Hapi sytë e mi që të mund të shoh
Nga Gospel Translations Albanian
By John Piper
About The Bible
Part of the series Praying from the Fullness of the Word
Translation by Desiring God
Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde. Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd. Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua. Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë. Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua. Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua. Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua. Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
Tabela e përmbajtjeve |
Shina paralele për udhën e shpirtrave tanë
Ndërsa nisim vitin 1998, synimi i Perëndisë për ne është që të vendosemi në një hekurudhë me dy shina në drejtim të shenjtërisë, dashurisë, misionit dhe qiellit. Dy shinat e këtij treni janë lutja përpara fronit të Perëndisë dhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë. Disa prej jush mund të kujtojnë faqen e dytë të librushkës tonë për Deklaratën e Misionit, “Dinamika Frymërore.” Ajo thotë,
Ne bashkohemi me Perëndinë Atë në lartësimin e supremacisë së lavdisë së Tij përmes Zotit tonë Jezu Krisht, në fuqinë e Frymës së Shenjtë, duke çmuar gjithë sa është Perëndia, duke dashur të gjithë ata që ai do, duke u lutur për të gjitha qëllimet e tij, duke medituar mbi gjithë fjalën e tij, duke u mbështetur prej gjithë hirit të tij.
Lutja përpara fronit të Perëndisë dhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë janë si dy shina paralele të cilat i mundësojnë trenit të shpirtit tonë të qëndrojë në udhën që na çon në shenjtëri dhe në qiell. Ne kemi nevojë të ripërtërijmë zellin tonë për lutjen dhe meditimin e Biblës në fillim të vitit. Gjithçka vjetërohet, prishet dhe dobësohet pa rizgjim, ripërtëritje dhe rifreskim. Prandaj çdo vit gjatë Javës së Lutjes ne e rifokusojmë vëmendjen tonë në këto dy gjëra madhështore dhe të çmuara në mënyrë që të rindezim pasionin tonë për lutjen dhe Fjalën.
Tre gjëra për t'u mësuar nga Psalmi 119:18
Këtë vit dy mesazhet që hapin dhe mbyllin Javën e Lutjes dalin nga Psalmi 119:18. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” Ky varg kombinon lutjen dhe Fjalën, dhe ne kemi nevojë të shohim si, në mënyrë që t'i kombinojmë ato në jetën dhe kishën tonë. Ka tre gjëra të cilat i mësojmë nga ky varg.
- Një është që në Fjalën e Perëndisë ka gjëra të mrekullueshme. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” Fjala “ligj” në këtë psalm është “Torah” dhe do të thotë “udhëzim” apo “mësim”. Në mësimin e Perëndisë për ne ka gjëra të mrekullueshme. Në fakt, ato janë aq të mrekullueshme saqë kur i sheh me të vërtetë, të ndryshojnë thellësisht dhe fuqizojnë shenjtëri, dashuri dhe mision (2 Korintasve 3:18). Kjo është arsyeja pse leximi, njohja, meditimi dhe të mësuarit përmendësh i Fjalës së Perëndisë është kaq kritike.
- Gjëja e dytë që mësojmë nga ky varg është se askush nuk mund t'i shohë këto gjëra të mrekullueshme ashtu si janë pa ndihmën e mbinatyrshme të Perëndisë. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” Nëse Perëndia nuk i hap sytë tanë, nuk do të shohim mrekullinë e Fjalës. Ne nuk jemi natyrshëm të aftë për të parë bukurinë frymërore. Kur lexojmë Biblën pa ndihmën e Pereëndisë, lavdia e Perëndisë tek mësimi dhe ngjarjet e Biblës është si dielli që ndriçon fytyrën e një të verbri. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të dallosh kuptimin e tij sipërfaqësor, por nuk mund të shohësh mrekullinë, bukurinë dhe lavdinë e tij në një mënyrë të tillë që ta fiton zemrën.
- Kjo na çon tek gjëja e tretë që mësojmë nga ky varg, që ne duhet t'i lutemi Perëndisë për një ndiçim të mbinatyrshëm kur lexojmë Biblën. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” Përderisa vetë jemi të paaftë që të shohim bukurinë frymërore dhe mrekullinë e Perëndisë në mësimin dhe ngjarjet e Biblës pa ndirçimin e hirshëm të Perëndisë, duhet t'i kërkojmë atij. “Hapi sytë e mi.”
