Mëngjes dhe Mbrëmje/14 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 14

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 14 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“I fuqishëm për të shpëtuar.”

Isaia 63:1

Me fjalët “për të shpëtuar” kuptojmë të gjithë veprën madhështore të shpëtimit; nga dëshira e parë e shenjtë e deri tek shenjtërimi i plotë. Megjithëse janë dy-tre fjalë ato janë të mbarsura me domethënie: faktikisht, kemi gjithë mëshirën e Perëndisë të mbledhur në një fjalë. Krishti nuk është vetëm “i fuqishëm për të shpëtuar” ata që pendohen, por Ai është i aftë t’i bëjë njerëzit të pendohen. Ai do t’i çojë në qiell të gjithë ata që besojnë tek Ai, por gjithashtu Ai është aq i fuqishëm sa t’i japë njerëzve zemra të reja dhe të ngjallë besimin brenda tyre. Ai është aq i fuqishëm sa ta bëjë njeriun që e urren shenjtërinë ta dojë atë, dhe ta detyrojë personi që e urren Emrin e Tij të gjunjëzohet para Tij. Mirëpo, nuk kemi mbaruar me kaq, sepse fuqia hyjnore duket qartë edhe në jetën e mëpastajme të besimtarit. Në fakt, jeta e besimtarit është një varg i pandërprerë mrekullish, të gjitha vepra të “Perëndisë së Fuqishëm”. Ferrishta digjet, por nuk konsumohet. Ai është aq i fuqishëm sa ta ruajë shenjtërinë e popullit të Tij, pasi e ka shenjtëruar atë, si dhe ta ruajë atë në frikën dhe dashurinë e Tij deri në stadin më të lartë të ekzistencës së tyre frymërore në qiell. Fuqia e Krishtit nuk është se kufizohet në kthimin e dikujt në besim duke e lënë atë që t’ia dalë pastaj me forcat e tij, por Ai që e fillon punën e mirë edhe do ta përfundojë. Ai që e mbjell farën e parë të jetës në frymën e vdekur, e mban gjallë jetën hyjnore dhe e fuqizon atë derisa të shpërthejë zgjedhën e mëkatit, dhe pastaj fryma e përsosur në lavdi hedh shtat e rritet. Besimtar, ky po që është një inkurajim! A po lutesh për një nga të dashurit e tu? Oh, mos i ndërprit lutjet e tua, sepse Krishti është “i fuqishëm për të shpëtuar”. Ti je i pafuqishëm që ta kthesh në shtëpi rebelin, por Zoti yt është i Plotfuqishmi. Mbështetu në krahun e Tij të fuqishëm, dhe lëre Atë që ta shfaqë gjithë fuqinë e Tij. A është i madh shqetësimi yt? Mos ki frikë, sepse fuqia e Tij mjafton e tepron për ty. Jezusi është “i fuqishëm për të shpëtuar”, qoftë për të filluar punën tek të tjerët, ashtu edhe për ta vazhduar punën e mirë të nisur në ty. Prova më e mirë e kësaj qëndron në faktin që Ai të ka shpëtuar edhe ty. Oh çfarë mëshirë e papërshkrueshme, sepse për ty miku im, Zoti nuk është një Perëndi i fuqishëm për të shkatërruar!


Mbrëmje

“Duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”

Mateu 14:30

Kohët e fatkeqësisë janë kohë lutjeje për ne, shërbëtorët e Zotit. Pjetri harroi të lutej në fillim të aventurës së tij të paharrueshme, por kur nisi të fundosej, rreziku e ktheu në një lutës, dhe britma e tij megjithëse me vonesë, nuk ishte edhe aq vonë sa të mos dëgjohej. Në orën e dhimbjes fizike dhe ankthit mendor, natyrshëm i drejtohemi Zotit në lutje ashtu si anijembyturi shtyhet në breg nga dallgët. Dhelpra rend në skutën e saj për mbrojtje, zogu fshihet mes pemëve të pyllit për të gjetur strehë, dhe aq më tepër besimtari i vërtetë nxiton drejt fronit të hirit për siguri. Limani i madh qiellor i përdëllimit është lutja dhe vetëm lutja. Mijëra anije të goditura nga stuhia kanë gjetur strehë në atë liman, atëherë kur stuhia bie mbi ne, bëjmë mirë të lundrojmë sa shpejt që mundemi drejt tij.

Lutjet e shkurtra janë aq të gjata sa duhet. Përgjërimi që doli nga thellësia e shpirtit të Pjetrit nuk përmbante më shumë se tre fjalë, por ato ishin mëse të mjaftueshme për të pasur rezultat. Nuk kërkohet gjatësi por fuqi. Ndjenja e nevojës është një mësues i shkëlqyer shkurtësie. Nëse lutjet tona do të kishin më pak pendë bishti krenarie dhe krahë më të gjatë ato do të ishin sigurisht më të efektshme. Lumi i fjalëve është për lutjen ashtu si kashta për grurin. Gjërat e çmuara vijnë me pako të vogla, dhe ndodh rëndom që pjesa e përgjërimit të vërtetë brenda një lutjeje të stërzgjatur mund të përmblidhet në një kërkesë po aq të shkurtër sa edhe ai i Pjetrit.

Momentet tona më të vështira janë mundësi shumë të mira për Zotin. Një ndjesi e mprehtë e rrezikut tonë na bën që vetvetiu të lëshojmë një britmë përgjëruese që mbërrin në veshët e Jezusit, por edhe në zemrën e Tij, dhe atëherë dora e Tij nuk do të vonojë që të shtrihet drejt nesh. Atëherë kur s’mban më i drejtohemi Zotit tonë, por Ai me të shpejtë i mbulon vonesat tona me veprimet e tij të shpejta dhe efikase. A mos jemi vallë duke u mbytur në ujërat e zhurmshme të vuajtjes sonë? Atëherë le t’ia hapim zemrën Shpëtimtarit tonë, duke qenë të sigurt se nuk do të na lërë të humbim. Kur ne nuk mund të bëjmë dot asgjë, Jezusi mund të bëjë gjithçka! Le ta kërkojmë ndihmën e Tij të fuqishme dhe Ai do të zgjidhë çdo problem tonin!