Mëngjes dhe Mbrëmje/12 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Versioni më 11 Mars 2010 19:40 nga JoyaTeemer (Diskuto | kontribute)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)
Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 12

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 12 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Ju jeni të Krishtit.”

1 Korintasve 3:23

“Ju jeni të Krishtit.” Ti je i Tiji prej dhurimit, sepse Ati ia dhuroi personin tënd Birit të Tij. Ti je i Tiji prej blerjes me anë të gjakut, sepse Ai vetë e pagoi çmimin e shtrenjtë të shpengimit tënd. Ti je i tiji prej përkushtimit, sepse e ke shenjtëruar veten për Të. Ti je i Tiji prej lidhjes, sepse ke marrë emrin e Tij dhe ke hyrë në radhët e vëllezërve dhe bashkëtrashëgimtarëve e Tij. Përpiqu t’i tregosh botës praktikisht se je shërbëtori, miku dhe nusja e Jezus Krishtit. Kur përballesh me ngasjen e mëkatit, përgjigju atij: “E si mund ta bëj këtë të ligë të madhe unë që jam i Krishtit!”. Janë disa parime të pavdekshme që e ndalojnë mikun e Krishtit që të mëkatojë. Kur të krijohet mundësia për të fituar pasuri me anë të mëkatit, përgjigju se je i Krishtit dhe në asnjë mënyrë mos e prek atë. A po ballafaqohesh me vështirësi dhe rreziqe? Qëndro i fortë në orën e ligë, duke i kujtuar vetes se je i Krishtit. A mos gjendesh vallë aty ku të tjerët po dergjen në përtaci, duke ndenjur duarkryq? Ngrihu dhe hyji punës, dhe kur djersa të të ketë kulluar çurg dhe të prekesh nga ngasja për ta lënë në mes punën, bërtit me të madhe: “Jo, unë nuk e lë punën sepse jam i Krishtit. Po të mos isha blerë me gjakun e shtrenjtë, mund edhe të isha edhe unë si Isakari, i cili u thye nën barrët e rënda që i ishin ngarkuar, por jam i Krishtit dhe nuk mund ta lë në mes punën”. Kur të tundohesh nga tingujt e sirenave të kënaqësive për ta lënë rrugën e drejtësisë, përgjigju atyre: “Muzika juaj nuk arrin të më magjepsë sepse jam i Krishtit”. Kur ta dëgjosh ftesën për t’iu bashkuar kauzës së Perëndisë, jepi të gjitha të mirat e tua dhe madje edhe vetveten, sepse je i Krishtit. Asnjëherë mos e tradhto atë që shpall me gojë. Qofsh përherë një njeri veprat e të cilit janë të Krishtera, fjalët e të cilit ngjasojnë me ato të Nazareasit, sjellja dhe të folurit e të cilit kundërmojnë kaq fort nga aroma e parajsës, sa që të gjithë ata që të shohin e dinë se ti je i Shpëtimtarit, duke parë në ty tiparet e tij të dashurisë dhe shëmbëlltyrën e tij të shenjtërisë. Në kohët e lashta thënia: “Unë jam Romak” kishte domethënien e një pohimi ndershmërie dhe dinjiteti, aq më tepër pra duhet të jetë një argument shenjtërie pohimi juaj: “Unë jam i Krishtit!”.


Mbrëmje

“Kam ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.”

Jobi 36:2

Nuk duhet kurrsesi që t’i bëjmë reklamë virtyteve tona dhe as të vëmë tellallin për zellin tonë, por në të njëjtën kohë do të mëkatonim nëse do të përpiqeshim të fshihnim dhuratat e Perëndisë për të mirën e të tjerëve. Një i Krishterë nuk është një fshat që gjendet në fund të një lugine, por “një qytet i ngritur në majë të malit”. Nuk duhet të jemi qirinj që vihen nën babune, por qirinj të vënë mbi shandan, që u bën dritë të gjithëve. Tërheqja nga bota mund të na duket e pëlqyeshme në kohën e duhur, dhe nxjerrja e vetes në plan të dytë është përherë një shenjë modestie, por fshehja e Krishtit brenda nesh nuk është kurrsesi e përligjur, dhe mbajtja përbrenda e së vërtetës së paçmuar për ne është një mëkat ndaj të tjerëve dhe një fyerje ndaj Perëndisë. Nëse je nervoz për nga temperamenti, apo i mbyllur për nga natyra, bëj kujdes që të mos gjesh kënaqësi në këto prirje, se përndryshe mund të bëhesh i padobishëm për kishën. Në emër të Atij që kurrë nuk i erdhi turp prej jush, përpiquni t’i shtrëngoni paksa ndjenjat tuaja që t’i tregoni të tjerëve atë që Krishti ju ka thënë juve. Nëse nuk buçet dot me zë trumbete, atëherë pëshpërit me zërin tënd të ulët. Nëse katedra e kishës nuk bën për ty, nëse nuk ke fjalë që shtypi të mund t’i transmetojë me krahët e tij, atëherë bashkoju fjalëve të Pjetrit dhe Gjonit: “Nuk kemi ar e argjend, por atë që kemi po ta japim”. Nëse nuk je i aftë të predikosh në mal, atëherë foli gruas samaritane pranë pusit të Siharit. Lavdëroje Jezusin në shtëpinë tënde, nëse këtë nuk e bën dot në tempull, thuri Atij lavde në fushë, nëse këtë nuk e bën dot në treg, përlëvdoje Atë përpara familjes tënde, nëse këtë nuk e bën dot në mes të familjes njerëzore. Le të rrjedhin ëmbël vijat e ujit të dëshmisë nga burimet e fshehura brenda teje, me qëllim që t’i shuajnë etjen atyre që kalojnë andej pari. Mos e fshih talentin tënd, por shfrytëzoje atë dhe kështu do të mbledhësh interes për Zotin dhe Padronin tënd. Të folurit rreth Perëndisë do të na freskojë neve, do të gëzojë shenjtorët, do t’i bëjë mirë mëkatarëve, dhe do të nderojë Shpëtimtarin tonë. Fëmijët gojëkyçur janë një mallkim për prindërit e tyre. O Zot, zgjidhje gjuhën e të gjithë fëmijëve të Tu!