Një e vërtetë me tre hapa
Javën që vjen kam në plan të fokusohem tek gjërat e mrekullueshme në Fjalën e Perëndisë dhe në mënyrë praktike si t'i fusim ato në mendjen dhe zemrën tonë. Por sot do të fokusohem tek lutja. Dëshiroj që ta shohim këtë të vërtetë thellë në tre hapa. Fjala është kritike për të jetuar një jetë drejt Perëndisë e cila na çon në qiell, që ka fuqi dhe kuptim në tokë. Ne as që mund ta shohim se çfarë është Fjala në të vërtetë pa ndihmën e mbinatyrshme të Perëndisë. Prandaj ne kemi nevojë të jemi një popull lutjeje të përditshme që Perëndia të bëjë çfarëdo që i duhet të bëjë për t'i futur mrekullitë e Fjalës së tij në zemrat dhe jetët tona.
Le t'i shohim këto tre hapa një e nga një dhe t'i shohim si konfirmohen dhe ilustrohen në pjesë të tjera të Biblës.
1. Fjala është kritike për një jetë shenjtërie
Pika e parë është se të parët e Fjalës, njohja dhe të pasurit e saj brenda nesh është kritike për të jetuar një jetë shenjtërie, dashurie dhe fuqie për qëllimet e Perëndisë.
Shihni sërish vargun 11, “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” Si pra ta mënjanojmë mëkatin në jetën tonë? Duke e mbajtur Fjalën e Perëndisë si thesar në zemrën tonë. Oh sa shumë njerëz i bëjnë rrëmujë jetët e tyre duke mos medituar, duke mos e dashur dhe duke mos e mësuar përmendësh Fjalën e Perëndisë! A dëshiron të jesh i shenjtë, që do të thotë të kesh fuqi të mposhtësh mëkatin dhe të jetosh një jetë perëndishmërie radikale, dashurie sakrifikuese dhe përkushtimi të plotë ndaj çështjes së Krishtit? Atëherë hyr në binarët që Perëndia ka caktuar si udhë të perëndishmërisë dhe fuqisë, kjo udhë është mbajtja e Fjalës së Perëndisë si thesar në zemrën tonë.
Këtë ua them të rriturve dhe prindërve të të rinjve. Meditoni, mësoni përmendësh dhe çmoni urdhërimet, paralajmërimet dhe premtimet e Perëndisë në Shkrime. Jo, nuk po e them shumë lehtë, në mënyrë të veçantë kur jeni të moshuar. Shumica e gjërave që ia vlen t'i bëjmë nuk janë të lehta. Të bësh një mobilje të bukur, të shkruash një poemë të bukur, të shkurash muzikë të bukur, të gatuash një vakt të veçantë apo të përgatisësh një festë, asnjë prej këtyre nuk është e lehtë. Por ama ia vlen t'i bësh. A nuk ia vlen të bësh një jetë të mirë?
Talitha tani është dy vjeç. Ajo po fillon të mësojë përmendësh vargje nga Bibla. Ajo gjithashtu po mëson format e lutjes. Pse? Pse t'i futemi telasheve për të harxhuar kohë dhe përpjekje për t'ia përsëritur asaj Biblën herë pas here. Shumë e thjeshtë, kur ajo të jetë adoleshente dua që ajo të jetë e perëndishme, e pastër, e shenjtë, e dashur, e përulur, e mirë, e nënshtruar dhe e urtë. Bibla e thotë fare hapur se kjo vjen duke e ruajtur Fjalën e Perëndisë si thesar në zemrën tonë. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.”
Në lutjen e tij madhështore për ne Krishti e tha kështu, “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” (Gjoni 17:17). “Shenjtëroji” është një fjalë Biblike për ta bërë dikë të shenjtë, të perëndishëm, të dashur, të pastër, të virtytshëm apo të urtë nga ana frymërore. Këto gjëra i dëshiroj për veten, për fëmijët e mi dhe për tuajt. Prandaj çfarë duhet të bëjmë këtë vit? Nëse shenjtërohemi prej së vërtetës, dhe Fjala e Perëndisë është e vërteta, çfarë duhet të bëjmë pra?
