Triumfi i Ungjillit në Qiellin e ri dhe Tokën e re
Nga Gospel Translations Albanian
By John Piper
About Glorification (Resurrection of the Body)
Part of the series The Gospel Coalition 2007 National Conference
Translation by Desiring God
Vargu i parë i kapitullit të parë të Biblës thotë, “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën.” Në vargun 27, Perëndia krijoi njeriun, mashkull dhe femër sipas shëbëllimit të vet, dhe pastaj në vargun 31 thuhet që gjithçka është shumë mirë. Në kapitullin tre, Adami dhe Eva e mohojnë Perëndinë si urtësinë, bukurinë dhe dëshirën e tyre supreme dhe kështu sjellin mbi veten e tyre mallkimin e Perëndisë, në pasardhjen e tyre dhe në rendin natyror të krijimit, “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës tënde” (Zanafilla 3:17)
Zanafilla 3:15 jep shpresë që ky mallkim nuk ka për të qenë fjala e fundit për krijimin e Perëndisë. Perëndia i thotë gjarpërit që shkatërroi shpirtin dhe krijimin, “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thëmbrën e farës së saj.” Apostulli Pal e sheh këtë shpresë në mes të këtij mallkimi dhe e thotë kështu tek Romakëve 8:20-21, “Sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë”.
Tabela e përmbajtjeve |
Pamja e padurueshme e vuajtjes
Ja tek keni tabllonë e madhe në një skicë, Perëndia krijoi universin nga hiçi, gjithçka ishte shumë mirë ashtu si ai e krijoi, nuk kishte mangësi, nuk kishte vuajtje, as dhimbje, as vdekje, as ligësi; pastaj Adami dhe Eva bënë diçka në zemrat e tyre që ishte aq tmerrësisht e ligë – aq e ligë sa nuk mund të thuhet, ata preferuan frutin e një peme përkundrejt bashkësisë me Perëndinë – saqë Perëndia jo vetëm i dënoi me vdekje (Zanafilla 2:17), por gjithashtu e nënshtroi gjithë krijimin ndaj asaj që Pali e quajti “kotësi” dhe “skllavëri e prishjes” (Romakëve 8:21-22).
Me fjalë të tjera, atje ku dikur nuk kishte vuajtje, dhimbje apo vdekje, tani çdo njeri vdes, çdo njeri vuan, kafshët vuajnë, lumenjtë përmbytin fshatra të tëra, orteqet vrasin skiatorë, vullkanet shkatërrojnë qytete të tëra, një tsunami vret 250,000 vetë brenda një nate, stuhitë mbytin një traget Filipinas me 800 pasagjerë. SIDA, malarja, kanceri dhe sëmundjet e zemrës vrasin miliona njerëz të moshuar dhe të rinj, një tornado përbindësh fshin nga faqja e dheut një qytet, thatësirat dhe zia e bukës sjellin me miliona njerëz në prag të vdekjes dhe madje përtej. Aksidente ndodhin, djali i një shoku bie në një hambar gruri dhe vdes. Një tjetër humbet syrin. Një foshnjë lind pa fytyrë. Nëse mund të shihnim një të dhjetëmijtën e vuajtjes së botës në një moment të caktuar do të shtypeshim prej tmerrit të saj. Vetëm Perëndia mund ta durojë një pamje të tillë dhe të jetojë.
Tmerri i mëkatit i portretizuar në kotësinë e krijimit
Pse ia nënshtroi Perëndia rendin natyror një kotësie të tillë për shkak të mëkatit të qënieve njerëzore? Rendi natyror nuk mëkatoi. Njerëzit mëkatuan. Por Pali tha, “krijimi iu nënshtrua kotësitë.” Krijimi u vendos nën “skllavërinë e prishjes.” Pse? Perëndia tha, “toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd.” (Zanafilla 3:17). Por pse? Përse ka shkatërrime natyrore në krijim si reagim ndaj dështimeve morale tek njeriu? Përse të mos kishim thjesht vdekjen për të gjithë pasardhësit fajtorë të Adamit? Përse gjithë kjo sërë vuajtjesh të tmerrshme shekull pas shekulli? Përse gjithë këta fëmije me mangësi që të thyejnë zemrën?
