Mëngjes dhe Mbrëmje/6 Janar
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Morning and Evening/January 6}} ====Mëngjes, 6 Janar==== ''“Të gjithë ankthin tuaj hidheni mbi Të, sepse Ai merakoset për ju.”'' '''1 Pjetrit 5:7''' Pa dyshim mënyra ...)
Ndryshimi më pas →
Versioni i 11 Mars 2010 16:55
By Charles H. Spurgeon
About Devotional Life
Chapter 6 of the book Mëngjes dhe Mbrëmje
Translation by Elton Tahirllari
You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).
Mëngjes, 6 Janar
“Të gjithë ankthin tuaj hidheni mbi Të, sepse Ai merakoset për ju.”
1 Pjetrit 5:7
Pa dyshim mënyra më e mirë për lehtësimin e vuajtjeve është kur secili prej nesh ndjen se “Ai merakoset për mua”. I Krishterë, mos e çndero besimin tënd duke pasur gjithmonë një pamje të shqetësuar; eja e hidhi barrët e tua mbi Zotin tënd. Ty po të dridhen leqet e këmbëve nën peshën e një barre që për Atin tënd është e lehtë pupël. Ajo që për ty është një barrë shtypëse, për Të është më e lehtë se ajri. E ku ka gjë më të ëmbël se sa të
“Lëshohesh në krahët e Perëndisë,
Dhe të mos njohësh vullnet tjetër veç atij të Hyjnisë.”
Ki durim o fëmijë i vuajtjes, se Perëndia nuk të ka harruar në përkujdesjen e Tij. Ai që ushqen harabelat, do të të pajisë me çdo gjë që të nevojitet. Mos u struk në dëshpërim, por vazhdo të shpresosh, kurrë mos e këput fillin e shpresës. Merr krahët e besimit kundrejt detit të halleve, dhe kështu ti do t’i japësh fund mundimeve të tua. Është Njëri që merakoset për ju. Shikimi i Tij është mbi ty, zemra e Tij rreh me keqardhje për mjerimin tënd, dhe krahu i Tij i gjithëfuqishëm do të shtrihet për të të sjellë ndihmën aq të nevojshme. Reja më e errët do të shpërndahet në një shi mëshire. Mugëtira më e sterrosur do t’ia lërë vendin mëngjesit. Dhe nëse bën pjesë në familjen e Tij, Ai do të të fashojë plagët dhe do të të shërojë zemrën tënde të thyer. Mos dysho në hirin e Tij për shkak të mundimeve të tua, por beso se Ai të do me të njëjtën dashuri si në kohë të lumtura ashtu edhe në periudha vështirësish. Sa e mbushur me paqe dhe e qetë do të ishte jeta juaj nëse do t’ia linit shqetësimet tuaja Perëndisë së përkujdesjes! Me pak vaj në poçen e baltës dhe me një grusht miell në fund të fuçisë, Elia i mbijetoi zisë së bukës, dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ju! Nëse Perëndia merakoset për ty, atëherë përse merakosesh edhe ti? Si mund t’ia besosh Atij frymën tënde kur nuk ia beson dot trupin? Ai kurrë nuk i ka refuzuar barrët tuaja, Ai kurrë nuk është thyer nën peshën e tyre. Eja pra fryma ime, hiq dorë nga merakosja grricëse dhe lëri të gjitha shqetësimet në duart e Perëndisë së hirit.
Mbrëmje
“Dora e Zotit u vu mbi mua…”
Ezekieli 33:22
Kur bie gjykimi, mund të ndodhë edhe kjo, dhe nëse është kështu, është detyra ime të shqyrtoj arsyen e ndëshkimit hyjnor dhe ta duroj purtekën ndreqëse dhe Perëndinë që e caktoi atë. Nuk jam i vetmi që është ndëshkuar në mes të natës; i nënshtrohem me gëzim vuajtjes dhe bëj kujdes që të nxjerr mësim prej ndëshkimit. Mirëpo, dorën e Zotit mund ta ndjej edhe në një mënyrë tjetër, duke më forcuar zemrën dhe duke më lartuar shpirtin drejt gjërave të përjetshme. Ah, sikur ta ndjeja Zotin duke u marrë me mua pikërisht në këtë mënyrë! Një ndjesi pranie dhe banimi hyjnor e ngre frymën time drejt qiellit si mbi krahë shqiponjash. Në çaste të tilla mbushemi deri në buzë me gëzim frymëror dhe i harrojmë shqetësimet e hallet e tokës; e padukshmja na duket më afër ndërsa e dukshmja e humbet forcën e saj tërheqëse; trupi shërbëtor pret në këmbë të kodrës, ndërsa fryma zotëri adhuron në majë të saj në prani të Zotit. Oh, bëmëni të denjë për një kohë të shenjtë përbashkësie hyjnore sonte! Zoti e di se sa shumë nevojë kam për të tani! Hiret e mia janë ligështuar, prishja ime tërbohet, besimi im është i dobët dhe përkushtimi im është më i ftohtë se kurrë: këto janë arsyet se përse duhet të më përkëdhelë dora e Tij shëruese. Dora e Tij mund të më ftohë zjarrminë e ballit dhe të më qetësojë rrëmujën e zemrës që më rreh aq fort. Ajo dorë e djathtë e lavdishme që i dha formë dheut e krijon nga e para mendjen time, dora e palodhur që mban shtyllat e rruzullit ma ngre lart shpirtin, dora e dashur që i shtrëngon fort gjithë shenjtorët më ushqen, ndërsa dora e fuqishme që bën copë-copë armikun triumfon mbi mëkatet e mia. Përse të mos e ndjej atë dorë teksa më prek sonte? Eja fryma ime, drejtoju Perëndisë tënd me lutje të fuqishme sepse duart e Jezusit u shpuan për shpengimin tënd, dhe me siguri do të ndjesh mbi ty të njëjtën dorë që dikur preku Danielin dhe e uli në gjunjë që të mund të shihte vizionet e Zotit.