Si Mund Të Ndryshoj?/Shtojca A: Udhët E Ndryshme Drejt Shenjtërisë: Hyrje Historike

Nga Gospel Translations Albanian

Shko te:navigacion, kërko

Related resources
More By Robin Boisvert
Author Index
More About Sanctification & Growth
Topic Index
About this resource
English: How Can I Change?/Appendix A: Different Roads to Holiness: An Historical Overview

© Sovereign Grace Ministries

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).
How You Can Help
If you speak English well, you can volunteer with us as a translator.

Learn more (English).

By Robin Boisvert About Sanctification & Growth
Chapter 10 of the book Si Mund Të Ndryshoj?

Translation by Elton Tahirllari

Review You can help us improve by reviewing this translation for accuracy. Learn more (English).


Ia vlen që të shihet se si e kanë kuptuar shenjtërimin traditat e ndryshme gjatë historisë së Kishës. Tek vepra e tij Shoqëruesit Frymërorë: Hyrje në Veprat e Krishtera KlasikeI (Spiritual Companions: An Introduction to the Christian Classics), Pitër Tun (Peter Toon) dallon tre qëndrime të ndryshme për sa i përket rrugës drejt shenjtërimit: Grek (Lindor), Mesjetar Perëndimor (Katoliko-Roman) dhe atë Protestant.

Tabela e përmbajtjeve

Qëndrimi Grek

Qëndrimi grek njihet ndryshe si hyjnizimi – Krishti që derdh jetën hyjnore brenda shpirtit përmes Frymës së Shenjtë… Në këtë mënyrë, qëllimi i shpëtimit është përbashkësia dhe bashkimi me Perëndinë dhe qeniet njerëzore mund ta arrijnë këtë teksa përpiqen të çlirohen nga varësia e botës e mishit duke u shpërfytyruar nga drita e Hirit të Perëndisë.[1]

Kjo metodë ishte një tipar karakteristik i lëvizjes së hershme murgjërore. Në Shek. III, eremitët e Egjiptit reaguan ndaj shthurjes morale që kishte nisur të depërtonte brenda Kishës. Në dy shekujt e parë të jetës së saj, Kisha përbëhej nga të Krishterë hebrenj dhe jo-hebrenj me standarde të larta etike, por ato nisën të binin me pranimin e një numri gjithnjë e më të madh njerëzish në të. Po t’i shtojmë kësaj dekadencën morale që shoqëroi rënien e Perandorisë Romake bëhet edhe më i dukshëm problemi me të cilin ajo po përballej. Sipas fjalëve të Hobbes/Hobsit, bota/jeta po kthehej me shpejtësi në një diçka “të ligë, kafshërore dhe të shkurtër”. Kjo nuk do të thotë se Kisha i kishte ulur standardet e saj, përkundrazi ajo ishte shumë më rigoroze nga pikëpamja morale sesa kisha e sotme. Mirëpo, kjo nuk i pengoi shenjtët eremitë që të linin botën Romake në zvetënim e sipër dhe të gjenin shpëtim në shkretëtirë. Në një ese simpatizuese, Çarlz Kingsli (Charles Kingsley) i përshkruan jetët e asketëve si të karakterizuara nga

...beqaria, varfëria, veprat e mira për të tjerët, vetëkufizimi dhe disa herë vetëtorturat e çdo lloji për të shlyer (sado të ishte e mundur) mëkatet e kryera pas pagëzimit: dhe ushqimi mendor [i këtyre] ishte meditimi i vazhdueshëm mbi kotësinë e botës, mëkatshmërinë e mishit, lavditë qiellore dhe tmerret e ferrit: por për të qenë të drejtë me ta, të gjitha këto sa më sipër ndërthureshin me një besim personal në Zotin dhe një dashuri personale për Krishtin, të cilat ata që tallen me ta do të bënin mirë t’i imitonin.[2]


Vlen të theksohet se këta eremitë, ndër të cilët përfshihet edhe Antoni i Madh, i vunë fre përhapjes së botshmërisë mes të Krishterëve duke u kthyer në një burim frymëzimi për ndjekjen e shenjtërisë.

