Mëngjes dhe Mbrëmje/8 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Morning and Evening/January 8}} ====Mëngjes==== ''“Paudhësinë e gjërave të shenjta…”'' '''Eksodi 28:38''' Çfarë perdeje që çajnë këto fjalë dhe çfarë na zbu...)
Ndryshimi më pas →
Versioni i 11 Mars 2010 17:06
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 8 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes
“Paudhësinë e gjërave të shenjta…”
Eksodi 28:38
Çfarë perdeje që çajnë këto fjalë dhe çfarë na zbulojnë ato! Do të ishte një gjë mjaft përulëse dhe e dobishme për ne që të ndalojmë për një çast dhe të sodisim këtë pamje të trishtuar. Paudhësia e adhurimit tonë publik, dyfytyrësia e tij, formalizmi, vaktësia, mungesa e respektit, vërdallisja e zemrës dhe harresa e Perëndisë, ç’pamje e tmerrshme përpara nesh! Puna jonë për Zotin, rivaliteti gjatë saj, egoizmi, pakujdesia, amullia, mosbesimi, sa shumë fëlliqësi përpara syve tanë! Koha e qetë me Zotin, shthurja e saj, ftohtësia, shpërfillja, përgjumja dhe vetëadmirimi që e karakterizon, aq shumë tokë e vdekur sa na i vret sytë! Nëse do ta vërenim më nga afër do të kuptonim se kjo paudhësi është shumë më e madhe sesa duket në pamje të parë! Dr. Pejson, teksa i shkruan të vëllait, thotë: “Kisha ime, sikurse dhe zemra ime, ngjasojnë tej mase me kopshtin e përtacit, dhe çka është më e keqe më duket se shumë prej dëshirave të mia për përmirësimin e të dyjave rrjedhin ose nga krenaria, ose nga vetëadmirimi, ose nga përtacia. I shoh barërat e këqija tek harlisen në kopshtin tim dhe zemra më mbushet me një dëshirë e sinqertë për shfarosjen e tyre. Por përse ndodh kjo? Çfarë e ngjall këtë dëshirë brenda meje? Ndoshta sepse dua që kur të kaloj përmes tij të them me vete: “Shikoni se sa i mirëmbajtur është kopshti im!” Mirëpo, kjo është krenari. Ose ndoshta sepse dua që fqinjët e mi kur të shohin këtej murit të më thonë: “Pa, pa, sa bukur që lulëzon kopshti yt!” Ky është vetëadmirim! Ose ndoshta unë e dëshiroj shfarosjen e barërave sepse nuk kam më fuqi që të merrem me to. Kjo është përtaci!” Kështu pra, edhe dëshirat tona për më shumë shenjtëri njollosen nga motive të këqija. Edhe në lëndinat më të gjelbra fshihen krimba dhe nuk duhet shumë për t’i dalluar ata! Sa lumturues është mendimi se kur Kryeprifti e mbartte paudhësinë e gjërave të shenjta, ai e kishte të shkruar mbi ballin e vet: “Shenjtëri Zotit”; po kështu kur Jezusi e mbart mëkatin tonë Ai paraqet përpara Atit Qiellor shenjtërinë e Tij dhe jo mëkatin tonë. Oh, çfarë hiri është të sodisësh Kryepriftin tonë përmes syve të besimit!
Mbrëmje
“Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.”
Kantiku i Kantikëve 1:2
Nuk ka asgjë tjetër që mund t’i falë besimtarit një gëzim më të madh se ai që rrjedh nga përbashkësia me Krishtin! Besimtari kënaqet me hiret e zakonshme të jetës, mund të kënaqet edhe me dhuratat dhe veprat e Perëndisë, por të gjitha këto, të marra ndarazi ose së bashku, nuk mund të krahasohen me lumturinë e thellë që rrjedh nga personi unik i Zotit të tij Jezus. Ai ka një verë që asnjë vresht i kësaj bote nuk mund ta nxjerrë; ai ka një bukë që asnjë prej fushave të Egjiptit nuk mund ta prodhojë. E ku tjetër mund ta gjejmë ëmbëlsinë që shijojmë në përbashkësi me të Dashurin tonë? Sipas vlerësimit tonë, të gjitha gëzimet e tokës nuk janë veçse ushqim për derra në krahasim me Jezusin, mannën qiellore! Një kafshatë e dashurisë së Krishtit dhe një gllënjkë e përbashkësisë së Tij ka më shumë vlerë për ne sesa e gjithë bota e mbushur me kënaqësi mishtore. E ku krahasohet kashta me grurin? Letra smeril me diamantin? Ëndrra me realitetin e lavdishëm? Po a mund të krahasohet argëtimi i kësaj bote sado i këndshëm që të jetë ai me Zotin Jezus edhe në gjendjen e Tij më të përulur? Nëse di diçka për jetën e brendshme, nuk ke se si të mos të rrëfesh se gëzimet tona më të larta, më të dëlira dhe më të qëndrueshme nuk janë gjë tjetër veçse fryti i pemës së jetës që gjendet në mes të Parajsës së Perëndisë. Nuk ka burim që të nxjerrë ujë më të ëmbël sesa pusi i Perëndisë që u hap nga heshta e ushtarit Romak. Çdo lumturi tokësore është e përbotshme dhe nga bota, por përdëllimet e pranisë së Krishtit janë si vetë Ai, qiellore. Mund ta shqyrtojmë përbashkësinë tonë me Jezusin dhe nuk do ndjejmë asnjë keqardhje zbrazëtie në të; nuk ka fundërri në verën e tij dhe as miza të ngordhura në pomadën e tij. Gëzimi i Zotit është i qëndrueshëm dhe i plotë. Atë nuk mund ta prekë kotësia, por urtësia dhe pjekuria na dëshmojnë që ai i qëndron peshës së viteve, duke qenë në kohën tonë dhe për gjithë përjetësinë i vetmi që meriton të quhet “e vetmja kënaqësi e vërtetë”. Anjë verë nuk ia kalon dashurisë së Jezusit për nga vlera ushqyese, përdëllimi, gazi dhe çlodhja! Le ta ngremë me fund kupën e saj sonte!