Nëntë Shenja të një Kishe të Shëndetshme/Përfundim
Nga Gospel Translations Albanian
By Mark Dever
About The Nature of the Church
Chapter 11 of the book Nëntë Shenja të një Kishe të Shëndetshme
Translation by 9Marks
Kur të mund të presupozojmë me të drejtë se pjesëtarët e kishës janë të rilindur dhe se ata që janë të rilindur janë të përkushtuar ndaj kishës, atëherë shëmbëlltyrat e Dhiatës së Re për kishën mund të ilustrohen në mënyrë të gjallë në bashkësitë tona. Në mirësinë e Tij, Perëndia na ka thirrur që të jetojmë jetën e krishterë së bashku, ndërkohë që dashuria dhe kujdesi ynë i ndërsjellë reflekton dashurinë dhe kujdesin e Perëndisë. Marrëdhëniet nënkuptojnë përkushtim në botë: sigurisht, edhe në kishë ato nënkuptojnë jo më pak përkushtim.
Në urdhërimin e tretë (Eksodi 20:7; Ligji i Përtërirë 5:11), Perëndia i paralajmëron njerëzit e Tij që të mos e përdorin kot emrin e Tij. Kjo nuk është thjesht një ndalesë e gjuhës së paudhë, por ky urdhërim na ndalon që ta përdorim emrin e Perëndisë më kot, në mënyrë të pakuptimtë, pa qëllim ose me një qëllim të keq.
Ky urdhërim është për ne në kishë. Shumë kisha sot janë të sëmura. Ne e ngatërrojmë përfitimin personal me rritjen shpirtërore. Ne e ngatërrojmë ngazëllimin me adhurimin e vërtetë. Ne çmojmë pranimin e botës, në vend që të jetojmë në mënyrë të tillë që të ngjallim kundërshtimin e botës. Pavarësisht nga profilet e tyre statistikore, shumë kisha sot duket sikur nuk shqetësohen për shenjatbiblike që duhet të dallojnë një kishë të gjallë që rritet.
Shëndeti i kishës duhet të jetë shqetësimi i të gjithë të krishterëve, sidomos i atyre që janë thirrur për të qenë udhëheqës në kishë. Kishat tona duhet të shfaqin Perëndinë dhe Ungjillin e Tij të lavdishëm për krijesën e Tij. Ne duhet t’i sjellim Atij lavdi, me anë të jetës sonë së bashku. Kjo barrë e prezantimit është përgjegjësia jonë dhe është privilegji ynë i madh.