Perëndia na forcon përmes Ungjillit
Nga Gospel Translations Albanian
By John Piper
About The Gospel
Part of the series Romans: The Greatest Letter Ever Written
Translation by Desiring God
Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur, por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t'i sjellë në dëgjesën e besimit, Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.
Sot do fillojmë me paragrafin e fundit të letrës më madhështore që është shkruar ndonjëherë, Letra e Palit drejtuar Romakëve. Të paktën disa prej jush do pyesin: A jemi pothuaj duke e mbaruar Romëkëve? Shumica prej jush nuk ishit këtu kur e nisëm këtë letër në 26 Prill 1998, shtatë vjet e gjysmë më parë. Shumë prej jush e datojnë mbërritjen e tyre në kishën tonë me kapitullin e Romakëve në të cilin erdhët. Tani fundi po afron. Për të larguar çdo pritje padurim dhe për t'ju ndihmuar të përgatiteni për kalimin do t'ju tregoj planin.
Një qëndrim i ngadalshëm dhe gradual në Krishtlindje
Ky paragraf i fundit (Romakëve 16:25-27) mbledh së bashku shumë tema kritike të letrës duke siguruar një mënyrë shumë të mirë për një qëndrim të ngadalshëm dhe gradual. Fluturimi ynë së bashku për shtatë vjet nuk do mbarojë me një zbritje të menjëhershme. Është avion i madh dhe nuk ulet kollaj. Plani im është të kalojmë pesë javë me këto tre vargje, që do të thotë se shpresoj ta mbaroj letrën e Romakëve të dielë më 24 Dhjetor, një ditë para Krishtlindjes, Vigjilja e Krishtlindjes duket si një kurorëzim i përshtatshëm. A mund të luteni me mua që Perëndia t'i bëjë këto të Diela para Krishtlindjes (duke filluar nga java e adhëshme) stinën më të fuqishme që kemi njohur ndonjëherë për lartësimin e Krishtit, që t'i shohim njerëzit të kthehen dhe të ndërtohen në besim.
Doksologjitë tërheqin vëmendjen tek Lavdia e Perëndisë
Tre vargjet e fundit të letrës së Roakëve janë vargje të cilat zakonisht i quajmë doksologji. Fjala doksologji vjen prej fjalës Greqish doxa që do të thotë lavdi, dhe logos do të thotë fjalë. Prandaj doksologji është një fjalë që i jep lavdi Perëndisë. Bindja pas doksologjive të Dhjatës së Re është se gjithçka ekziston dhe ndodh për të tërhequr vëmendjen tek lavdia e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse doksologjitë priren të shfaqen në momentet përfundimtare dhe kulminante të predikimit apo shkrimit. Unë bashkohem me Palin kur thotë se gjithçka që kam thënë deri tani, lutem që ta kthejë të gjithë vëmendjen tek lavdia e Perëndisë.
Prandaj Pali e nis doksologjinë e tij përmbyllëse në vargun 25 duke thënë, “Dhe atij....”, dhe ndërsa e shkruan këtë ka ndër mend fjalët përfundimtare të doksologjisë për t'i dhënë lavdi Perëndisë, por nuk mundet që ta mbyllë kaq thjesht, “Dhe atij i qoftë lavdia.” Në vend të kësaj, ai shton frazë pas fraze rreth tij, domethënë Perëndisë Atë, për ungillin e tij për të cilin ka shkruar në këto gjashtëmbëdhjetë kapituj. Pastaj ai i kthehet sërisht dhënies së lavdisë në vargun 27, fjalët e fundit të letrës. Prandaj vendosini së bashku fillimin dhe fundin, nga fillimi i vargut 25 dhe vargu 27, “Dhe atij... Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.”
Ky nuk është i vetmi vend ku Pali përdor një doksologji. Kishte një tek Romakëve 11:36 tek kulmi i njëmbëdhjetë kapitujve të parë para se Pali të niste dhe të shpaloste rrjedhojat më imediate të asaj që kishte mësuar, “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Shihni gjithashtu Filipianëve 4:20 dhe Efesianëve 3:20-21).
