A është Perëndia për ne apo për Vetveten?
Nga Gospel Translations Albanian
By John Piper About The Glory of God
Translation by Desiring God
Para shumë vitesh shkova në një fushatë ungjillizuese të Billi Grahamit në Anaheim të Kalifornisë. Atë natë mendoj se kishte afërsisht 50,000 njerëz, dhe unë u ula në anën e majtë të fushës nga ku mund të shihja gjithë turmën masive përreth fushës. Kur kënduam, “Sa i madh je Ti,” pata mundësi të nxirrja disa nota dhe pastaj nuk mund të këndoja dot. Nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë. Pesëdhjetë mijë zëra që i këndonin lavde Perëndisë! Ma preku aq shumë zemrën saqë nuk e kam harruar kurrë atë moment. Asgjë nuk më është dukur më me vend, më e bukur apo më thellësisht e gëzueshme se 50,000 krijesa që i këndojnë së bashkur me gjithë zemër Perëndisë.
Besoj vërtet që atë natë përjetova një copëz të vogël të qiellit, për shkak se Zbulesa 5:11-13 e portretizon qiellin kështu:
Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash, që thoshnin me zë të madh: I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.
Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.
Ky vizion i qiellit është vizioni i miliarda krijesave të panumërta që lavdërojnë Atin dhe Birin me gjithë forcën e tyre. Ata që kanë shijuar lavdinë e Qengjit nuk do të donin t'ju shpëtonte për asnjë gjë.
Perëndia është i dhënë pas lavdërimit të tij
Qengji është i denjë. Perëndia At është i denjë. Prandaj ne duhet t'i lavdërojmë. Ne do t'i lavdërojmë. Shumica e besimtarëve nuk kanë vështirësi me këtë të vërtetë. Por për dy javë rresht kemi parë nga Shkrimi se Perëndia nuk ka vepruar thjesht që të jetë i denjë për lavdërim, por për më tepër, ai e ka qëllimin e vet që të fitojë lavdërim. Perëndia nuk pret thjesht që të lartësohet për fuqinë, drejtësinë dhe mëshirën e tij, ai ka marrë iniciativën qysh nga përjetësia për të lartësuar emrin e tij mbi tokë dhe të shfaqë lavdinë e tij. Gjithçka që ai bën është e motivuar prej dëshirës së tij që të lavdërohet. Isaia 48:11 është flamuri i çdo veprimi hyjnor:
“Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t'ia jap lavdinë time asnjë tjetri".
Jeremia 13:11 e thotë kështu:
“Sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës", thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim".
Synimi i Perëndisë në gjithçka që bën është të marrë lavdërim për lavdinë e emrit të tij. Në mënyrë që të mos mendojmë se ky është një theksim vetëm i Dhjatës së Vjetër, shihni me kujdes tekstin e Efesianëve 1. Çfarë letre madhështore që është kjo! Ato dy fjali zgjatin jo vetëm 11 vargje por që gjithashtu ngrihen në lartësitë e qiejve. Në vargjet 6, 12 dhe 14 ka një frazë që përsëritet tre herë e cila e bën shumë të qartë se çfarë mendon Pali për synimin e Perënidsë në shpëtimin tonë prej mëkatit dhe për veten e tij. Vini re vargjet 5 dhe 6:
Duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij.
Pastaj vargu 12:
Që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin.
Më në fund vargu 14:
U vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.
Nga dekretet e shkuara dhe të përjetshme të Perëndisë në paracaktim deri tek kënaqësia e ardhme e përjetshme e trashëgimisë tonë në epokën e ardhëshme, synimi dhe qëllimi i Perëndisë ka qenë që lavdia e tij të lavdërohet, në mënyrë të veçantë lavdia e hirit të tij.
Fakti që Perëndia është i denjë për lavdërim, që duhet ta lavdërojmë, që do ta lavdërojmë, këto janë të vërteta të zakonshme mes të Krishterëve të cilat i konfirmojmë me gëzim. Por shumë më rrallë e dëgjojmë të vërtetën që lëvdimi i lavdisë së Perëndisë nuk është thjesht rezultati i veprimeve të tij por gjithashtu synimi dhe qëllimi i veprimeve të tij. Ai e qeveris botën drejt atij synimi që ai të admirohet, me të të mrekullohemi, të lartësohet dhe lëvdohet. Krishti po vjen, thotë Pali tek 2 Thesalonikasve 1:10, në fund të kësaj epoke, “për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kanë besuar.” Por përjetimi im ka qenë që njerëzit e pranojnë këtë të vërtetë në mënyrë të parehatshme. Është gjë e drejtë që Perëndia të lavdërohet, por nuk duket shumë e drejtë që ai të kërkojë lëvdim. A nuk tha Jezui, “Kushdo që e lartëson veten do të poshtërohet, dhe kushdo që e përul veten do të lartësohet”? Megjithatë, qëllimi i qartë i Perëndisë nga Shkrimi është të lartësojë veten në sytë e njerëzve.
