Mëngjes dhe Mbrëmje/18 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 18

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 18 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Kështu pra, mbetet një ditë prehjeje për popullin e Perëndisë.”

Hebrenjve 4:9

Sa ndryshon gjendja e besimtarit në qiell nga gjendja e tij këtu në tokë! Këtu ai lind për t’u munduar dhe lodhur nga puna, por në tokën e përjetësisë lodhja është një dukuri e panjohur. I etshëm për t’i shërbyer Zotit të tij, forca e tij është e barabartë vetëm me zellin e tij dhe lajtmotivi i jetës së tij është: “Ndihmomë të të shërbej, O Zoti im!” Do të ketë kaq shumë punë nëse përfshihet aktivisht, aq sa fuqia dhe jo vullneti i tij do ta shtyjë të thërrasë, “Nuk është se lodhem nga puna, por po shkrihem i tëri në të!” Eh, mor i Krishterë, dita e nxehtë e lodhjes nuk zgjat përherë! Dielli po zbret mbi horizont dhe do të lindë sërish bashkë me një ditë kur ti do t’i shërbesh Perëndisë ditë e natë, e megjithatë do të gjesh prehje nga mundi yt. Këtu, prehja është e pjesshme, atje, ajo është e përsosur. Këtu, i Krishteri nuk ndihet asnjëherë rehat, e ndjen se nuk ka arritur ende në destinacion. Atje, të gjithë kanë hyrë në prehje, të gjithë janë ngjitur në majë të malit, dhe më së fundi po pushojnë në prehrin e Atit. Nuk mund të ngjiten më lart! Ah, ti punëtor i munduar nga lodhja, mendo për çastin kur do të prehesh përgjithmonë! A e merr dot me mend atë? Është një prehje e përjetshme, një prehje që “mbetet”. Këtu, gëzimet e mia më të mira mbajnë etiketën “kalimtare” mbi vete, lulet e mia më të bukura vyshken, kupat e mbushura me verë të zgjedhur thahen deri në fund, baticat e lumturisë zëvendësohen nga zbatica trishtimi, por atje, atje ku gjithçka është e përjetshme, harpa luan pa u ndryshkur ndonjëherë, kurorat me lule nuk zvetënohen kurrë, sytë nuk e humbasin dritën, zëri nuk meket, zemra qëndron e fortë, dhe qenia e pavdekshme pushtohet nga një kënaqësi e pafundme. O ditë e lumtur! Sa e lumtur do jetë ajo ditë kur vdekja do të përpihet nga jeta dhe do të nisë Shabati i Përjetshëm.


Mbrëmje

“Ai u shpjegoi atyre gjërat që i takonin Atij në të gjitha Shkrimet.”

Lluka 24:27

Dy dishepujt në rrugën për në Emaus patën një udhëtim mjaft frytdhënës. Shoku i tyre i udhëtimit dhe mësuesi i tyre ishte profesori më i mirë, interpretuesi më i mirë ndër mijëra të tillë, brenda të cilit fshihen të gjitha thesaret e urtësisë dhe diturisë. Zoti Jezus zbriti në tokë për të predikuar ungjillin dhe nuk pati turp që ta ushtronte thirrjen e Tij përpara dy personave, madje nuk refuzon që të bëhet mësuesi i një personi të vetëm. Le ta kërkojmë shoqërinë e një pedagogu kaq të mirë, sepse po nuk u bë Ai urtësia jonë, nuk do të jemi të urtë për shpëtimin tonë. Teksti mësimor i këtij lektori të pashoq është libri i librave. Megjithëse mund t’u zbulonte dishepujve të vërteta të reja, Ai u shpjegoi atyre të vërtetat e vjetra. Falë gjithëditurisë së Tij, Ai e dinte se cila ishte metoda më e përshtatshme e mësimdhënies dhe duke iu kthyer menjëherë shkrimeve të Moisiut dhe profetëve, Ai na tregoi se rruga më e sigurt drejt urtësisë nuk është spekulimi, arsyetimi, ose leximi i librave njerëzorë, por meditimi mbi Fjalën e Perëndisë. Rruga më e shpejtë për t’u pasuruar me dije hyjnore është të gërmojmë në këtë minierë diamantesh dhe të mbledhim perla në detin qiellor. Kur Jezusi përpiqej t’i pasuronte të tjerët, e bënte këtë duke gërmuar në guroren e Shkrimit të Shenjtë. Dyshja fatlume u ndihmua në studimin e lëndës më të mirë, sepse Jezusi u foli atyre për Jezusin duke u shpjeguar shumë e shumë gjëra rreth Vetes. Diamanti priste diamantin, çfarë mund të jetë më e mrekullueshme se kjo? I Zoti i Shtëpisë hapi dyert e saj, i uli mysafirët në tryezën e Tij dhe u shërbeu atyre gjellë të zgjedhura. Ai që e fshehu thesarin në arë, i kishte marrë kërkuesit nga dora dhe po i udhëhiqte drejt tij. Pa asnjë dyshim, Zoti ynë do ta çonte bisedën në temën më të parapëlqyer për Të, dhe kjo temë natyrisht kishte të bënte me Personin dhe Veprën e Tij. Pra, duhet ta shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë duke i pasur këto dy gjëra përherë në qendër të vëmendjes. Oh çfarë hiri është ta studiosh Biblën duke e pasur Jezusin si mësuesin dhe mësimin tonë!