Mëngjes dhe Mbrëmje/21 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 21

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 21 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet.”

Romakëve 11:26

Tek këndonte në brigjet e Detit të Kuq, Moisiu ishte i gëzuar sepse e dinte se mbarë Izraeli ishte i sigurt. Asnjë pikë ujë nuk ra nga ai mur solid uji përpara se edhe izraeliti i fundit të kishte vënë këmbë në tokë të thatë. Pasi kjo ndodhi, ujërat u kthyen në vendin e tyre, por një gjë e tillë nuk ndodhi pa kaluar i gjithë populli. Një varg i këngës thoshte kështu: “Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që shpengove”. Kur të zgjedhurit ta këndojnë për here të fundit këngën e Moisiut, shërbëtorit të Zotit, dhe të Qengjit, ata do të përsërisin fjalët plot krenari të Jezusit: “I kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur”. Në fakt, nuk do të ketë frone bosh në parajsë.

“Sepse gjithë populli i zgjedhur
Përpara fronit do të mblidhet,
Hirin e Tij duke bekuar,
Lavdinë e Tij duke shpallur.”

Të gjithë ata që i ka zgjedhur Perëndia, të gjithë ata që i ka shpenguar Krishti, të gjithë ata që i ka thirrur Fryma, të gjithë ata që besojnë në Jezusin, do të kalojnë detin ndarës pa lagur as majën e këmbës. Nuk kemi mbërritur ende në anën tjetër:

“Një pjesë e ushtrisë i ka kaluar ujërat,
Dhe një pjesë tjetër ja tek po i kalon.”

Pararoja e ushtrisë sonë ka mbërritur tashmë në bregun tjetër. Ne të tjerët po marshojmë mes thellësive të detit, duke ecur me zell pas Udhëheqësit tonë në zemër të detit. Ngazëllehuni njerëz: shumë shpejt praparoja do të arrijë aty ku tani po ecën pararoja dhe i zgjedhuri i fundit do të ketë kaluar detin, dhe kur të gjithë të jemi në vend të sigurt do të dëgjohet kënga e fitores. Por ah, sikur vetëm njëri të mungonte! Sikur vetëm një nga pjesëtarët e familjes së zgjedhur të hidhej jashtë në errësirë! Atëherë kënga e të shpenguarve do të stononte përjetësisht, ndërsa telat e harpave të parajsës do të priteshin, dhe asnjë tingull nuk do të dilte kurrë prej tyre.


Mbrëmje

“Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e të parrethprerëve?"”

Gjyqtarët 15:18

Samsoni ishte i etur sa më s’ka dhe shumë pranë vdekjes. Ky ishte një çast i vështirë, krejt ndryshe nga të tjera momente që heroi ynë kishte përjetuar në të kaluarën. Mirëpo, shuarja e etjes as që mund të krahasohet me shpëtimin nga kthetrat e njëmijë filistinëve! Megjithatë, kur plasi nga etja, Samsoni ndjeu se vështirësia e papërfillshme me të cilën po përballej tani peshonte më shumë sesa vështirësia e madhe prej së cilës ishte shpëtuar më herët në një mënyrë kaq të mrekullueshme! Ndodh rëndom që populli i Perëndisë, pasi të ketë përjetuar çlirimin e madh dorëzohet përpara vështirësisë më të vogël. Samsoni sapo kishte vrarë njëmijë filistinë, duke bërë duaj me trupat e tyre, dhe ja tek e merr etja dhe për pak sa nuk humb ndjenjat për një pikë ujë! Jakobi përleshet me Perëndinë në Peniel, duke e mposhtur vetë të Plotfuqishmin, dhe pastaj, ja tek “çalonte për shkak të ijës”! Është e çuditshme, por ja që sa herë dalim fitimtarë duhet të na përdridhet patjetër ija! Duket sikur Perëndia duhet të na përkujtojë patjetër vogëlsinë tonë, asgjënë që ne jemi, në mënyrë që të mos bëhemi mendjemëdhenj. Samsoni u mburr me të madhe kur tha: “Kam mbytur njëmijë burra”. Gryka e tij mburravece shpejt u tha nga etja aq sa ai u detyrua t’ia niste lutjes. Perëndia ka shumë mënyra për t’i përulur njerëzit e Tij. Fëmijë i dashur e Perëndisë, nëse pas një mëshire të madhe ke përfunduar shumë poshtë, dije që nuk je as i vetmi, as i pari edhe as i fundit. Kur Davidi u ngjit në fronin e Izraelit, ai tha: “Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët”. Duhet ta dini se do të ndiheni më të dobët pikërisht atëherë kur do të shijoni triumfin tuaj më të madh! Nëse e ke parë Zotin të të shpëtojë nga vështirësi të mëdha në të kaluarën, vështirësia jote e tanishme është vetëm si etja e Samsonit; Zoti nuk do të lërë të ligështohesh dhe as do ta lërë vajzën e të parrethprerit të ngadhënjejë mbi ty. Mos u druaj, ja rruga e vuajtjes është udha drejt qiellit. Kështu pra vëlla i sprovuar, ngazëllohu në zemrën tënde me fjalët e Samsonit, dhe ji i sigurt se Perëndia nuk do të vonojë të të shpëtojë.