Mëngjes dhe Mbrëmje/20 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Morning and Evening/January 20}} ====Mëngjes==== ''“Abeli u bë bari delesh'' '''Zanafilla 4:2''' Si bari që ishte Abeli ''e kishte shenjtëruar punën e tij për lavdinë ...)
Versioni momental që nga 11 Mars 2010 19:07
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 20 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes
“Abeli u bë bari delesh
Zanafilla 4:2
Si bari që ishte Abeli e kishte shenjtëruar punën e tij për lavdinë e Perëndisë, duke ofruar një blatim gjaku mbi altarin e tij, dhe Zoti e pranoi Abelin dhe flinë e ofruar prej tij. Kjo shëmbëlltyrë e hershme e Zotit tonë dallohet lehtë dhe qartë. Ashtu si rrezet e para të dritës që rrëzëllejnë nga lindja në agim, ajo nuk zbulon gjithçka, por ama tregon qartë faktin se dielli është në të lindur. E shohim Abelin, këtë bari të thjeshtë por megjithatë edhe prift, tek i fron një fli erëmirë Perëndisë, dhe për ne ai nuk është veçse një shëmbëlltyrë e Zotit tonë Jezus Krisht që paraqet para Atit të Tij një fli, të cilën Yahweh-u e pranon për jetë e mot. Abeli ra pre e urrejtjes së të vëllait, një urrejtje kjo pa shkak, dhe po kështu i ndodhi edhe Shpëtimtarit: njeriu natyror dhe mishëror e urrente njeriun e pranuar në të cilin gjendej Fryma e Hirit, dhe nuk mund të gjente prehje pa e derdhur gjakun e këtij të fundit. Abeli ra duke e spërkatur altarin e blatimeve me gjakun e tij, duke u kthyer kështu në një prototip të Zotit Jezus që ra theror për shkak të armiqësisë së njeriut tek shërbente si prift përpara Zotit. “Bariu i mirë jep jetën e vet për delet”. Le të qajmë mbi Atë që ra theror për shkak të urrejtjes së njerëzimit, duke i spërkatur brirët e altarit të Tij me gjakun e vet. Gjaku i Abelit na flet edhe sot. “Zoti i tha Kainit: "Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka!"” Gjaku i Jezusit thërret me të madhe, duke vënguar jo për hakmarrje, por për mëshirë. Është një gjë e çmuar përtej çdo përfytyrimi të qëndrosh përpara altarit të Bariut tonë të mirë, ta shohësh atë tek e derdh gjakun si prifti i flijuar, dhe ta dëgjosh gjakun e Tij tek i flet fjalë paqeje mbarë grigjës së Tij, paqe në ndërgjegjen tonë, paqe mes Hebrenjve dhe Johebrenjve, paqe mes njeriut dhe Krijuesit të tij të fyer, paqe për gjithë përjetësinë për një popull të larë nga gjaku. Abeli është bariu i parë në kohë, por zemrat tona do ta shpallin Jezusin si bariun e parë për nga rëndësia. Ti Bari i madh delesh, ne njerëzit e kullotave të tua të bekojmë Ty me gjithë zemrat tona kur të shohim të therur për shpëtimin tonë.
Mbrëmje
“Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e Tua.”
Psalmi 119:37
Ka lloj-lloj gjërash të kota. Shakatë e hokatarit, gazi i botës, qejfi, joshja dhe kupa e të shthururit; njerëzit e dinë mirë se gjithë këto janë kotësi, sepse fshati që duket nuk do kallauz. Mirëpo, shumë më të rrezikshme janë ato kotësitë e tjera, shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimi i pasurive. Një njeri mund të rendë pas kotësive po aq në një bankë sa edhe kur shkon për të parë teatër. Nëse e kalon jetën duke grumbulluar pasuri, po i kalon ditët e tij duke qenë personazhi i një spektakli të kotë. Po të mos e ndjekim Krishtin dhe të mos e bëjmë Perëndinë gjënë më të rëndësishme të jetës sonë, ne dallojmë vetëm për nga paraqitja nga kokëboshi më i pacipë. Duket qartë nevoja e madhe për lutjen e parë të vargut të sotëm. “Gjallëromë në rrugët e Tua.” Psalmisti pranon se është i ngathët nga mendja, i rënduar, i plogësht, pothuajse i vdekur. I dashur lexues, mbase edhe ti ndihesh kështu sot. Jemi kaq të plogësht sa as qëllimet më të mira nuk na gjallërojnë dot, përveçse vetë Zoti. Çfarë, a nuk mund të më gjallërojë ferri? A mund të mendoj vallë për mëkatarët që humbin, e prapë se prapë të mos zgjohem dot? A nuk mund të më gjallërojë qielli? A mund të mendoj vallë për shpërblimin që i pret të drejtët, e prapë se prapë të mbetem i ftohtë akull? Vallë, a nuk mund të më gjallërojë vdekja? A mund ta mendoj veten të vdekur duke qëndruar përpara Perëndisë tim, e prapë se prapë t’i shërbej me përtaci tim’Zot? Vallë, a nuk mund të më detyrojë dashuria e Krishtit? Vallë, a mund të mendoj për plagët e Tij të dashura, a mund të ulem në këmbët e kryqit të Tij, e prapë se prapë të mos kem zell dhe entuziazëm që më digjet në zemër? Me sa duket gjërat janë pikërisht kështu! Nuk ka mendim që mund të gjallërojë brenda nesh zellin, por vetëm Perëndia vetë mund ta bëjë këtë! Ja pse psalmisti këlthet, “Gjallëromë Ti mua!” Psalmisti ia vë zemrën në dorë Perëndisë me përgjërimet e tij të zjarrta. Trupi dhe fryma e tij bashkohen në lutje. “Largoji sytë e mi,” thotë trupi, “Gjallëromë,” thërret shpirti. Kjo është një lutje që vlen të bëhet përditë. O Zot, dëgjoje atë edhe për mua sonte!