Ka mjaft prova për metodat ekstreme të vetëmohimit që përdornin disa përfaqësues të kësaj tradite. Simon Stiliti (shenjtori i shtyllës) i kaloi majë një shtylle 36 vitet e fundit të jetës së tij, shtyllë kjo që u zgjat kohë pas kohe derisa arriti një lartësi prej gati 20 m. Ai u imitua gjerësisht dhe faktikisht zhvilloi një shërbesë me mjaft ndikim duke qenë se vargu i pelegrinëve që vinte për ta parë dhe për t’u konsultuar me të nuk kishte të mbaruar. Ai u bë pararendësi i një lëvizjeje që u shtri nga Antiokia e tij deri në “Gjeorgji, Trakë, Maqedoni, Greqi, madje edhe në Egjipt… dhe kishte kaq shumë stilitë në Shek. VII sa që konsideroheshin si një urdhër i veçantë fetar”.[3] Duke u ngjitur majë atyre vendeve të larta ata përcillnin qartë mesazhin e heqjes dorë nga bota. Po të kishte qenë vetmia qëllimi i tyre ata me siguri do të kishin gjetur një mënyrë tjetër për ta arritur atë pa qenë në qendër të vëmendjes së popullit.

Gjatë shekujve pasues, stili murgjëror i jetesës së Krishterë (vetmitar ose në komunitet) u përhap gjerësisht aq sa shumica e konsideronte atë si më idealin. Kjo çoi në shfaqjen e një Krishterimi dynivelësh. Nga njëra anë kishim masën e popullit që përkufizoheshin si të Krishterë të thjeshtë, shekullarë për nga natyra, të cilët jetonin në botë dhe bashkëvepronin me të. Nga ana tjetër, kishim ata që braktisnin gjithçka për t’u bërë murgj. Pra, mbizotëronte bindja se nëse doje ta mposhtje mëkatin, të njihje Perëndinë dhe të shenjtëroheshe nuk kishte rrugë tjetër përveçse të zgjidhje mënyrën murgjërore të jetesës.

Është interesante sepse në fillimet e shërbesës sime erdhi një i ri nga Egjipti që të këshillohej me mua. I tunduar si edhe shumë të tjerë nga mendimet dhe dëshirat mëkatare, ai këmbëngulte se e vetmja mënyrë për ta mposhtur mëkatin ishte të bërit murg. Me sa duket tradita murgjërore ka hedhur rrënjë të thella. Mirëpo, përkundër ekstremeve të dëmshme, vetëmohimi që e karakterizonte lëvizjen murgjërore kishte dy pika të mira të padiskutueshme: i kujtonte njerëzve vdekshmërinë e tyre duke i ndërgjegjësuar ata për botën tjetër.

Qëndrimi Mesjetar Perëndimor

Qëndrimi mesjetar perëndimor [i cili] rezultoi në traditën Katoliko-Romane përbëhet nga tre pjesë – pastrimi/purifikimi i mëkatit, ndriçimi/iluminimi i mendjes dhe njësimi me Perëndinë përmes hirit.[4]

Kjo është një traditë të pasur që shtrihet gjatë gjithë historisë së Kishës dhe që ka pasur ndikim edhe ndër Protestantët Ungjillorë. Ata që i njohin mirë shkrimet e A.W. Tozer do të dallojnë në toreferimet dhe aluzionet e shpeshta të personave të tillë si Nikolla Kuzani, Bernardi i Klervosë dhe Gjoni i Kryqit. Tradita mistike shquhet për gjuhën e zjarrtë të përkushtimit ndaj Zotit dhe dëshirën për dëlirësi zemre. Të gjitha këto vepra përçojnë një pasion për Perëndinë që ka brenda tij një dëshirë të madhe dhe një gamë të gjerë përvojash subjektive. Nuk mund t’i lexosh këto vepra pa e ndalur veprimtarinë e ethshme që karakterizon jetët tona plot angazhime për të dëgjuar Perëndinë në heshtje medituese. Kur lexoj veprat e kësaj tradite rëndom më ndodh të shqyrtoj zemrën time në raport me Perëndinë duke u penduar për cektësinë që gjej në të.