Përgjigja ime është se Perëndia e vuri botën natyrore nën një mallkim në mënyrë që tmerret fizike që shohim përreth nesh në sëmundje dhe fatkeqësi të bëhen tabllo të gjalla për faktin sa i tmerrshëm është mëkati. Me fjalë të tjera, ligësia natyrore është një shenjë treguese për tmerrin e patregueshëm të ligësisë morale.
Perëndia e çrregulloi botën natyrore për shkak të çrregullimit të botës morale dhe frymërore – domethënë për shkak të mëkatit. Në gjëndjen tonë të tanishme të rënë, me zemra kaq të verbra ndaj ligësisë së pafund të mëkatit, nuk mund të shohim apo ndjejmë sa i pështirë është ai. Zor se ka një person në botë që të ndjejë ligësinë e pështirë të mëkatit tonë. Pothuaj askush nuk tërbohet apo pështiroset prej mënyrës sesi e nënçmojmë lavdinë e Perëndisë. Por nëse trupat e tyre preken prej dhimbjes i kërkohet menjëherë llogari Perëndisë. Ne nuk shqetësohemi për mënyrën se si e shkelim lavdinë e tij, por nëse ai na lëndon gishtin tonë të vogël shpërthen gjithë tërbimi ynë moral. Kjo tregon sa shumë e lartësojmë veten dhe e heqim Perëndinë prej fronit të jetës tonë.
Trumpeta e dhimbjes fizike
Dhimbja fizike është trumpeta e Perëndisë për të na thënë se diçka është tmerrësisht gabim nga ana morale dhe frymërore. Sëmundjet dhe deformimet janë krenaria e Satanit. Por në providencën gjithëqeverisëse të Perëndisë ato janë portretet e Perëndisë për mënyrën si duket mëkati në sferën frymërore. Kjo është e vërtetë edhe pse disa prej njerëzve më të perëndishëm mbajnë deformime të tilla. Fatkeqësitë janë tregues të Perëndisë për atë që mëkati meriton dhe një ditë do të marrë në gjykim një mijë herë më keq. Ato janë paralajmërime.
Nga kjo mund të dallojmë sa e pështirë, sa ofenduese, sa e neveritshmë është të preferojmë ndonjë gjë në vend të Krijuesit tonë, ta injorojmë atë, të mos i besojmë, t'i kërkojmë llogari dhe t'i kushtojmë më pak vëmendje në zemrat tona nga sa i japim tapetit të dhomës ku rrimë. Këtë gjë duhet ta shohim, ndryshe nuk do të kthehemi tek Krishti për shpëtim nga mëkati, dhe nuk do ta dëshirojmë qiellin për asnjë arsye përveç lehtësimit. Ta dëshirosh qiellin për lehtësim do të thotë të përjashtohesh.
Zgjohu! Mëkati është kështu!
Prandaj Perëndia, në mënyrë të mëshirshme na këlthet në sëmundjen, dhimbjen dhe fatkeqësinë tonë, Zgjohu! Mëkati është kështu! Mëkati çon në gjëra të tilla. (Shih Zbulesa 9:20, 16:9, 11). Preferenca e televizionit karshi bashkësisë me Perëndinë është e tillë. Të dëshirosh lehtësim në qiell por të mos dëshirosh Shpenguesin është e tillë. Bota natyrore është e përshkuar prej tmerresh që kanë për qëllim të na zgjojnë nga bota e ëndërrave në të cilën mendojmë që nënçmimi i Perëndisë nuk është gjë e madhe. Ajo është një gjë shumë e tmerrshme.
Këtë të vërtetë e predikova në kishën tonë në përvjetorin e katërt të 11 Shtatorit, duke e ditur që kishte njerëz në kishën tonë që po merreshin me vuajtje të tmerrshme. Dy apo tre javë më vonë, isha në një takim lutjeje para shërbesës, dhe një prej nënave të reja të një fëmije me mangësi të jashtëzakonshme u lut, “Zot i dashur, më ndihmo të ndjej tmerrin e mëkatit në atë mënyrë si ndjej paaftësinë e djalit tim.” Vëllezër, më pëlqen të jem pastor, një lajmëtar që dridhet me Fjalën e Perëndisë.