Synimi im në këtë mesazh është të tregoj, sa më mirë të kem mundësi, që synimi dhe përpjekja e Perëndisë për të lëvduar veten është plotësisht i mirë dhe pa mangësi të çfarëdollojshme dhe që është shumë i ndryshëm nga vetëlartësimi njerëzor për shkak se në vetvete është një shprehje dashurie. Atëherë shpresoj që do ta afirmojmë këtë të vërtetë me gëzim dhe të bashkohemi me Perëndinë në synimin e tij madhështor.
Dy mënyra sesi mund të pengohemi rreth përqëndrimit të Perëndisë tek Vetja e tij
Mendoj se ka dy arsye pse mund të pengohemi tek dashuria e Perëndisë për lavdinë e tij dhe zellin për t'i bërë njerëzit që ta lavdërojnë për këtë gjë. Një prej tyre është që nuk na pëlqejnë njerëzit që veprojnë kështu, dhe tjetra është që Bibla duket se na mëson se një person nuk duhet të kërkojë lavdinë e vet. Prandaj njerëzit ofendohen prej faktit të vetëlartësimit të Perëndisë si prej përjetimeve të tyre të përditshme ashtu edhe prej ndonjë Shkrimi.
Ne thjesht nuk na pëlqejnë njerëzit që duket se kanë rënë në dashuri me aftësinë, fuqinë apo pamjen e tyre. Nuk na pëlqejnë studiuesit që përpiqen të reklamojnë njohurinë e tyre të specializuar apo që na recitojnë gjithë botimet apo leksionet e tyre më të fundit. Nuk na pëlqejnë biznesmenët që nuk pushojnë së treguar se mesa zgjuarsi i kanë investuar paratë e tyre, sesi qëndrojnë në krye të tregut, duke harxhuar pak në fillim dhe duke fituar shumë në fund. Nuk na pëlqen që fëmijët të luajnë për orë të tëra lojëra ku ata janë heroi i vetëm.
Nëse nuk jemi një prej tyre, nuk na pëlqejnë burrat apo gratë që vishen, në mënyrë jofunksionale, thjesht dhe pa ofenduar, por përkundrazi synojnë të ecin me stilin e fundit në mënyrë që të bien në sy, t'i shohin si interesantë, ndryshe apo çfarë do thotë bota se duhet të dukeni këtë javë.
Përse nuk na pëlqejnë të gijtha këto? Mendoj për shkak se të gjithë këta njerëz nuk janë të vërtetë. Ata janë njerëz të cilët Ajn Rands i quan “të dorës së dytë”. Ata nuk jetojnë prej gëzimit që vjen prej arritjes së asaj që vlerësojnë për hir të vetë asaj. Në vend të kësaj, ata jetojnë një jetë të dorës së tyre prej lavdërimit dhe komplimenteve të të tjerëve. Njerëz të tillë nuk i admirojmë. Ne admirojmë njerëz të qëndrueshëm dhe mjaft të sigurt që nuk e ndjejnë nevojën për të mbuluar dobësitë e tyre dhe kështu fshehin mangësitë reale duke u përpjekur që të marrin sa më tepër komplimente që të kenë mundësi.
Prandaj është e arsyeshme të mendojmë se çdo mësim që duket se e vendos Perëndinë në kategorinë e dorës së dytë do të shikohet me dyshim prej të Krishterëve. Për shumë, mësimi se Perëndia po kërkon lëvdim, që dëshiron të admirohet dhe po i bën gjërat për hir të emrit të tij duket në fakt sikur e vendos Perëndinë në atë kategori. Por a duhet të jetë kështu? Një gjë të cilën mund ta themi me siguri është, Perëndia nuk është i dobët dhe nuk ka mangësi: 'Sepse prej tij, me anë të tij, dhe për të janë të gjitha gjërat.” (Romakëve 11:36). Ai ka qenë gjithmonë dhe çdo gjë tjetër që ekziston i detyrohet për ekzistencën e vet atij dhe kështu nuk mund t'i shtojë asgjë atij e cila nuk ka dalë tashmë prej tij. Kjo është thjesht kuptimi i të qenurit Perëndi i përjetshëm dhe jo krijesë. Prandaj, Zelli i Perëndisë për të kërkuar lavdinë e tij dhe të lëvdohet prej njerëzve nuk mund t'i atribuohet nevojës së tij për të mbuluar disa dobësi apo të kompensojë për disa mangësi. Në një vështrim sipërfaqësor ai mund të duket se hyn në kategorinë e “dorës së dytë”, por ai nuk është si ata dhe ngjashmëritë sipërfaqësore duhet të shpjegohen ndryshe. Duhet të ketë një motiv tjetër që e shtyn atë të kërkojë lëvdim për lavdinë e tij.