Përkundër këtyre fakteve pozitive, duhet t’i kushtojmë vëmendje disa veçorive të udhës soditëse drejt shenjtërisë. Kjo udhë nënvizon të kërkuarin e një njohurie të drejtpërdrejtë rreth Perëndisë. Përgjithësisht, roli qendror i Krishtit si ndërmjetësuesi mes nesh dhe Atit nuk përvijohet edhe aq qartë saç ndodh në Shkrimin e Shenjtë. Duke kritikuar traditën mesjetare perëndimore, Gjon Kalvini shkroi se “vetëm budallenjtë rendin pas njohurisë së drejtpërdrejtë rreth thelbit të Perëndisë.”[5]

Një gjuhë kaq e fortë bëhet e nevojshme, sipas Sinkler Fergusonit (Sinclair Ferguson), për të ruajtur rëndësinë e veprës shlyese të Krishtit. Ferguson shkruan, Ndërsa tradita soditëse e vë theksin mbi anën njerëzore të Krishtit dhe pasionin e Tij si i tillë, Krishterimi i Reformuar vë në qendër të tij transaksionin që ndodhi kur Biri i Trupëzuar i Perëndisë e mori mbi vete gjykimin e Atit të Tij të Shenjtë kundrejt mëkatit njerëzor. Shpërfille këtë, këmbëngul ky i fundit, dhe nuk mund të kesh qasje të mirëfilltë tek Perëndia, pra për pasojë nuk mund të arrish njohjen e vërtetë të Tij.[6]

Po t’i kemi parasysh këto mangësi mund të përfitojmë mjaft nga studimi i shkrimeve të kësaj tradite dhe meditimi ynë mbi to.

Qëndrimi Protestant

“Qëndrimi Protestant,” thotë Tun (Toon), “ngrihet mbi marrëdhënien e shfajësimit dhe shenjtërimit.”[7] Në fakt, duhet të prisnim ardhjen e Reformës Protestante me theksin e saj mbi shfajësimin prej hirit që shenjtërimi të shihej si diçka e ndarë nga shfajësimi. Mirëpo, trajtimi i tyre ndarazi ka të mirat e veta, megjithëse të dyja doktrinat ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën.

Mirëpo, në çfarë marrëdhënieje qëndrojnë shfajësimi dhe shenjtërimi? Natyrisht, brenda Protestantizmit ekziston një larmi pikëpamjesh lidhur me këtë pikë. Për shembull, Luteranët e shohin shenjtërimin thjesht si një nënpikë të shfajësimit. Luteranët nxjerrin në pah nevojën për një kuptim më të plotë të shfajësimit vetëm prej hirit (pra të parët e vetes nga këndvështrimi i Perëndisë) si e vetmja rrugë për të mposhtur mëkatin dhe jetuar në fitore. Disa Luteranë janë kritikuar për atë se i japin një rol më qendror në jetën e Krishterë doktrinës së shfajësimit sesa vetë Jezus Krishtit.

Teologjia e Reformuar e vë theksin mbi bashkimin tonë me Krishtin si themeli i fitores dhe po ashtu thekson faktin se ai është nisësi dhe përsosësi i besimit si dhe kapiteni i shpëtimit tonë. Në sajë të veprës së përfunduar të Krishtit dhe ndërmjetësimit të vazhdueshëm të tij, bëhemi aq të aftë sa ta mposhtim mëkatin e mbetur duke i përballuar me sukses tundimet e djallit. Në këtë traditë bën pjesë jo vetëm Kalvini por edhe Puritanët anglezë dhe pasardhësit e tyre.

