Mëngjes dhe Mbrëmje/15 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 15 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes
“Vepro ashtu si ke thënë.”
2 Samuelit 7:25
Premtimet e Zotit nuk u dhanë për t’u hedhur poshtë si letër e pavlerë, por sepse Ai do që ato të përmbushen. Ato nuk mbahen mbyllur në kasafortë si floriri i koprracit, por janë bërë për të bërë tregti me to. Asgjë nuk e kënaq më shumë Perëndinë sesa kur sheh se si vihen në qarkullim premtimet e Tij. Ai ka shumë dëshirë që fëmijët e Tij të vijnë tek Ai me premtimet e Tij në dorë dhe t’i thonë: “Zot Perëndi, a nuk ke thënë se…” Ne e përlëvdojmë Perëndinë duke ia përmendur premtimet e Tij. A mos mendon se Perëndia varfërohet duke të dhënë ty pasuritë që të ka premtuar? A mos të gënjen mendja se Perëndia do të bëhet më pak i shenjtë duke të dhënë ty shenjtëri? A mos druhesh se Ai do të humbasë nga pastërtia e tij duke të pastruar ty nga mëkatet e tua? Ai ka thënë: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.” Besimi kapet fort pas premtimit të faljes, dhe nuk ngurron duke thënë: “Ky është një premtim i çmuar, shpresoj të jetë i vërtetë?”, por shkon drejt e tek froni i hirit me të në dorë duke u lutur: “Zot ja ku është premtimi, fjala Jote u bëftë realitet!” Dhe Zoti ynë përgjigjet: “T'u bëftë ashtu si dëshiron!” Kur një i Krishterë e kupton një premtim dhe nuk shkon me të përpara Zotit për të kërkuar përmbushjen e tij, në të vërtetë është duke e çnderuar Perëndinë. Mirëpo, kur shpejton për tek froni i hirit dhe bërtet: “Zot, nuk kam ç’them tjetër përveçse: “A nuk ke thënë ti…?””, dëshira e tij do të realizohet. Bankieri ynë qiellor me kënaqësi i këmben me para çeqet e lëshuara prej Tij. Kurrë mos i lini premtimet e Tij të ndryshken. Nxirreni nga këllëfi shpatën e premtimeve të Tij dhe vringëllojeni atë me tërsëllëm të shenjtë. Mos mendoni se Perëndia bezdiset kur ia kujtoni me ngulm premtimet e Tij. Ai mezi ç’pret t’i dëgjojë britmat e thekshme të shpirtrave hallexhinj. Zoti e ka për kënaqësi t’i bëjë të mira njerëzve dhe është më i gatshëm t’ju dëgjojë sesa jeni ju t’i luteni Atij. Dielli nuk lodhet së ndriçuari, dhe as burimi së rrjedhuri! Mbajtja e premtimeve është në natyrën e Perëndisë, kështu që mos humbni kohë, por shpejtoni për tek froni i hirit me fjalët: “Vepro ashtu si ke thënë”.
Mbrëmje
“Por unë i drejtohem lutjes.”
Psalmi 109:4
Gjuhët gënjeshtare nuk pushonin së përbalturi reputacionin e Davidit, por ai nuk u mbrojt, por e parashtroi çështjen e tij përpara një gjykate më të lartë: e paraqiti atë përpara vetë Mbretit të Madh. Lutja është metoda më frytdhënëse për t’iu përgjigjur fjalëve plot urrejtje. Psalmisti nuk lutej me gjysmë zemre, por ai jepej me mish e me shpirt pas këtij ushtrimi, duke tendosur çdo muskul e tendinë, ashtu siç bëri Jakobi kur luftoi me Perëndinë. Kështu dhe vetëm kështu, secili prej nesh duhet të vrapojë drejt fronit të hirit. Ashtu si hija që nuk ka fuqi sepse është e zhveshur nga përmbajtja, po aq i paefektshëm është edhe përgjërimi i njeriut që lutet pa zell të përnjëmendshëm dhe dëshirë të zjarrtë, sepse i mungojnë pikërisht ata elementë që do t’i jepnin forcë. “Lutja e zjarrtë”, thoshte një teolog qëmoti, “është si një top i drejtuar për nga portat e qiellit që i shpërthen ato dykanatësh”. E meta e zakonshme e shumicës prej nesh është lehtësia me të cilën na e shpërqendrojnë vëmendjen gjërat e parëndësishme. Mendimet tona shkojnë sa andej këndej dhe me vështirësi përparojmë drejt destinacionit të dëshiruar. Ashtu si elementi merkur edhe mendja jonë nuk e ruan përqendrimin, por merr kot. Sa e keqe e madhe është kjo! Jo vetëm që na shkakton dëm të pallogaritshëm, por ç’është me e keqja e fyen Perëndinë tonë. Çfarë do të mendonim ne për atë njeri që gjatë audiencës me princin e vendit për t’i paraqitur një kërkesë nis e luan me një pendë ose përpiqet të vrasë një mizë? Ky varg tingëllon vazhdimësi dhe ngulmim në lutje. Davidi nuk bërtiti një herë të vetme për t’u zhytur më pas në heshtje, britmat e tij të shenjta vazhduan deri sa e zbritën mbi tokë bekimin e Atit. Lutja nuk mund të jetë puna jonë e rastit, por një angazhim i përditshëm yni, madje një zakon jetësor dhe thirrja jonë. Ashtu si artistët që harxhojnë orë të tëra përpara modeleve të tyre dhe poetët që rendin pa pre pas muzave, edhe ne duhet të biem nën varësinë e lutjes. Duhet të bëhemi pjesë e lutjes porsi kafshët që bëhen njësh me habitatin e tyre, dhe duhet të lutemi vazhdimisht. Zot, na mëso të lutemi sipas mënyrës që do t’i bënte gjithnjë e më të suksesshme përgjërimet tona.