Prandaj nëse i kthehemi përshkrimit të tabllosë së madhe: Perëndia krijoi universin nga hiçi, gjithçka ishte shumë mirë ashtu si ai e krijoi, nuk kishte mangësi, nuk kishte vuajtje, as dhimbje, as vdekje, as ligësi; pastaj Adami dhe Eva bënë diçka në zemrat e tyre që ishte aq tmerrësisht e ligë – aq e ligë sa nuk mund të thuhet, ata preferuan frutin e një peme përkundrejt bashkësisë me Perëndinë – saqë Perëndia jo vetëm i dënoi me vdekje (Zanafilla 2:17), por gjithashtu e nënshtroi gjithë krijimin ndaj asaj që Pali e quajti “kotësi” dhe “skllavëri e prishjes” (Romakëve 8:21-22).
Çfarë do të bëhet me ne atëherë dhe me krjimin të cilin Perëndia ja nënshtroi kotësisë? Çfarë mund t'u thuash atyre prindërve fëmijët e të cilëve nuk do të kenë kurrë në këtë jetë aftësi mendore më të mëdha se ato të një fëmije gjashtë muajsh? Ju u lexoni atyre me lot dhe gëzimin e shpresës (“si të brengosur por gjithmonë të gëzuar”) pjesën tjetër të Romakëve 8:18-25.
Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne. Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë, sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë? Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim.
Ju pastorë të rinj, ka pak tekste më të rëndësishme se ky për të cilat të jeni të qartë. Një prej predikimeve të para që kam dhënë para njëzetë e shtatë vitesh pasi erdha në kishën Baptiste Betlehem titullohej, “Krishti dhe Kanceri.” Doja që njerëzit e kishës time të dinin teologjinë time për vuajtjen dhe sëmundjen. Doja që ata të dinin që kur të shkoja t'i vizitoja në spital nuk do hamendësoja që nëse do kishin mjaft besim, sigurisht që Perëndia do t'i shëronte. Dëshiroja që ata të shihnin në mënyrë të veçantë vargun 23, “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.” Njerëzit e mbushur me Frymën rënkojnë, duke pritur shpengimin e trupave të tyre. Gjithë kjo pjesë është një prej pjesëve më të rëndësishme kozmike dhe më të çmuara pastorale në Bibël. Kjo na çon në qiejt e rinj dhe tokën e re me trupa të rinj, dhe na jep një tabllo krejtësisht realiste të rënkimit tonë tani në këtë epokë, si dhe na mbështet me shpresën në të cilën u shpëtuam.
Prandaj le të përpiqemi ta shtjellojmë këtë gjë me katër vëzhgime.
1. Perëndia premton se do ketë një çlirim të këtij krijimi nga kotësia dhe skllavëria e prishjes.
Vargu 21a, “vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes.” Bota natyrore, materiale, fizike, do të çlirohet prej mallkimit, kotësisë dhe prishjes. Kjo është mënyra si Pali flet për qiellin dhe tokën e re. Kjo tokë, ky qiell do të çlirohen. Kjo tokë do të jetë një tokë e re.
Isaia 65:17, “"Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje.”
Isaia 66:22, “Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje", thotë Zoti, "kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.”
2 Pjetri 3:13, “Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.”
Zbulesa 21:1, 4, “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”
Veprat 3:19-21, “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit, dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve, të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.”