Xhon Uesli (John Wesley) doli me një qëndrim tjetër, duke mësuar doktrinën e shenjtërimit tërësor (që nuk duhet ngatërruar me perfeksionimin total) që theksonte aspektin empirik të së vërtetës dhe jo vetëm atë objektiv, prepozicional. Gjithkush që ka sado pak dijeni rreth kthimit të tij në besim e kupton se ku qëndron themeli i doktrinës së tij. Asnjë prej argumenteve logjike që kishte dëgjuar nuk e kishte çuar atë drejt shpëtimit. Mirëpo, gjithçka ndryshoi kur vetë Uesli (Wesley) u takua me Perëndinë e gjallë. Arnold Dallimor (Arnold Dallimore) citon nga Ditari (Journal) i Ueslit (Wesley): “Ndjeva se zemra ime po ngrohej në mënyrë të çuditshme. Ndjeva se besoja në Krishtin, vetëm në Krishtin, për shpëtimin tim, dhe mu dha siguria që Ai I kishte marrë mbi vete mëkatet e mia, edhe të miat madje, dhe se më kishte shpëtuar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.”[8]

Mësimet e Ueslit (Wesley) dhe Metodistët e Shek. XVIII në Shtetet e Bashkuara rezultuan një shekull më pas (Shek. XIX) në Lëvizjen e Shenjtërisë. Ithtarët e saj besonin se përvoja e drejtpërdrejtë shenjtëruese e Frymës së Shenjtë sillte fitoren që pasonte shpëtimin. Dhe kur disa nga pjesëmarrësit e Lëvizjes së Shenjtërisë nisën të pagëzoheshin në Frymën e Shenjtë, erdhi radha e mësimit të shenjtërisë Pentekostale së bashku me theksin që vihej mbi të folurin në gjuhë të panjohura.

Temat që trajtuam më sipër karakterizohen edhe nga shumë variante të tjera, por qëndrimet e paraqitura më lart përbëjnë pamjen kryesore të përpjekjeve të Kishës për të kuptuar shenjtërimin. Të marra së bashku, ato ilustrojnë faktin se jo vetëm mendjet tona digjen nga dëshira për t’u mbushur me të vërtetën rreth Perëndisë me qëllim që t’i bindemi Atij, por edhe zemrat tona dëshirojnë po aq fort që të përjetojnë realitetin e Tij. Ndonëse këto tradita përmbajnë të vërteta që duhen pranuar dhe elementë të çuditshëm që duhen mënjanuar, të gjitha ato kanë dhënë kontributin e tyre në kërkimin e shenjtërisë nga shpirtrat tanë.

Nëse dëshironi të kini një tablo të gjerë dhe të ekuilibruar të qëndrimeve rreth shenjtërimit gjatë gjithë historisë së Kishës, ju rekomandoj Përshpirtshmëria e Krishterë: pesë qëndrime rreth shenjtërimit (Christian Spirituality: Five Views of Sanctification), redaktuar nga Donëlld L. Allikzendër (Donald L. Alexander) (Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1988).

References

  1. Pitër Tun (Peter Toon), Shoqëruesit Frymërorë: Hyrje në Veprat e Krishtera Klasike (Spiritual Companions: An Introduction to the Christian Classics) (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1990), f. 5.
  2. Çarlz Kingsli (Charles Kingsley), Eremtitët (“The Hermits”) nga Ciklopedia e Letërsisë Fetare, Vëllimi i Parë (Enyclopedia of Religious Literature, Volume One) (New York, NY: John B. Alden, publisher, 1883), f. 19.
  3. Pitër Levi (Peter Levi), Kufinjtë e Parajsës: Një studim i murgjve dhe manastireve (The Frontiers of Paradise: A Study of Monks and Monasteries), (New York, NY: Paragon House, 1987), f. 45.
  4. Pitër Tun (Peter Toon), Shoqëruesit Frymërorë (Spiritual Companions), ff. 5-6.
  5. Donëlld L. Allikzendër (Donald L. Alexander) Përshpirtshmëria e Krishterë: pesë qëndrime rreth shenjtërimit (Christian Spirituality: Five Views of Sanctification), red. (Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 1988), f. 195.
  6. bid., f. 194.
  7. Pitër Tun (Peter Toon), Shoqëruesit Frymërorë (Spiritual Companions), f. 6.
  8. Arnold Dallimor (Arnold Dallimore), Xhorxh Uitfilld, Vëllimi i Parë (George Whitefield, Volume One) (Westchester, England: Cornerstone Books, 1981), f. 186.