Ka një arsye tjetër nga përjetimi përse nuk i pëlqejmë ata që kërkojnë lavdinë e tyre. Arsyeja nuk është thjesht që nuk janë autentikë, që përpiqen të fshehin dobësitë dhe mangësitë, por që gjithashtu nuk janë të dashur. Ata janë aq të shqetësuar për imazhin dhe lëvdimin e tyre saqë nuk e vrasin mendjen se çfarë u ndodh të tjerëve. Ky vëzhgim na çon tek arsyeja biblike pse duket ofenduese që Perëndia të kërkojë lavdinë e tij. 1 Korintasve 13:5 thotë, “Dashuria nuk kërkon të sajat.” Kjo vërtet duket se krijon një krizë, pasi nëse, Shkrimi mëson qartë ashtu si dhe mendoj, Perëndia e ka qëllimin e tij përfundimtar të lavdërohet, si mund të jetë ai i dashur atëherë? Sepse “dashuria nuk kërkon të sajat”. Tre javë me radhë kemi parë Shkrime që na mësojnë se Perëndia është për vetveten. “Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t'ia jap lavdinë time asnjë tjetri". (Isaia 48:11). Por nëse Perëndia është Perëndi dashurie, ai duhet të jetë për ne. Atëherë, a është Perëndia për vetveten apo për ne?
Dashuria e pafundme e Perëndisë kur ndjek lëvdimin e tij
Përgjigja për të cilën dua t'ju bind se është e vërtetë është kjo: për shkak se Perëndia është unik si krijesa më e lavdishme nga të gjitha dhe plotësisht i vetëmjaftueshëm, ai duhet të jetë për vetveten në mënyrë që të jetë për ne. Nëse ai do ta braktiste synimin e vetëlartësimit të tij, ne do humbisnim. Synimi i tij për t'i sjellë lavdi vetvetes dhe synimi i tij për të na sjellë kënaqësi ne popullit të tij janë një dhe këto dy gjëra qëndrojnë ose bien së bashku. Mendoj se do ta shohim këtë gjë nëse bëjmë pyetjen e mëposhtme.
Nën dritën e bukurisë dhe urtësisë pafundësisht të admirueshme të Perëndisë çfarë do të përfshinte dashuria e tij për një krijesë? Apo për ta thënë ndryshe, Çfarë mund të na japë Perëndia që ta gëzojmë gjë e cila do ta tregojë atë si më të dashur? Ka vetëm një përgjigje të mundëshme, apo jo? VETVETEN! Nëse Perëndia do të na jepte më të mirën, më të kënaqshmen, që do të thotë, nëse do të na donte përsosmërisht, ai nuk duhet të na japë asgjë më pak se vetveten për meditimin dhe bashkësinë tonë.
Ky ishte tamam qëllimi i Perëndisë në dërgimin e Birit të tij. Efesianëve 2:18 thotë se Krishti erdhi në mënyrë që ne të mund të kemi “hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.” Dhe 1 Pjetri 3:18 thotë, “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.” Perëndia ishte ai që e ideoi gjithë këtë, një herë e përgjithmonë, i drejti për të padrejtët, për të na çuar tek Perëndia. Perëndia e krijoi gjithë planin e shpengimit në dashuri për t'i kthyer njerëzit tek vetvetja, ashtu si thotë edhe psalmisti, “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.” (Psalmi 16:11). Perëndia na kërkon që të na japë më të mirën, jo prestigj, pasuri apo shëndet në këtë jetë, por një vizion të plotë dhe bashkësi me vetveten.