Pali nuk ishte i vetmi të cilit i pëlqenin doksologjitë. Pjetri tha tek 1 Pjetri 4:11, “Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpa-llë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.” Apostulli Gjon tha tek Zbulesa 1:5-6, “Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.” Dhe Juda, vëllai i Zotit, shkroi doksologjinë më të famshme nga të gjitha, “Dhe atij që mund t'ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t'ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, 25të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.” (Juda 1:24-25).
Prandaj kur dëgjoni një doksologji që shpallet apo këndohet, ta dini që kjo është një formë shprehjeje biblike dhe apostolike që është e rrënjosur në të vërtetën e gjithë rëndësishme dhe gjithë përmbledhëse që gjithçka ekziston për të tërhequr vëmendjen tek lavdia e Perëndisë.
Me këtë do të merremi këto pesë javë të fundit me letrën e Romakëve. Kjo është shumë e gjatë si doksologji dhe shumë e ngjeshur me të vërtetë rreth Perëndisë dhe ungjillit. Mund të jeni të sigurt që ndërsa Pali përfundon letrën që për të ishte më e gjata dhe më madhështorja që kishte shkruar, nuk do përdorte fjalë shkel e shko. Çdo fjalë ka rëndësi. Këto janë fjalët e tij të fundit drejtuar Romakëve. Ato mund të jenë fjalët e tij të fundit për ju. Shpresoj që do të dëgjoni me kujdes dhe që do të ktheheni në këto javë përfundimtare të vitit për të parë të pesta pikëvështrimet në këtë doksologji.
Perëndia përdor Ungjillin për të forcuar besimtarët
Sot më së shumti dua që të fokusohem tek deklarata që Perëndia e forcon popullin e tij sipas ungjillit të tij. Vargu 25, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim.” Gjithçka që Pali thotë në vargjet 25 dhe 26 është një zbërthim i ungjillit që i forcon besimtarët. Ky ungjill që forcon është “predikimi i Jezu Krishtit” (v.25b). Jezusi është realiteti qëndror i ungjillit. Ky ungjill është “ sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur” (v.25c). Ky është misteri që Johebrenjtë – kombet – janë bashkëqytetarë me të drejta të plota me besimtarët Judenj me anë të besimit në Jezusin (Efesianëve 3:6). Ky lajm i mirë “tani u shfaq” (v.26a), edhe pse ishte i fshehur në epokat e shkuara, janë vetë “shkrimet profetike” të Dhjatës së Vjetër të cilat Pali i përdor për t'jua zbuluar misterin “të gjitha kombeve” (v.26b). Gjithë ky lajm i mirë për kombet ishte “urdhërimi i Perëndisë së përjetshëm” dhe synon “dëgjesën e besimit.” (v.26c).
E gjitha kjo është shtjellim i ungjillit në vargun 25 të cilin Perëndia e përdor për të forcuar besimtarët në mënyrë që ata të këmbëngulin vërtet në dëgjesën e besimit dhe të tërheqë të gjithë vëmendjen tek lavdia e Perëndisë.
Prandaj fokusi sot është tek fakti i mahnitshëm: Në fund të kësaj letre, ndërsa Pali shqipton fjalët e doksologjisë së tij të fundit, ajo që ai zgjedh t'i atribuojë Perëndisë është që Perëndia është në gjëndje t'ju forcojë me ungjillin e tij. Kur ai mbaron duke tërhequr gjithë vëmendjen tek lavdia e Perëndisë, e bën këtë në një mënyrë që e bën atë lavdi të shkëlqejë më fort në mënyrën se si Perëndia ju forcon ju, popullin e tij që besoni ungjillin.
