Mëngjes dhe Mbrëmje/13 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 13

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 13 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.”

1 Mbretërve 22:48

Anijet e Solomonit mbërrinin në destinacion pa pësuar asnjë dëm, por gjemitë e Jozafatit as që iu afruan dot tokës së floririt. Providenca hyjnore bën që njëri të begatohet e tjetri të falimentojë në të njëjtin biznes dhe në të njëjtin vend, e megjithatë Sundimtari i Madh është po aq i mirë e i urtë me të parin sa është me të dytin. Paçim hir sot që duke marrë shtysë nga ky varg ta bekojmë Zotin për anijet që u shkatërruan në Etsion-Geber, ashtu siç do të bënim për ato të mbushura plot me të mira materiale. Mos i paçim zili më të suksesshmit dhe mos vajtofshim për humbjet tona sikur vetëm ne jemi sprovuar ose sikur jemi më të sprovuarit nga të gjithë. Ashtu si Jozafati edhe ne mund të jemi të çmuar në sytë e Zotit, megjithëse planet tona përfundojnë si mos më keq.

Shkaku i fshehtë i humbjes së Jehoshafatit vlen të theksohet e të shqyrtohet sepse është rrënja e shumë fatkeqësive dhe vuajtjeve të popullit të Zotit, dhe është pikërisht aleanca e tij me një familje të zhytur në mëkat, marrëdhënia e tij me mëkatarët. Tek 2 Kronikave 20:37, shohim Zotin tek dërgon një profet për t’i thënë atij: “Ngaqë je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkatërruar veprat e tua”. Ky është një ndëshkim atëror që duket se i solli mjaft bekime atij, sepse në vargun që pason tekstin tonë e shohim atë tek i urdhëron shërbëtorët e tij të mos i lënë të hipin mbi anijet e tyre njerëzit e mbretit të paudhë. A nuk është vallë përvoja e Jozafatit një paralajmërim për ne, popullin e Zotit, që të mos hyjmë në një zgjedhë bashkë me jobesimtarët! Një jetë mjerimi është fati që i pret ata që bashkohen me ata të botës, në martesë ose në ndonjë lidhje tjetër sipas dëshirës së tyre. Oh, për hir të dashurisë së Jezusit, qofshim edhe ne të shenjtë, të pastër, të panjollë dhe të ndarë nga mëkatarët, ashtu si edhe Krishti, sepse nëse nuk jemi të tillë, mund të na ndodhë edhe neve të dëgjojmë një zë që na thotë: “Zoti ka shkatërruar veprat e tua.”


Mbrëmje

“Hekuri doli në sipërfaqe.”

2 Mbretërve 6:6

Hekuri i sëpatës dukej se kishte humbur për të mos u gjetur më, dhe duke qenë se ishte marrë hua, po vihej në rrezik nderi i çetës së profetëve, e bashkë me të po komprometohej Emri i Perëndisë së tyre. Megjithëse për të gjithë dukej e pamundur, hekuri i sëpatës doli nga thellësitë e lumit dhe nisi të pluskonte në sipërfaqe, sepse gjërat e pamundura për njeriun janë të mundshme për Perëndinë. Njoh një burrë në Krishtin, i cili pak vjet më parë u thirr që të realizonte një vepër që e kapërcente jashtë mase fuqinë e tij. Dukej kaq e pamundur sa në ato momente edhe përpjekja më e vogël për ta realizuar atë, dukej kryekëput një absurditet. E megjithatë ai ishte thirrur për ta realizuar këtë vepër, në këtë rast besimi i tij u ngrit në lartësinë e detyrës. Perëndia e nderoi besimin e tij, duke i dërguar ndihmë përtej asaj që ai mund të imagjinonte se ishte e mundur, dhe hekuri jo vetëm që doli në sipërfaqe por edhe pluskoi. Një tjetër pjesëtar i familjes së Zotit gjendej në një gjendje mjaft të keqe financiare, por megjithatë ai ia doli t’i shlyente të gjitha detyrimet që rëndonin mbi të, dhe madje mund të kishte dalë edhe me fitim po të mos i binte një fatkeqësi tjetër. Më kot kërkoi ndihmën e miqve dhe shokëve, por besimi e drejtoi tek Ndihmuesi që nuk dështon asnjëherë, dhe ja, kriza u kapërcye, hapat e tij u bënë gjithnjë e më të forta dhe hekuri pluskoi edhe në këtë rast. Personi i tretë që do të përmend u përball me një rast të rëndë rënieje në mëkat. E kishim mësuar, qortuar, paralajmëruar, nxitur dhe ishim lutur për të, por pa asnjë rezultat. Adami i vjetër ishte shumë i fortë për t’u mundur nga Melanktoni* i ri, dhe shpirti rebel nuk mund të mposhtej. Vijuan lutjet dhe përgjërimet, dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se të vinte një përgjigje e bekuar nga qielli. Zemra e gurtë u bë prej mishi, pra edhe kësaj radhe hekuri pluskoi. Lexues i dashur, çfarë po të dëshpëron kaq shumë? Çfarë halli po të shtyp e mundon sonte? Paraqitja Zotit! Zoti i Profetëve jeton dhe vepron për t’i ardhur në ndihmë shenjtorëve të Tij. Ai nuk do të të lërë ty pa të mirat që të nevojiten. Ki besim në Zotin e Ushtrive! Afroju Atij duke iu përgjëruar në Emrin e Jezusit dhe hekuri do të pluskojë. Madje edhe ti do ta shohësh dorën e Perëndisë tek bën mrekulli për popullin e Tij. Marrsh atë që kërkon me besim, dhe mos dysho se hekuri do të pluskojë edhe për ty.

*Shënim i përkthyesit: Filip Melanktoni (1497–1560) ishte bashkëpunëtori kryesor i Martin Luterit gjatë viteve të para të Reformës Protestante dhe më pas.