Mëngjes dhe Mbrëmje/25 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 25

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 25 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes, 25 Janar

“Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lëvdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë.”

Isaia 63:7

A nuk mund ta bësh vallë edhe ti këtë? Vallë a nuk ke përfituar edhe ti mëshirat e tua? Megjithëse tani je i mërzitur, si mund ta harrosh orën e bekuar kur Jezusi u takua me ty dhe të tha: “Eja tek unë”? A nuk e mban mend atë momentin marramendës kur t’i këputi vargonjtë, i bëri copë-copë zinxhirët dhe të tha: “Erdha ta thyej zgjedhën tënde dhe të të çliroj”? Ose nëse dashuria e bashkimit tënd me Të është harruar, me siguri që diku përgjatë rrugës së jetës do të gjendet ndonjë gur kilometrik që nuk është mbuluar ende nga myshku, në të cilin mund të lexosh një përkujtesë të lumtur të mëshirës së Tij kundrejt teje? Çfarë, a nuk ke kaluar herë tjetër një sëmundje si ajo që po vuan tani dhe a nuk të shëroi Ai prej saj? A nuk ishe i varfër dhe Ai megjithatë t’i përmbushi nevojat? A nuk ishe në vështirësi dhe Ai megjithatë të shpëtoi prej tyre prej tyre? Ngrihu e shko tek lumi i përvojave të tua, prit disa kallama dhe me to thur një barkëzë, në të cilën besimi yt foshnjor do të notojë i sigurt poshtë rrjedhës. Mos harro se çfarë ka bërë për ty Zoti, hape librin e memories dhe kujto ditët e shkuara. A nuk e mban mend ti kodrën e Mizarit dhe a nuk u takua Perëndia me ty në Hermon? A nuk i je ngjitur vallë Maleve të Kënaqësisë dhe a nuk të ka ardhur ndihma në orën e fatkeqësisë? Po, jam i sigurt se përgjigja e të gjitha këtyre pyetjeve është po. Kthehu pra pas tek mëshirat e zgjedhura të së djeshmes dhe megjithëse tani mund të ketë pllakosur errësira, ndizi llambat e së kaluarës, sepse ato ndriçojnë më mirë kur bie errësira. Beso në Zotin derisa të zbardhë agimi e hijet e natës të marrin arratinë. “Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe mirësinë tënde, sepse janë të përhershme”.


Mbrëmje

“Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.”

Romakëve 3:31

Kur besimtari birësohet në familjen e Zotit, marrëdhënia e tij me Adamin e vjetër dhe ligjin merr fund menjëherë, dhe ai vendoset nën një rregull të ri dhe një besëlidhje të re. Besimtar, ti je fëmija i Perëndisë, çka do të thotë se detyra jote parësore është t’i bindesh Atit tënd Qiellor. Fryma servile nuk bën për ty sepse ti nuk je skllav por një fëmijë, dhe tani duke qenë se je një fëmijë i dashur, je i detyruar t’i bindesh çdo dëshire të Atit, madje dhe shprehjes më të papërfillshme të vullnetit të Tij. A nuk të kërkon Ai vallë që t’i përmbahesh një urdhërese të shenjtë? Do të ishte e rrezikshme po ta shpërfillje sepse shpërfillja do të ishte një veprim mosbindjeje ndaj Atit tënd. A nuk të urdhëron Ai që ta kërkosh shëmbëlltyrën e Jezusit? A nuk është për ty një burim gëzimi të veprosh kështu? A nuk të thotë Jezusi: “Ji, pra, i përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati yt që është në qiej”? Atëherë ti do të përpiqesh të jesh i përsosur në shenjtëri jo sepse të urdhëron ligji, por sepse kështu thotë Shpëtimtari yt. A nuk i urdhëroi Ai shenjtorët e Tij që ta donin njëri-tjetrin? Bëje këtë, jo sepse ligji urdhëron: “Duaje të afërmin tënd”, por sepse Krishti thotë “Nëse më doni zbatoni urdhërimet e mia”, dhe ky është urdhërimi që Ai ju ka dhënë: “ta doni njëri-tjetrin”. A nuk ju është thënë t’i shpërndash ndihma të varfërve? Bëje këtë, jo sepse bamirësia është një barrë së cilës nuk guxon t’i shmangesh, por sepse Jezusi të mëson: “Jepi kujtdo që kërkon prej teje.” A nuk thotë Fjala: “Duaje Zotin me gjithë zemrën tënde”? Drejtoju urdhëresës dhe përgjigju asaj: “Ah, urdhëresë, Krishti të ka përmbushur tashmë. Rrjedhimisht, përmbushja jote nuk është më e nevojshme për shpëtimin tim, por unë të bindem ty me ngazëllim sepse Perëndia është Im’Atë, dhe Ai ka të drejtat e Tij mbi mua, të cilat nuk do t’i vë në diskutim”. E bëftë Fryma e Shenjtë zemrën tonë të bindur ndaj fuqisë detyruese të dashurisë së Krishtit, dhe qoftë lutja jote: “Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.” Hiri është nëna dhe mëndesha e shenjtërisë, dhe jo shfajësuesi i mëkatit.