Perëndia që na forcon për lavdinë e tij
Këtu kemi diçka aq të mrekullueshme të cilën nuk duam ta kalojmë shumë shpejt ndryshe mund t'ju shpëtojë. Prandaj më lejoni të them sërish atë që është e dukshme dhe të vë në dukje atë që është më pak e dukshme. Fakti i dukshëm është që nga të gjitha gjërat që ai mund të kishte thënë që Perëndia bën apo ka bërë e cila tërheq vëmendjen tek lavdia e tij, nga gjithë ato dhjetra akte dhe aftësi madhështore të Perëndisë, ai zgjedh të vërë në dukje një gjë, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve... i qoftë lavdi në përjetësi...”. Ai thotë që Perëndia është i urtë, dhe që Perëndia e fshehu diçka për epoka të tëra, që zbuloi diçka për hir të kombeve, që e bëri të gjithën këtë përmes urdhërimit të tij të përjetshëm. Po. Por mënyra se si Pali e ka ndërtuar doksologjinë e tij, e gjitha kjo po shërben për të mbështetur dhe shpjeguar këtë gjë të vetme kryesore: Perëndia është në gjëndje t'ju forcojë. “Dhe atij që mund t'ju forcojë juve... i qoftë lavdi në përjetësi...”
Ky është fakti i dukshëm. Ja se çfarë është më pak e dukshme por që bëhet jashtëzakonisht e qartë sapo dikush të na tërheqë vëmendjen tek ai. Shumë mbretër në histori dhe shumë diktatorë sot synojnë të fitojnë lavdi. Ata dëshirojnë të njihen si të fortë, të pasur dhe të urtë. Si e kanë bërë ata këtë gjë? Duke i mbajtur qytetarët e tyre të dobët, të varfër dhe të paedukuar. Një popull i edukuar është kërcënim për një diktator. Një klasë e mesme e begatë është kërcënim për një diktator. Një popull i fortë është kërcënim ndaj forcës së diktatorit. Prandaj çfarë bëjnë ata? Ata e sigurojnë pushtetin e tyre duke e mbajtur popullin të dobët. Marrin lavdi duke qëndruar mbi shpinën e një populli të shtypur. Thjesht shihni regjimin e Islam Karimovit në Uzbekistan. Mund të përmendim shumë të tjerë, mbretër të vegjël që e mbajnë popullin e tyre të dobët në mënyrë që ata të jenë të fortë dhe të pasur.
Lavdia e Perëndisë në fuqinë e Ungjillit
Por tani krahasoni mënyrën se si Pali tërheq vëmendjen tek lavdia e Perëndisë. Nëse ndonjë mbret do të kishte të drejtë të shfaqte gjithë lavdinë e tij mbi shpinën e një populli rebel, ky do ishte Perëndia. Por çfarë bën ai? Ai e shfaq lavdinë e tij duke e bërë popullin e tij të fortë. “Dhe atij që mund t'ju forcojë juve... i qoftë lavdi në përjetësi...” Perëndia e lartëson lavdinë e tij duke ju bërë juve të fortë me ungjillin e tij, Perëndia nuk ndjen asnjë kërcënim prej forcës suaj. Në fakt, sa më të fortë të jeni në besim, shpresë dhe dashuri përmes ungjillit të Jezu Krishtit, aq më madhështor duket ai. Perëndia nuk e siguron pushtetin e tij duke e bërë popullin e tij të dobët. Ai e lartëson lavdinë e fuqisë së tij duke e bërë popullin e tij të fortë. “Dhe atij që mund t'ju forcojë juve... i qoftë lavdi.”
Prandaj, kur Pali e bën lavdinë e Perëndisë synimin përfundimtar të ungjillit – kur e mbyll letrën e tij më madhështore duke tërhequr vëmendjen tek vlera supreme e lavdisë së Perëndisë – ky për ne nuk është lajm i mirë. Veçse po ta dëshirojmë lavdinë për veten tonë. Përse ky nuk është lajm i keq për ne? Për shkak se Perëndia ynë tërheq vëmendjen tek lavdia e tij duke e bërë popullin e tij të padenjë të fortë. Sa më e madhe të jetë lavdia e Perëndisë aq më tepër mbështetje për forcën tonë. Sa më e shumëfarëshme dhe e mrekullueshme që të jetë lavdia e Perëndisë, aq më të shumëfarshme dhe të lavdishme janë burimet për forcën tonë. “Dhe atij që mund t'ju forcojë juve... i qoftë lavdi në përjetësi...”
