Mëngjes dhe Mbrëmje/2 Janar

Nga Gospel Translations Albanian

Versioni më 9 Mars 2010 21:02 nga JoyaTeemer (Diskuto | kontribute)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)
Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Charles H. Spurgeon
Author Index
More About Devotional Life
Topic Index
About this resource
English: Morning and Evening/January 2

© Public Domain

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Charles H. Spurgeon About Devotional Life
Chapter 2 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Mëngjes

“Ngulmoni në lutje.”

Kolosianëve 4:1

Është interesante të vihet re se një pjesë e mirë e Shkrimit të Shenjtë trajton temën e lutjes, ose duke na dhënë shembuj, ose duke vendosur rregulla, apo duke shpallur premtime. Me të hapur Biblën lexojmë: “Atëherë [njerëzit] filluan të kërkojnë emrin e Zotit”, dhe përpara se ta mbyllim veprën na kumbon në veshë “Ameni” i një përgjërimi të sinqertë. Ka kaq shumë raste sa që vështirë se mund të numërohen! Këtu kemi një Jakob në luftë me veten, aty një Daniel që lutej tre herë në ditë, dhe më tutje një David që i klithte me gjithë zemër Zotit të tij. Shohim Elian në majë të malit, Palin dhe Silën në thellësitë e burgut. Na rrethon një mori urdhëresash si dhe mijëra premtime. Çfarë mund të na mësojë një gjë e tillë, përveçse rëndësinë e shenjtë të lutjes dhe nevojën për të? Nuk ka dyshim se çdo gjë që Perëndia e thekson në Fjalën e Tij duhet të zërë një vend qendror në jetët tona. Në qoftë se Ai ka folur gjerë e gjatë rreth lutjes e ka bërë këtë duke e ditur nevojën e madhe që ne kemi për të. Nevojat tona janë kaq të mëdha sa që nuk duhet të pushojmë kurrë së luturi derisa të shkojmë në qiell. A mos vallë nuk të nevojitet asgjë? Atëherë, kam frikë se nuk e di se sa i vobektë je! A mos vallë nuk ke asnjë mëshirë për t’i kërkuar Perëndisë? Atëherë, mëshirat e Perëndisë t’i hapshin sytë që të shohësh se në ç’mjerim jeton! Një frymë pa lutje është një frymë pa Krishtin. Lutja është belbëzimi i besimtarit foshnjë, rekuiemi i shenjtorit që po jep frymën e fundit për të fjetur me Jezusin. Është frymëmarrja, lajtmotivi, ngushëllimi, fuqia dhe nderi i të Krishterit. Nëse vërtetë je një fëmijë e Perëndisë do të kërkosh fytyrën e Atit dhe do të jetosh në dashurinë e Tij. Lutu që këtë vit të jesh i shenjtë, i përulur, i zellshëm dhe i durueshëm. Ki një përbashkësi më të ngushtë me Krishtin dhe kalo më shpesh nga shtëpia e gostive të dashurisë së Tij. Lutuni që të mund të jeni një shembull dhe një bekim për të tjerët dhe që të mund të jetoni gjithnjë e më shumë për lavdinë e Zotit tuaj. Motoja e këtij viti duhet të jetë: “Ngulmoni në lutje!”


Mbrëmje

“Le të marrin forca të reja popujt.”

Isaia 41:1

Të gjitha gjërat në tokë duhet të ripërtërihen. Asnjë gjë e krijuar nuk vazhdon në të vetën. Siç e thotë edhe psalmisti: “Ti ripërtërin faqen e dheut”. Madje dhe pemët, të cilat nuk e rëndojnë veten me përkujdesje e as ia shkurtojnë jetën vetes me mundime, duhet të thithin nga shiu i qiellit dhe të përvetësojnë thesaret e fshehura të dheut. Kedrat e Libanit, të mbjellë nga Perëndia, vazhdojnë të gjallojnë vetëm sepse në to qarkullon ditë për ditë lëngu jetësor që sapo është mbledhur nga thellësitë e dheut. Aq më tepër jeta e njeriut nuk mund të vazhdojë pa ripërtëritjen që vjen nga Perëndia. Ashtu siç duhet luftuar konsumimi i trupit duke marrë rregullisht ushqim, kështu duhet rregulluar edhe konsumimi i frymës duke u ushqyer me Librin e Perëndisë, duke dëgjuar Fjalën e Tij ndërsa predikohet, ose duke u ulur në tryezën frymëngopëse të Darkës së Zotit. Sa poshtë bien hiret tona kur i lëmë pas dore mjetet e tyre! Në çfarë barkthatësh të ngratë shndërrohen disa shenjtorë që jetojnë pa e përdorur mjaftueshëm Fjalën e Perëndisë dhe lutjen vetjake! Përshpirtshmëria që mund të gjallojë pa Perëndinë padyshim nuk vjen prej Tij dhe mbetet vetëm një ëndërr. Në fakt, nëse do të ishte fryti i veprës së Perëndisë ne do ta prisnim Atë ashtu si ato lulet që presin me padurim rënien e vesës. Pa ripërtëritjen e vazhdueshme hyjnore zor se mund t’i përballojmë sulmet e vazhdueshme të ferrit, ndëshkimet e ashpra të qiellit, dhe as konfliktet e brendshme. Kur lëshohet murrlani, mjerë pema që nuk ka thithur lëngun e freskët jetësor dhe që nuk i ka shtrënguar fort rrënjët pas shkëmbinjve! Kur ngrihet stuhia, mjerë detarët që nuk e kanë forcuar direkun, nuk e kanë hedhur spirancën dhe që nuk kanë kërkuar një liman të sigurt! Nëse na bie fatkeqësia që të dobësohemi, i keqi me siguri do t’i mbledhë të gjitha forcat dhe do të luftojë për të na zotëruar. Ruajuni sepse kjo mund të sjellë ndonjë fatkeqësi të dhimbshme ose çnderim të turpshëm! Le t’i afrohemi me përgjërime plot përulje stolit të këmbëve të mëshirës hyjnore dhe vetëm atëherë do të kuptojmë përmbushjen e premtimit: “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja!”