Fjalët e Palit tek Romakëve 8:21 janë dëshmi e qartë për vazhdimësinë mes tokës së vjetër dhe asaj të re, “vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes.” Prandaj ai e kupton tokën e “re” si të “ripërtërirë,” jo të zëvendësuar. Nuk është si, “Kam një makinë të re.” Kur diçka çlirohet, nuk pushon së ekzistuari apo braktiset. Mund të ndryshojë, por është ende aty, dhe e lirë. Prandaj një prej gjërave që mund t'i thoni asaj nëne me fëmijën e paaftë është, E di çfarë, Bibla na mëson që edhe pse djalit tënd i është mohuar një jetë kërcimi dhe vrapimi mbi këtë tokë për lavdinë e Perëndisë, po vjen një tokë e re, e lirë prej çdo sëmundjeje dhe mangësie, dhe ai nuk do ketë thjesht një jetë, por një përjetësi për të vrapuar dhe kërcyer për lavdinë e Perëndisë.
2. Ky çlirim i rendit natyror nga skllavëria e vet do të jetë pjesëmarrje në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
Vargu 21, “Vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë”. Radha është shumë domethënëse. Ashtu si krijimi e ndoqi njeriun e rënë në prishje, po kështu do ta ndjekë njeriun e shpenguar në lavdi.
Dikush mund të tundohet t'i thotë një shenjtori që po vuan (prindit të një fëmije që vuan), “E sheh çfarë thotë Bibla: Rendi natyror, krijimi, do të çlirohet prej skllavërisë së tij ndaj prishjes. Kështu, trupi yt, apo i djalit tënd, është pjesë e atij rendi, apo jo? Po. Atëherë edhe ti, edhe ai, do të përjetoni këtë çlirim të lavdishëm nga prishja dhe do të kini një trup të ri të ringjallur, sepse jeni pjesë e asaj që po çlirohet.”
Dukshëm, kjo nuk është mënyra si Pali i sheh gjërat. Është e vërtetë që trupat tanë do të shpengohen në rendin e ri. Vargu 23b, “duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.” Por trupat tanë nuk po rrëmbehen në këtë risi për shkak se janë pjesë e krijimit. Por është e kundërta e kësaj. Krijimi rrëmbehet në “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.” Vargu 21, “ Vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.”
Liria e lavdisë së bijve të Perëndisë vjen e para. Pastaj, pasi i ka përlëvduar fëmijët e tij me trupat e tyre të rinj dhe të lavdishëm, për të cilët Jezusi tha se do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit tonë (Mateu 13:43), atëherë i gjithë krijimi përgatitet prej Perëndisë si vendbanim i përshtatshëm për familjen e përlëvduar.
Prandaj u thoni prindërve të atij fëmije me aftësi të kufizuara, “Fëmija juaj nuk do të ndryshohet për t'u përshtatur me universin e ri të përlëvduar, universi i ri do të ndryshohet për t'u përshtatur me fëmijën tuaj të përlëvduar dhe me ju.” Ideja e vargut 21 është që Perëndia i do fëmijët e tij dhe siguron më të mirën për ta. Vini re frazën, “liria e lavdisë së bijve të Perëndisë.” Jo liria e lavdisë së shenjtorëve, apo liria e lavdisë së të krishterëve, ose liria e lavdisë së të shpenguarve. Këto do ishin të vërteta. Por Pali nuk mendon kështu.
Ajo që është në mendjen e Palit këtu është ajo që thuhet pesë vargje më parë Romakëve 8:16-17, “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe lëvdohemi me të.” Ideja e vargut 21 është që qielli dhe toka e re janë trashëgimia e bijve të Perëndisë. Universi nuk është i rëndësishëm në vetvete. Ai është i rëndësishëm si këndi i lojërave të fëmijëve të Perëndisë – si tempulli, ferma dhe punishtja. Perëndia nuk i modelon fëmijët e tij për universin. Ai modelon universin për fëmijët e tij. Kjo ishte e vërtetë qysh prej fillimit dhe është e vërtetë edhe në fund; është e vërtetë në mënyrë të veçantë për Birin e tij të mishëruar, Perëndinë-njeri Jezu Krishtin. Të gjitha gjërat u bënë për të. Fëmijës tuaj me aftësi të kufizuara nuk do t'i duhet të përshtatet më gjatë. Trupi i tij do jetë i ri dhe krejtësisht i shpenguar. Gjithçka në krijim do t'i përshtatet atij.
3. Mbërritja e krijimit të ri dhe të çliruar krahasohet me lindjen, në mënyrë që të ketë jo vetëm vazhdimësi me të vjetrën por edhe shkëputje.