Forcë në Ungjill
Çfarë lloj force ka ndër mend Pali që Perëndia është në gjëndje të japë? Perëndia mund të japë çfarëdolloj force që dëshiron, “Me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur” (Psalmi 18:29). Por këtu ai do të thotë të njëjtën lloj fuqie të cilës iu referua tek Romakëve 1:11-12, “Sepse unë dëshiroj fort t'ju shoh për t'ju komunikuar ndonjë dhunti frymërore, që të forcoheni (stërikthënai e njëjta fjalë e përdorur tek 16:25). Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.” Thelbi i kësaj force është besimi në Jezu Krishtin.
Forcë për gratë në Ungjill
Kjo nuk është një forcë të cilën bota e njeh apo e jep. Gra, vajza adoleshente, çfarë ju vjen në mend kur mendoni për një grua të fortë? Ose ju vajzat e vogla, kur mendoni që një ditë do të rriteni dhe do bëheni gra të forta, çfarë ëndërroni? Është e rëndësishme që këtë ta kemi të qartë për shkak se Perëndia dëshiron që ju të jeni të forta, si Bibla ashtu edhe përjetimi ju tregojnë që në një farë kuptimi ju jeni ena më e dobët (1 Pjetri 3:7), 95 % e meshkujve të rritur në botë janë më të fortë se 95 % e femrave të rritura. Kur ëndërroni për të qenë një grua e fortë, për çfarë duhet të ëndërroni?
Bota do t'ju sugjerojë tri mënyra për të ndjekur forcën tuaj: Një është duke qënë tip seksi, duke u veshur në mënyrë seksi, duke vepruar seksi, për shkak se burrat janë kaq qullashë, në këtë mënyrë mund të keni pushtet mbi ta. Një tjetër është duke qenë e drejtpërdrejtë, e ashpër, agresive, me besim tek vetja. Dhe e treta, të jesh e zgjuar dhe të kalosh përmes gjithë kanaleve të ndikimit në pozita pushteti. Asnjëra prej këtyre nuk është forca për të cilën flet Pali kur thotë, “Dhe atij që mund t'ju forcojë juve...”
Pali ka ndërmend forcën e brendëshme që Pjetri e përmend për gratë tek 1 Pjetri 3:6 ku u thotë grave të jenë si Sara dhe gratë e shenjta të lashtësisë, “bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.” Ajo lloj force për të cilën flet Fjalët e Urta 31:25, “Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.”
Me fjalë të tjera, gra, vajza të reja ëndërroni të jeni aq të sigurta në Perëndinë, kush jeni në Perëndinë si bija të mbretit të universit, në atë që ai ka bërë dhe premton të bëjë dhe jetë për ju në Jezu Krishtin, që të mos keni frikë nga asnjë gjë përveç Perëndisë dhe të qeshni me kohët që do të vijnë, pavarësisht se çfarë mban e ardhmja. Ju premtoj që të qenurit seksi ka për të humbur, dhe burri që do të merrni në këtë mënyrë nuk është ai lloj burri që doni. Vendosmëria juaj ka për të larguar prej jush ata njerëz me të cilët dëshironi të jeni. Pozitat e pushtetit janë si bari, era i kalon sipër dhe nuk është më. Por foca që Perëndia jep përmes ungjillit qëndron përjetë, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim... i qoftë lavdi në përjetësi.”
Forcë për burrat në Ungjill
Burra, djem, po juve? Çfarë ëndërroni kur dëshironi të bëheni të fortë? Që një ditë të mund të pozoni në reklama dhe të dukeni “çuditshmërisht të fortë?” Të jeni lojtari më i mirë në një sport të caktuar? Të jeni agjenti më i zgjuar i bursës duke ushtruar pushtetin e parasë? Të jeni i edukuar dhe të lexoni Atlantic Monthly, të dëgjoni NPR dhe të bëni llafollogjira nëpër bisedat e koktejleve?