Nëse një doktor thotë, “Jeni shumë i sëmurë dhe mund të vdisni, por nëse merrni këtë ilaç, do bëheni më mirë dhe do jetoni,” kurse ju neglizhoni marrjen e ilaçit, jeni shumë të zënë, hapjet janë shumë të mëdha dhe të vështira për t'u kapërdirë, apo thjesht harroni, do të mbeteni të sëmurë dhe mund të vdisni. Kështu është edhe me mëkatin dhe papjekurinë frymërore. Nëse neglizhoni atë që Perëndia ju thotë se do t'ju shenjtërojë, do t'ju bëjë të pjekur të fortë dhe të shenjtë atëherë nuk do të jeni të pjekur, të fortë dhe të shenjtë. Leximi, meditimi, mësimi përmendësh dhe ruajtja në zemër e Fjalës së Perëndisë është mënyra e caktuar prej Tij për të mundur mëkatin dhe për t'u bërë një person i fortë, i perëndishëm, i pjekur, i dashur dhe i urtë.
Në Fjalën e Perëndisë ka gjëra të mrekullueshme që duhen parë dhe të cilat do t'ju tranformojnë thellësisht nëse vërtet i shihni dhe i çmoni si thesare.
2. Ne nuk mund të shohim pa ndihmën e Perëndisë
Pika e dytë në tekst është që nuk jemi në gjendje t'i shohim këto gjëra të mrekullueshme në Fjalën e Perëndisë se çfarë janë në të vërtetë pa ndihmën e mbinatyrshme të Perëndisë.
Arsyeja është që ne jemi të rënë, të korruptuar, të vdekur në mëkatin tonë dhe si rrjedhim të verbër, të paditur dhe të ngurtë. Pali na përshkruan kështu tek Efesianëve 4:18 – ne jemi “të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në [ne] dhe ngurtësimit të zemrës së [tonë].”
Ja sesi shkroi Moisiu për këtë problem tek Ligji i Përtërirë 29:2-4, “Moisiu thirri tërë Izraelin dhe u tha atyre: "Ju keni parë të gjitha ato që i ka bërë Zoti në Egjipt... shenjat dhe mrekullitë e mëdha; por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.” Vini re, ju keni parë... por nuk mund të shihni pa punën e mbinatyrshme të Perëndisë.
Kjo është gjendja jonë e mjerë. Ne jemi fajtorë, të korruptuar, të ngurtë, të paditur dhe të verbër pa punën rizgjuese, gjallëruese, zbutëse, përulëse, pastruese dhe ndiçuese të Perëndisë në jetën tonë. Ne nuk do ta shohim kurrrë bukurinë e realitetit frymëror pa ndiçimin e Perëndisë. Nuk do të shohim kurrë mrekullinë dhe lavdinë e asaj që Fjala mëson nëse Perëndia nuk na i hap sytë e zemrës dhe nuk na jep një shqisë frymërore për këto gjëra.
Ideja e këtij mësimi dhe kësaj njohjeje është që të na bëjë të dëshpëruar për Perëndinë, të uritur për Perëndinë, dhe për të na shtyrë të përgjërohemi dhe t'i këlthasim Perëndisë për ndihmën e tij në leximin e Biblës.
(Në pikën 2 shihni gjithashtu Mateu 16:17 dhe 11:4, Lluka 24:45, 1 Korintasve 2:14-16, Gjoni 3:6-8, Romakëve 8:5-8).
3. Ne kemi nevojë të lutemi që Perëndia të na ndihmojë të shohim
Kjo na çon tek pika e fundit, nëse njohja dhe çmuarja e së vërtetës së Fjalës së Perëndisë është kritike për të qenë i shenjtë, i dashur, i pjekur dhe duke shkuar drejt qiellit, nëse prej natyre nuk mund t'i shohim mrekullitë e Fjalës së Perëndisë dhe të ndiejmë tërheqjen e lavdisë së saj, atëherë jemi në një gjendje të dëshpëruar dhe kemi nevojë t'i lutemi Perëndisë të na ndihmojë. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” Me fjalë të tjera, lutja është thelbësore për jetën e Krishterë, për shkak se ajo është çelësi që çliron fuqinë e Fjalës në jetën tonë. Lavdia e Fjalës është si shkëlqimi i diellit mbi fytyrën e një të verbri nëse Perëndia nuk na i hap sytë ndaj asaj lavdie. Nëse nuk e shohim lavdinë, nuk do të ndryshohemi (2 Korintasve 3:18, Gjoni 17:17), dhe nëse nuk ndryshohemi nuk jemi të krishterë.
