato nuk do të kenë fjalën e fundit në jetën time.
2. Trishtim i lehtë
Atë nuk e lëshon zemra SEPSE trishtimi i tij është i lehtë.
Vargu 17, “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment…” Ky nuk është gjykimi i një Amerikani modern të rehatuar. Ky është gjykimi i vetë Palit. Pali nuk e kishte harruar atë që thotë tek 2 Korintasve 11:23-27.
“Në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje. Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.”
Kur Pali thotë që mundimet e tij janë të lehta, nuk do të thotë që janë pa dhimbje. Ai do të thotë që në krahasim me atë që po vjen ato nuk janë gjë fare. Krahasuar me peshën e lavdisë që po vjen, ato janë si një pëndë në peshore. “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.” (Romakëve 8:18). Nuk më lëshon zemra… SEPSE mundimet e mia janë të kalimtare.
3. Peshë e përjetshme lavdie
Atë nuk e lëshon zemra SEPSE mundimi i tij në fakt po prodhon për Palin një peshë të përjetshme lavdie që nuk mund të krahasohet.
Vargu 17, “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” Ajo që po vjen për Palin nuk është kalimtare, por e përjetshme. Nuk është e lehtë, por me peshë. Nuk është mundim por lavdi. Dhe është e pashoqe. Syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar gjërat që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë (1 Korintasve 2:9).
Dhe ideja nuk është që thjesht mundimet i paraprijnë lavdisë; ato ndihmojnë në prodhimin e lavdisë. Ka një lidhje reale shkaku mes mënyrës si i durojmë vështirësit tani dhe sa shumë do jemi në gjëndje të kënaqemi me lavdinë e Perëndisë në epokat që do të vijnë. Asnjë moment dhimbjeje me durim nuk shkon dëm. Nuk më lëshon zemra… SEPSE gjithë mundimet e mia po prodhojnë për mua një peshë të përjetshme lavdie të pashoqe.
4. Lavdia e padukshme dhe e përjetshme që po vjen
Palin nuk e lëshon zemra SEPSE e vendos mendjen tek lavdia e padukshme dhe e përjetshme.
Vargu 18, “Ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen.” Perëndia mund t’iu ofrojë gjithë lavdinë e universti që të mos ju lëshojë zemra dhe të ripërtërijë shpirtin tuaj ditë pas dite, por nëse nuk do ta vështronit kurrë nuk do përfitonit asgjë prej saj.
Ftesa bujare e Perëndisë
Në fakt kjo është ajo që Perëndia po bën tani përmes këtij predikimi. Ky tekst është një ftesë bujare prej Perëndisë për ju që të shihni gjithë arsyet përse s’ka pse t’iu lëshojë zemra – të gjitha arsyet pse mund të ripërtëriheni ditë pas dite.
- Shiko! Fuqia e Perëndisë dhe jeta e Birit të Tij po manifestohen në dobësinë tënde.
- Shiko! Jeta e Jezusit po rrjedh përmes vuajtjes tënde në jetët e të tjerëve.
- Shiko! Perëndia të mbështet në mundimet e tua dhe nuk do lejojë të shkatërrohesh.
- Shiko! Mundimet e tua nuk do të thonë fjalën e fundit; ti do të ringjallesh prej se vdekuri me Jezusin dhe kishën e Perëndisë për të jetuar përjetësisht.
- Shiko! Mundimet e tua janë kalimtare. Ato janë vetëm për tani, jo për epokën që do të vijë.
- Shiko! Mundimet e tua janë të lehta. Krahasuar me kënaqësitë e asaj që po vjen ato nuk janë gjë fare.
- Shiko! Këto mundime po prodhojnë për ty një peshë të pashoqe lavdie të përjetshme.
Prandaj SHIKO! Fokusohu! Medito! Mendo për këto gjëra! Beso atë që thotë Perëndia. Dhe nuk do të lëshojë zemra, por personi yt i brendshëm do të ripërtërihet ditë pas dite.