Jo. Vetëm një i marrë dëshiron pushtet që humbet. Vetëm një i marrë dëshiron pushtet që të lë në baltë atëherë kur ke nevojë më tepër për të. Do t'ju tregoj për atë lloj fuqie që Perëndia është në gjëndje t'ju japë përmes ungjillit. Është pushteti për ta udhëhequr gruan dhe familjen në kohë përkushtimi familjar, pushteti për të thënë një fjalë të thjeshtë të vërtete kur jeni të rrethuar prej kompleksitetesh elite laike jashtëzakonisht të edukuar, pushteti për të qëndruar në këmbë dhe të thoni jo ndaj një sjelljeje mëkatare kur të gjithë po të quajnë të dobët; fuqia për të vazhduar përpara kundër çdo pengese në një çështje drejtësie, mëshire dhe të vërtete kur ndjeni se nuk keni më motivim.
Forcë për të gjithë në Ungjill
Perëndia është në gjëndje t'ju forcojë ju – burra dhe gra – me një lloj force të brendëshme të shpirtit përmes besimit në Krishtin, që ju bën më të fortë juve në një karrocë me rrota se dhjetë mijë të tjerë që shkojnë mbi dy këmbë pas rrymës së kulturës moderne. Ajo që dëshirojmë është ajo lloj force që do të jetë këtu kur të jemi paralizuar dhe mund t'u përgjigjemi pyetjeve vetëm me qepalla. Ne e dimë prej nga vjen kjo fuqi, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim... i qoftë lavdi në përjetësi.”
Nuk shpëtojmë kurrë prej nevojës tonë për Ungjillin
Ja dhe një vëzhgim kritik përfundimtar të cilin kemi qenë duke e shpalosur për shtatë vjet dhe do vazhdojmë ta bëjmë edhe për katër predikime të tjera nga letra e Romakëve, dhe lutem që ta bëjmë në çdo predikim derisa Jezusi të vijë – Perëndia na forcon përmes ungjillit, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim.”
Thelbi i ungjillit është që Jezu Krishti, i drejti, vediq për mëkatet tona dhe u ringjall sërish, përjetësisht triumfues mbi gjithë armiqtë e tij, dhe tani nuk ka asnjë dënim, por gëzim të përjetshëm, për të gjithë ata që i besojnë atij. Ju nuk do t'i shpëtoni kurrë nevojës suaj për ungjillin. Nuk e nisni jetën e Krishterë me këtë dhe pastaj ta lini pas duke u forcuar me diçka tjetër. Perëndia na forcon përmes ungjillit deri në ditën që do të vdesim.
Fuqia e Ungjillit mbi Kancerin
Do t'ju jap një ilustrim të fundit nga jeta ime, dhe shumë prej jush kanë për të treguar histori më të mëdha se imja për shkak se forca juaj është sprovuar më thellë. Por do t'ju kujtoj çfarë bëri Perëndia për mua në Shkurt kur erdhi diagnoza e kancerit. Perëndia më forcoi përmes ungjillit. Mund t'ju kujtohen tamam vargjet që përdori. Për mua nuk kishte të tjerë më të rëndësishëm, 1 Thesalonikasve 5:9-10, “Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht, i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.”
Prandaj, gjithçka në mua thotë, dhe shpreson të thotë kur të vijë diagnoza e fundit, “ Dhe atij që mund t'ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit... i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.”
Perëndia ynë ka punuar në histori për të mposhtur mëkatin, Satanin ferrin dhe vdekjen. Ai e bëri këtë përmes ungjillit të Jezu Krishtit. Përqafojeni këtë ungjill si thesarin më të madh të jetës tuaj. Perëndia do ta lartësojë lavdinë e tij duke ju bërë ju të fortë.