Por tani jemi në prag të asaj që për mua ishte një zbulim madhështor, dhe mendoj që gjithashtu është zgjidhja e problemit tonë. Për të qenë i dashur në mënyrë supreme, Perëndia duhet të na japë atë që ka për të qenë më e mira dhe që do të na kënaqë më tepër, ai duhet të na japë vetveten. Çfarë bëjmë ne kur na tregohet apo jepet diçka e përsosur, diçka me të cilën kënaqemi? Ne e lëvdojmë. Ne lëvdojmë bebet e vogla që ia dalin të lindin pa shtrembërime gjatë lindjes, “Shikoje atë kokë të vogël dhe të rrumbullakët, shiko gjithë ato flokë, shiko duart sa të mëdha që janë!” Ne lëvdojmë fytyrën e të dashurës pas një mungese të gjatë, “Sytë e tu janë si qielli, flokët e tu janë si mëndafsh, je e bukur për mua.” Ne lëvdojmë kur bëhet një gol në sekondat e fundit. Ne lëvdojmë bukurinë e pemëve në vjeshtë.
Por zbulimi i madh që bëra me ndihmën e K. S. Ljuis ishte që jo vetëm lëvdojmë atë me të cilën kënaqemi por që lëvdimi është kulmi i vetë gëzimit tonë. Kjo nuk vjen më vonë, është pjesë e kënaqësisë. Dëgjoni mënyrën sesi Ljuis e përshkruan këtë zbulim në librin e tij rreth Psalmeve:
Fakti më i dukshëm rreth lavdërimit të Perëndisë apo çdo gjëje tjetër, në mënyrë të çuditshme më kishte shpëtuar. Unë mendoja për këtë si kompliment, aprovim apo dhënie nderi. Nuk e kisha vënë re kurrë se gjithë kënaqësia spontanisht rrjedh në lavdërim veçse (nganjëherë edhe kur) turpi apo frika e bezdisjes së të tjerëve sillet qëllimisht për ta frenuar. Bota kumbon me lavdërim, të dashurit lëvdojnë të dashurat e tyre, lexuesit lëvdojnë poetët e tyre të preferuar, turistët lëvdojnë bukurinë e fshatit, lojtarët lëvdojnë lojën e tyre të preferuar, lëvdim i kohës, verërave, gatimeve, aktorëve, kuajve, kolegëve, vendeve, personazheve historike, fëmijëve, luleve, maleve, stampave të rralla, insekteve të rralla dhe nganjëherë edhe i politikanëve apo studiuesve. Vështirësia ime zakonisht më e vështirë, rreth lavdërimit të Perëndisë varej në faktin që në mënyrë absurde na mohoet, përsa i përket të çmuarës supreme, asaj që kënaqemi të bëjmë, ajo që në të vërtetë nuk ka si të mos e bëjmë, rreth gjithçkaje tjetër që vlersojmë.
Mendoj se ne kënaqemi në lavdërimin e saj me të cilën kënaqemi për shkak se lavdërimi jo vetëm shpreh por edhe e plotëson kënaqësinë, ky është konsumimi i caktuar. Të dashurit nuk vazhdojnë t'i thonë njëri-tjetrit sa të bukur janë thjesht si kompliment, kënaqësia është e mangët derisa të shprehet. (Reflektime rreth Psalmeve. fq.93-95)
Ja çelësi, ne lavdërojmë atë me të cilën kënaqemi sepse kënaqësia është e paplotë derisa të shprehet në lavdërim. Nëse nuk do na lejonim të flisnim për atë që vlerësojmë, të kremtojmë atë që duam dhe të lëvdojmë atë që admirojmë, gëzimi ynë nuk ka për të qenë i plotë. Prandaj nëse Perëndia është vërtet për ne, nëse do të na japë më të mirën dhe ta plotësojë gëzimin tonë, ai duhet ta bëjë qëllimin e tij që të fitojë lëvdimin tonë për të. Jo për shkak se ai ka nevojë të mbulojë ndonjë dobësi tek vetja apo të fshehë ndonjë mangësi, por për shkak se na do dhe kërkon plotësinë e gëzimit tonë i cili mund të gjendet në njohjen dhe lavdërimin e tij, qënies më të bukur nga të gjitha.
Perëndia është Qenia e vetme në gjithë universin për të cilin kërkimi i lëvdimit të vetes është përfundimisht veprimi më i dashur. Për të vetëlartësimi është virtyti më i lartë. Kur ai i bën të gjitha gjërat “për lëvdim të lavdisë së tij” ashtu si na thotë Efesianëve 1, ai ruan për ne dhe na ofron të vetmen gjë në gjithë botën që mund t'i kënaqë dëshirat tona. Perëndia është për ne, dhe si rrjedhim ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë për vetveten. Lavdi Zotit! Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin.