Mëngjes dhe Mbrëmje/26 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 26 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes, 26 Janar
“Ati juaj qiellor.”
Mateu 6:26
Njerëzit e Zotit janë dyfish fëmijë të Tij, ata janë pasardhësit e Tij për nga krijimi dhe njëherësh bijtë e Tij falë birësimit në Krishtin. Rrjedhimisht, ata kanë privilegjin ta quajnë Zotin: “Ati ynë që je në qiell”. Atë! Oh sa fjalë e çmuar është kjo? Në të ka autoritet: “Nëse unë, pra, jam ati, ku është nderi im?” Nëse ju jeni bij, ku është bindja juaj? Në të ka ndjenja dashurie të përziera me autoritet, një autoritet që nuk ngjall rebelim dhe një bindje e kërkuar që ofrohet plot gëzim, e cila nuk mund të kthehet mbrapsht edhe sikur të donim neve. Bindja e fëmijëve të Perëndisë ndaj Atit të tyre duhet të jetë një bindje me dashuri. Mos shkoni t’i shërbeni Perëndisë si skllevërit që ndërtuan piramidat, por vraponi në rrugën e urdhërimeve të Tij sepse është udha e Atit tuaj. Jepini gjymtyrët tuaja si instrumente drejtësie sepse drejtësia është vullneti i Atit dhe vullneti i Tij duhet të jetë vullneti i fëmijës së Tij. Atë! – një atribut mbretëror ky i mbuluar aq ëmbëlsisht me dashuri sa që Mbreti e harron kurorën e Tij, dhe skeptri i Tij kthehet në një skeptër të argjendtë mëshire dhe jo në një shufër hekuri, madje duket se skeptri harrohet në dorën e butë të Atij që e mban atë. Atë! – në të ka nderim dhe dashuri. Sa e madhe është dashuria e Atit për fëmijët e Tij! Atë që miqësia nuk e bën dot dhe që dashamirësia e vetme nuk e realizon dot, mund ta bëjë vetëm zemra dhe dashuria e Atit për bijtë e Tij. Ata janë pasardhësit e Tij dhe Ai do t’i bekojë patjetër, ata janë fëmijët e Tij ndaj Ai do t’u dalë në mbrojtje. Nëse një baba tokësor kujdeset për fëmijët e tij me dashuri dhe përkujdesje të pafund, sa më shumë do ta bëjë këtë Ati juan qiellor? Aba, Atë! Ai që mund t’i shqiptojë këto fjalë, bën një muzikë më të bukur sesa tingujt që nxjerrin kerubimët dhe serafimët të marrë së bashku! Është një fjalë aq e thellë sa nxë edhe vetë qiellin – Atë! Është gjithçka që mund të kërkoj, gjithçka që më nevojitet, dhe që mund të dëshiroj. Kam gjithçka në gjithçka për gjithë përjetësinë, nëse mund të them: “Atë!”
Mbrëmje
Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga këto gjëra.”
Lluka 2:18
Nuk duhet të pushojmë kurrë së mrekulluari me veprat madhështore të Perëndisë sonë. Vështirë se mund të heqim një vijë të qartë ndarëse mes mahnitjes së shenjtë dhe adhurimit të vërtetë sepse kur fryma pushtohet nga madhështia e lavdisë së Perëndisë, megjithëse nuk shprehet me anë të këngës, ose nuk e shqipton dot asnjë fjalë me kokën e ulur në lutje, prapë se prapë adhuron në heshtje. Perëndia i trupëzuar duhet adhuruar si “I Mrekullueshmi”. Fakti që Perëndia i kushton vëmendje krijesës së Tij të rënë, njeriut, dhe në vend që ta fshijë atë tutje me fshesën e shkatërrimit, merr Vetë përsipër të bëhet Shpenguesi i tij duke paguar për të çmimin e shpengimit, është me të vërtetë i mrekullueshëm! Mirëpo, shpengimi bëhet edhe më i mrekullueshëm kur besimtarët kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e tij për secilin prej tyre. Është një mrekulli e vërtetë e hirit fakti që Jezusi duhet ta braktiste fronin dhe pushtetin mbretëror që kishte në qiell dhe të vuante në mënyrën më të poshtër për ty këtu poshtë! Lëre frymën të mrekullohet pa masë sepse kjo lloj mahnitjeje është një emocion mjaft praktik. Mahnitja e shenjtë do të të shtyjë drejt adhurimit mirënjohës dhe falënderimit të përzemërt. Do të nxisë brenda teje vigjilencën e perëndishme sepse do të kesh frikë të mëkatosh ndaj një dashurie të tillë. Duke ndjerë praninë e Perëndisë së fuqishëm në dhuratën e Birit të Tij të dashur, do t’i heqësh këpucët nga këmbët sepse vendi ku po shkel është tokë e shenjtë. Dhe njëherësh brenda teje do të fuqizohet shpresa e lavdishme. Nëse Jezusi ka bërë gjëra të tilla të mrekullueshme për ty, do të ndihesh sikur edhe vetë qielli është i vogël në krahasim me dhuratat që pret. A ka diçka që mund ta mahnitë dikë që ka mbetur një herë i mahnitur nga grazhdi dhe nga kryqi? Çfarë tjetër mund të të mrekullojë pasi ke parë Shpëtimtarin? I dashur lexues, mund të ndodhë që për shkak të qetësisë dhe vetmisë së jetës tënde e ke të pamundur të ndjekësh shembullin e barinjve të Betlehemit që shkuan e u treguan të tjerëve për gjithë ç’kishin parë e dëgjuar, por të paktën bashkoju rrethit të adhuruesve përreth fronit, duke u mrekulluar për veprën e madhe të Perëndisë.