Mëngjes dhe Mbrëmje/23 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Morning and Evening/January 23}} ====Mëngjes==== ''“Përlëvdova një të zgjedhur nga populli.”'' '''Psalmi 89:19''' Përse u zgjodh Krishti nga gjiri i popullit? Fol zem...)
Versioni momental që nga 11 Mars 2010 19:16
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 23 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes
“Përlëvdova një të zgjedhur nga populli.”
Psalmi 89:19
Përse u zgjodh Krishti nga gjiri i popullit? Fol zemra ime sepse mendimet e tua janë më të mirat. Vallë a nuk ndodhi kjo sepse Ai duhet të bëhej vëllai ynë, me anë të një lidhjeje të shenjtë të gjakut? Oh, çfarë marrëdhënieje që ekziston mes Krishtit dhe besimtarit! Besimtari mund të thotë: “Unë kam një Vëlla në qiell. Unë mund të jem i varfër, por kam një vëlla që është i pasur dhe Mbret, i cili me siguri nuk do të më lërë të vuaj nga ngushtica për sa kohë që qëndron në fronin e Tij? Oh, jo, jo! Ai më do, Ai është Vëllai im!” Besimtar, vare këtë mendim të bekuar përreth qafës së kujtesës tënde porsi një gjerdan diamantesh! Vendose atë si një unazë të çmuar në gishtin e memories, dhe përdore atë si vula e vetë Mbretit për të vulosur përgjërimet e besimit tënd me sigurinë e suksesit. Ai është një vëlla i lindur për ditë të vështira, prandaj mos ngurro që ta trajtosh si të tillë. Krishti u zgjodh nga gjiri i popullit edhe për një arsye tjetër, sepse i njihte nevojat tona dhe mund të na i qajë hallet si askush tjetër. “Ai u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Ne kemi ngushëllimin e tij në të gjitha pikëllimet tona! Tundimi, dhimbja, zhgënjimi, dobësia, lodhja, skamja, Ai i njeh ato pa përjashtim sepse i ka provuar të gjitha në kurrizin e Tij. Mbaji mend këto gjëra o i Krishterë dhe lëri të të përdëllejnë. Sado e vështirë dhe e dhimbshme qoftë rruga jote ajo është shënjuar nga hapat e Shpëtimtarit tënd, madje edhe sikur të ecësh në luginën e errët të hijes së vdekjes dhe të çash përmes ujërave të thella të Jordanit shkumëzues edhe aty ti do t'i gjesh gjurmët e shpëtimtarit tënd. Kudo ku të shkosh dije se Ai ka kaluar më parë andej, dhe çdo barrë që rëndon mbi ne, Emanueli ynë e ka mbajtur dikur mbi supet e Tij.
“Rruga e tij ishte më e thepisur dhe e errët se e imja;
A nuk vuajti vallë Krishti, Zoti im, që të qahem unë?”
Merr zemër! Këmbët mbretërore kanë lënë një vijë të kuqe gjaku mbi udhë dhe e kanë hapur një herë e përgjithmonë shtegun që dikur mbulohej nga gjembat.
Mbrëmje
“Ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën.”
Kantiku i Kantikëve 1:4
Jezusi nuk do t’i lërë të vetët që ta harrojnë dashurinë e Tij. Nëse ndodh që e harrojnë dashurinë që gëzojnë, Ai do t'i vizitojë ata me dashuri të re. “A mos vallë e harrove kryqin Tim?” i thotë Ai secilit prej nesh, “Të bëj unë që ta kujtosh sepse në tryezën Time do ta shfaq sërish veten. A e harrove se çfarë bëra për ty në dhomën e gjyqit të përjetësisë? E di unë se si ta kujtoj atë sepse do të të nevojitet një këshilltar dhe do të të përgjigjen sa herë që të më thërrasësh.” Nënat nuk i lënë fëmijët e tyre t'i harrojnë ato. Nëse i biri u ka shkuar larg në Australi dhe nuk i shkruan shtëpisë, e ëma i shkruan: “A mos vallë e harroi Xhoni nënën e tij të dashur?” Dhe më vonë ajo merr një letër të shkruar plot dashuri që e bind atë se qortimi mirëdashës nuk ishte i kotë. Kështu ndodh edhe me Jezusin. Ai na thotë neve: “Kujtomëni” dhe përgjigja jonë është: “Do ta kujtojmë dashurinë Tënde”. Ne do ta kujtojmë dashurinë Tënde dhe historinë e saj të papërshkrueshme. Është po aq e lashtë sa edhe lavdia që kishe me Atin përpara se të bëhej bota. O Jezus, e kujtojmë dashurinë Tënde të përjetshme kur u bëre Siguria jonë dhe na more si të fejuarën Tënde. E kujtojmë dashurinë që qëndron pas flijimit Tënd, dashurinë më të cilën po përgatiteshe për të qysh nga agimi i kohërave, dhe mezi prisje orën kur në librat e mëdhenj do të shkruhej: “Ja, unë po vij”. O Jezus, e kujtojmë dashurinë Tënde, ashtu siç u shfaq në jetën Tënde të shenjtë nga grazhdi i Betlehemit e deri te kopshti i Gjetsemanit. E kujtojmë çdo moment të jetës Tënde nga djepi për në varr, sepse çdo fjalë dhe vepër Jotja ishte dashuri, dhe ngazëllehemi në dashurinë Tënde që vdekja nuk mund ta zhbëjë dot, e cila është po ajo dashuri që shkëlqeu me forcë në ringjalljen Tënde. Do ta kujtojmë atë zjarr dashurie të pashuar që nuk ka për të të lënë kurrë në paqe derisa të zgjedhurit e Tu të kenë mbërritur në shtëpi në mënyrë të sigurt, deri sa Zioni të jetë përlëvduar, dhe Jeruzalemi të jetë themeluar mbi themelet e përjetshme të dritës dhe dashurisë qiellore.