Vargu 22, “Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim (dhimbje lindjeje – sunōdivei).” Kur një fëmijë lind, ai është njeri dhe jo kalë. Ka vazhdimësi. Por fëmija nuk tamam i njëjti njeri. Nuk mendoj që një metaforë të tillë mund ta tërheqim shumë – mbërritja e tokës së re është si lindja e një fëmije – që do të thotë se toka e re ka tamam atë marrëdhënie me tokën e vjetër ashtu si fëmija ka me nënën. Kjo do t'u jepte fjalëve më tepër kuptim se kanë. Por ato ngrejnë idenë e shkëputjes së mundshme dhe na bëjnë të shohim pjesët e tjera për të kuptuar se çfarë lloj shkëputjeje mund të jetë. Sigurisht që konteksti i tanishëm thotë; Ky trup do të çlirohet prej kotësisë dhe prishjes. Por ka edhe më tepër.
Në fakt, gjejmë disa tregues shumë të qartë si për vazhdimësinë ashtu edhe për shkëputjen. Tek Pali treguesit më të qartë janë tek 1 Korintasve 15. Ai shtron pyetjen në vargun 35, “Por do të thotë ndonjë: 'Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?'” Atëherë përgjigjet do të jepen kështu. Vargjet 37:51,
Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet [këtu kemi shkëputje], por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet [kjo tingëllon shumë si punë krijuesi dhe jo thjesht shpenguesi, gjë e cila të ngushëllon kur mendon që trupat e paraardhësve tuaj tashmë janë shpërbërë, dhe atomet që përbënin trupat e tyre tani gjenden në mijëra njerëz dhe bimë dhe kafshë të tjera]... trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror [E përmbledhur, ai thotë që u mboll dhe po ai u ringjall. Kjo është vazhdimësi]. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror [Prandaj fjala trup nënkupton vazhdimësi dhe fjalët natyror dhe frymëror nënkuptojnë shkëputje]... Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. [Imazhet nuk janë identike, ka shkëputje dhe vazhdimësi.] Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment.”
Vërtet mister. Ne të gjithë do të shndërrohemi. Por ashtu si thotë edhe Gjoni, “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi.” (1 Gjoni 3:2). Jezusi tha, “Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.” (Mateu 22:30). Gjërat do të jenë ndryshe. Pjetri, për shembull, në letrën e tij të dytë nuk sheh një ripërtëritje apo përmirësim të thjeshtë të botës së tanishme. Ai thotë tek 2 Pjetri 3:7, “Ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.” Apostulli Gjon thotë, “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.” (Zbulesa 21:1). “Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.” (Zbulesa 21:23). “Dhe atje natë nuk do të ketë.” (Zbulesa 22:5).
Nuk do ketë natë, as diell, as hënë, as det, as martesë, trupa frymërorë në një botë që ka kaluar përmes zjarrit. E megjithatë kemi vazhdimësi, Filipianëve 3:21, “ I cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.” Çfarë lloj trupi ishte trupi i ringjallur i Jezusit siç do të jenë edhe trupat tanë? Ishte i dallueshëm. Nuk mund të shpjegohej në hapësirë, arrinte dhe zhdukej në mënyra të jashtëzakonshme. E megjithatë, shihni këto fjalë marramedëse dhe të rëndësishme nga Luka 24:39-43
Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!". Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: "A keni këtu diçka për të ngrënë?". Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.
Ai hëngri peshk. Pika e tretë është: në qiellin dhe tokën e re, do të ketë vazhdimësi me këtë botë dhe shkëputje në një mënyrë që për ne është “mister.” Nuk duket ende çfarë do të jemi. E dimë që do të jemi si ai. Prandaj kur prindërit e atij fëmije me aftësi të kufizuara ju pyesin, “A do të rritet djali ynë? A do të hajë vetë? A do të jetë në gjëndje të bëjë diçka nga krijimi?” ne do të themi, Perëndia nuk e bëri botën dhe e ruajti që të shkonte kot. Djali juaj do të hajë me Jezusi. Por ka shumë mister. Ne shohim si në një pasqyrë të errët.