Tek Efesianëve 1:18 Pali lutet kështu. Ai thotë, “t'u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij...” Me fjalë të tjera, “Unë ua kam mësuar këto gjëra dhe ju i keni marrë ato me shqisat tuaja të jashtme, por nëse nuk e kapni lavdinë e tyre me shqisën tuaj frymërore (“sytë e mendjes”) ju nuk do të ndryshoni. (Shihni gjithashtu Efesianëve 3:14-19, Kolosianëve 1:9 dhe 3:16). Këta të cilëve po u shkruante Pali ishin të krishterë, gjë e cila na tregon se duhet të vazhdojmë të lutemi për sy frymërore që shohin derisa të arrijmë në qiell.
Shtatë lloje lutjeje në të cilat duhet të zhytet leximi ynë i Biblës
Përderisa teksti ynë është Psalmi 119:18, “ Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd,” ne duhet ta lejojmë psalmistin të na tregojë sesi ai lutet në mënyrë më të përgjithshme për leximin e tij të Fjalës së Perëndisë. Prandaj më lejoni ta mbyll me një tur të shkurtër të Psalmit 119 dhe t'ju tregoj shtatë lloje lutjeje me të cilat mund zhytni leximin e Biblës çdo vit.
Ne duhet të lutemi . . .
1. Që Perëndia të na mësojë fjalën e tij. Psalmi 119:12b, “Më mëso statutet e tua.” (Shihni gjithashtu vargjet 33, 64b, 66, 68b, 135). Mësimi i vërtetë i Fjalës së Perëndisë është i mundur vetëm nëse Perëndia bëhet mësuesi ynë në dhe përmes gjithë mënyrave të tejra të mësimit.
2. Që Perëndia të mos na e fshehë Fjalën e tij. Psalmi 119:19b, “Mos m'i fshih urdhërimet e tua.” Bibla na paralajmëron për disiplinimin apo gjykimin e tmerrshëm kur Fjala e Perëndisë na hiqet. (Amosi 8:11). (Shih gjithashtu vargu 43).
3. Që Perëndia të na bëjë të kuptojmë Fjalën e tij. Psalmi 119:27, “Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua” (vargjet 34, 73b, 144b, 169). Këtu i kërkojmë Perëndisë të bëjë që të kuptojmë – të bëjë gjithçka ka nevojë të bëjë për të na bërë të kuptojmë Fjalën e tij.
4. Që Perëndia ta përkulë zemrën tonë ndaj Fjalës së tij. Psalmi 119:36, “Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.” Problemi më i madh me ne nuk është më së pari arsyeja jonë, por vullneti, prej natyre nuk jemi të prirur që të lexojmë, meditojmë dhe mësojmë përmendësh Fjalën. Prandaj duhe të lutemi që Perëndia të përkulë vullnetin tonë.
5. Që Perëdia të na japë jetë për të respektuar Fjalën e tij. Psalmi 119:88, “Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.” Ai e di që ne kemi nevojë për jetë dhe energji për t'ia dhënë veten Fjalës dhe bindjes ndaj saj. Kështu ai i kërkon Perëndisë për nevojën e tij bazë. (Shih gjithashtu vargun 154b)
6. Që Perëndia t'i stabilizojë hapat tona në Fjalën e tij. Psalmi 119:133, “Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua.” Ne varemi tek Zoti jo vetëm për kuptim dhe jetë, por edhe për kryerjen e Fjalës. Që ajo të themelohet në jetën tonë. Këtë nuk mund ta bëjmë vetë.
7. Që Perëndia të na kërkojë kur largohemi nga Fjala e tij. Psalmi 119:176, “Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd.” Është e jashtëzakonshme që ky burrë i perëndishëm e përfundon psalmin e tij me një rrëfim të mëkatit dhe të nevojës që Perëndia ta kërkojë dhe ta kthejë sërish. Edhe këtë lutje duhet ta bëjmë herë pas here.
Fjala, Thesari ynë
Po e mbyll duke thënë se ndërsa nisim vitin 1998 dhe dëshirojmë të jemi të shenjtë, të dashur dhe radikalisht të përkushtuar ndaj qëllimeve të Perëndisë në këtë qytet dhë në kombe, duhet të jemi njerëz që e çmojnë Fjalën në zemrën tonë, por më tepër, njerëzit që e njohin qënien tonë të dëshpëruar veçmas Perëndisë i cili ka caktuar lutjen si mënyra përmes së cilës hapen sytë tanë për të parë mrekullitë në Fjalën e tij dhe kështu të ndryshohemi. “ Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.”
Sa i zellshëm ishte ai në këto lloj lutjesh? Sa të zellshëm duhet të jemi ne? Një përgjigje jepet tek Psalmi 119:147, “Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.” Ai zgjohet herët! Kjo është përparësi e larë. A do ta bëni edhe ju të tillë?