Mëngjes dhe Mbrëmje/28 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 28

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 28 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Të përsosur në Krishtin Jezus.”

Kolosianëve 1:28

A nuk e ndjen në vetë frymën tënde se je ende shumë larg përsosmërisë? A nuk ta mëson këtë vallë jeta e përditshme? Çdo lot që rrjedh prej syrit tënd qan “papërsosmëri”, çdo psherëtimë që të del nga zemra thërret “papërsosmëri”, çdo fjalë e vrazhdë që del prej buzëve të tua shqipton “papërsosmëri”. E ke qëmtuar aq shpesh zemrën tënde sa që e di se as për një çast nuk mund të ëndërrosh për ndonjë farë përsosmërie në ty. Mirëpo, pikërisht në mes të këtij ndërgjegjësimi të trishtuar për mungesën e përsosmërisë vjen ngushëllimi: ti je “i përsosur në Krishtin Jezus”. Në sytë e Perëndisë ti je “i plotë në Të”, madje që tani je “bërë i pëlqyer në të dashurin Birin e tij”. Por ekziston një përsosmëri tjetër që mbetet ende për t’u përmbushur, e cila është e sigurt për të gjithë trashëgimtarët. A nuk është kënaqësi të shohim përpara drejt kohës kur çdo njollë mëkati do të hiqet nga besimtarët dhe ata do të paraqiten të patëmetë përpara fronit, pa njolla a rrudha e të tjera si këto? Atëherë Kisha e Krishtit do të jetë kaq e pastër sa që as syri i të Gjithëfuqishmit nuk do të mund të gjejë një njollë a të metë tek ajo. Do të jetë kaq e shenjtë dhe e lavdishme sa Xhozef Harti nuk ekzagjeroi aspak kur tha—

“Me petkat e Shpëtimtarit tim veshur
I shenjtë si vetë I Shenjti jam.”

Atëherë ne do të njohim, shijojmë dhe ndjejmë lumturinë që përmban në vetvete një frazë sa e shkurtër aq edhe e pamasë “Të plotë në Krishtin”. Vetëm atëherë do të kuptojmë plotësisht lartësinë dhe thellësinë e shpëtimit në Krishtin. A nuk të drithërohet zemra nga gëzimi nga një mendim i tillë? I zi siç je sot, një ditë ti do të bëhesh i bardhë si bora; i fëlliqur siç je tani, ti do të pastrohesh. Oh, sa i mrekullueshëm është ky shpëtim! Krishti e merr një krimb dhe e shndërron atë në engjëll, Ai e merr një gjë të zezë dhe të shformuar dhe e bën atë të shkëlqejë nga pastërtia dhe të jetë e pakrahasueshme në lavdinë e Tij, e pashoqe në bukurinë e Tij dhe e denjë të shoqërohet me serafimët. O fryma ime, ngrihu dhe admiroje këtë të vërtetë të bekuar të përsosmërisë në Krishtin!


Mbrëmje

“Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.”

Lluka 2:20

Kujt po i thurnin lavde barinjtë? Ata e lavdëruan Perëndinë për gjitha gjërat që kishin dëgjuar, pra për sihariqin e gëzueshëm të lindjes së Shpëtimtarit. Le ta ndjekim shembullin e tyre, le t’ia marrim një kënge falënderuese sepse kemi dëgjuar për Jezusin dhe shpëtimin e Tij. Ata gjithashtu e përlëvduan Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin parë. Nuk ka muzikë më të bukur sesa gjërat që kemi përjetuar, që kemi ndjerë përbrenda, që kemi bërë tonat, pra “gjërat tona në lidhje me Mbretin”. Nuk mjafton dëgjosh për Jezusin: dëgjimi i thjeshtë mund ta akordojë harpën, por për të bërë muzikë nevojiten gishtat e besimit të gjallë. Nëse e ke parë Jezusin me sytë e besimit të falur nga Perëndia, mos i lër telat e harpës të zënë pezhishka, por përlëvdoje me të madhe hirin Sovran, hape Psalterin dhe zgjoje harpën tënde. Një arsye se përse e falënderuan Perëndinë ishte përputhja mes asaj që dëgjuan dhe asaj që panë. Vëreni fjalinë e fundit—“ashtu si u ishte thënë atyre.” A nuk të është dukur ungjilli brenda teje ashtu siç përshkruhet në Bibël? Jezusi tha se do të të jepte prehje, a nuk e ke përjetuar paqen më të ëmbël tek Ai? Ai tha se duke besuar tek Ai do të kishe gëzim, ngushëllim dhe jetë me bollëk, vallë a nuk i ke marrë të gjitha këto? A nuk janë udhët e Tij udhë kënaqësie dhe shtigjet e tij shtigje paqeje? Me siguri edhe ti mund të thuash si Mbretëresha e Shebës: “Nuk më paskan treguar as gjysmën e të vërtetës”. Krishti më është dukur më i bukur sesa të gjitha përshkrimet e shërbëtorëve të Tij të marra së bashku. E pashë shëmbëlltyrën e Tij tek e pikturonin por ishte thjesht një shkarravinë në krahasim me realitetin, sepse Mbreti në bukurinë e Tij shkëlqen më fort sesa çdo përfytyrim imi. Me siguri ajo që kemi “parë” është e njëjtë madje edhe e tejkalon së tepërmi atë që kemi “dëgjuar”. Le ta përlëvdojmë dhe adhurojmë Perëndinë për një Shpëtimtar kaq të shtrenjtë që na fal kënaqësi kaq të mëdha.