Prandaj cila është siguria e tyre më e thellë nën dritën e këtim misteri të madh? Cila është shpresa e tyre më e madhe për djalin e tyre, për veten e tyre? Kjo na sjell më në fund tek vëzhgimi i katërt dhe tek ungjilli i Jezu Krishtit.
4. Shpresa për të patur trupa të shpenguar në krijimin e ri është siguruar prej shpëtimit tonë të cilin e morëm përmes besimit në ungjillin, por kjo nuk është shpresa jonë më e mirë.
Vini re në mënyrë të veçantë Romakëve 8:23b-24, “Duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë. Sepse me shpresë ne shpëtuam.” Çfarë do të thotë kjo, “me shpresë ne shpëtuam”? Është në rasën dhanore (tē gar elpidi esōthēmen). Ndoshta një referencë dhanore. Në lidhje me këtë shprese, ne u shpëtuam. Sigurisht, kjo do të përfshijë kuptimin se, kur ne u shpëtuam kjo shpresë u sigurua për ne. Përderisa jemi shpëtuar duke u mbështetur në ungjillin e Krishtit që vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall sërish (1 Korintasve 15:1-3), kjo shpresë është siguruar prej ungjillit. Ungjilli triumfon duke na sjellë ne tek kjo shpresë (Romakëve 6:5, 8:11).
Por nuk duhet të ngelemi këtu. Ungjilli është siguria e patundshe që do të ketë një qiell dhe tokë të re dhe që do të ringjallemi me trupa të shpenguar për të jetuar atje përjetë. Ungjilli i Krishtit të kryqëzuar në vendin tonë, që siguroi faljen dhe drejtësinë tonë, e lartësoi këtë vepër duke u ringjallur prej së vdekuri me pushtet mbi gjithçka, kjo është ajo që do t'i themi këtyre prindërve kur ata kërkojnë një shkëmb mbi të cilin të qëndrojnë përballë frikës dhe fajit.
Dhurata përfundimtare e Ungjillit: Perëndia duket në Krishtin e kryqëzuar
Por dhurata përfundimtare e ungjillit nuk është qielli i ri dhe toka e re. Mirësia përfunditare e ungjillit nuk është një trup i shpenguar. Mirësia përfundimtare e ungjillit nuk është falja, shpengimi, shlyerja apo drejtësimi. Të gjitha këto janë mjete drejt synimit. Mirësia përfundimtare e ungjillit e cila e bën ungjillin lajm të mirë, dhe pa të cilën asnjëra prej këtyre dhuratave të tjera nuk do të jetë lajm i mirë, është vetë Perëndia – i parë në lavdinë e Birit të tij të kryqëzuar dhe ringjallur, gjëra që gëzohen për shkak të bukurisë së tij të pafundime, që çmohet për shkak të vlerës së tij të pafundme, që reflektohet për shkak se jemi përshtatur me shembëlltyrën e Birit të tij.
Ungjilli, Shfaqja më e plotë e lavdisë së Perëndisë
Arsyeja përfundimtare pse ka një qiell dhe tokë të re është për shkak se Krishti i ringjallur nuk do ta lërë më kurrë trupin e tij njerëzor por do ta mbajë si një emblemë të përjetshme të Kalvarit ku lavdia e hirit të Perëndisë u shfaq në mënyrë më të plotë. Gjithë universi material u krjua në fillim, dhe pastaj iu dha forma e tij e re, në mënyrë që Biri i Perëndisë të mund të mishërohej si njeri, të vuante në mish, të kryqëzohej, të ringjallej prej së vdekuri, dhe të mbretëronte si Perëndi-njeri dhe të rrethohej prej një turme të panumërt njerëzish të shpenguar që në trupat tanë frymërore këndojmë, flasim, punojmë, luajmë, duam në mënyra që reflekton dukshëm lavdinë e tij në mënyrë më të plotë, ekzaktësisht për shkak se kemi trupa në një botë frymërore dhe fizike që shkëlqen me lavdinë e Perëndisë.