Mendime pastorale rreth doktrinës së zgjedhjes
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Pastoral Thoughts on the Doctrine of Election}} > Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, po të jetë prej hirit, nuk ës...)
Ndryshimi më pas →
Versioni i 13 Korrik 2017 18:23
By John Piper
About Pastoral Ministry
Part of the series Romans: The Greatest Letter Ever Written
Translation by Desiring God
Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër. E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan.
Ndërsa po mendoja për rrjedhojat pastorale të predikimit përgjatë një pjese kaq doktrinore si Romakëve 11, m'u duk e mirë që ndoshta një herë në dy tre javë të ndalojmë me rrjedhën e shtjellimit, të hedhim një hap pas dhe të flasim për disa prej rrjedhojave praktike të gjërave që kemi parë. Ajo që kemi qenë duke parë këto javët e fundit nga Romakëve 11:1-10 (si kemi bërë edhe me Romakëve 8:29-33 dhe 9:10-24) është doktrina biblike e zgjedhjes së pakushtëzuar.
Ky është mësimi që Perëndia zgjodhi, para themelimit të botës (Efesianëve 1:4), kush do të besonte dhe kështu do të shpëtohej në mënyrë të pamerituar pavarësisht mëkatit të tyre, dhe kush do këmbëngulte në rebelim dhe në mënyrë të merituar do të humbasë për shkak të mëkatit të tyre. Me fjalë të tjera, urtësia, drejtësia dhe hiri i vullnetit të Perëndisë është gjithmonë shpjegimi përfundimtar për atë që ndodh në botë – për gjithçka që ndodh në botë. Njerëzit nuk janë Perëndi. Ne nuk mund të shkaktojmë diçka nga hiçi. Ne, udhëheqësit e Kishës Betlehem, mbahemi fort pas paradoksit biblik (jo kontraditë) që, nga njëra anë, Perëndia është sovran dhe nga ana tjetër ne të gjithë jemi përgjegjës dhe fajtorë për mëkatin tonë dhe meritojmë zemërim. Nëse Perëndia na zgjodhi që të besonim dhe të shpëtohemi nga kjo gjëndje fajtore, kjo nuk i detyrohet asgjëje në ne. Këtë kemi parë tek Romakëve 8 dhe 9, dhe tani sërish tek 11:1-10. Kjo është ajo që dua të them me zgjedhje të pakushtëzuar.
Prandaj sot do të flasim për disa mendime pastorale rreth kësaj doktrine të zgjedhjes.
1. Jo të gjitha gjërat janë mirë që t'i dimë, prandaj Perëndia nuk na i ka zbuluar, ka disa gjëra që janë mirë t'i dimë edhe kur nuk mund t'i shpjegojmë plotësisht.
Këtë gjë e bazoj pjesërisht tek Ligji i Përtërirë 29:29 ku Moisiu thotë, “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji”. Ka gjëra të cilat Perëndia nuk ka për qëllim që t'i dimë. Nuk do të ishin mirë për ne. Për shembull tek Veprat 1:7, Jezusi thotë, “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet”. Nëse dimë shumë rreth të ardhmes nuk është gjë e mirë për ne. Në fakt, ne pothuaj nuk dimë asgjë për atë që do të ndodhë nesër. Jakobi 4:4 thotë, “ndërsa nuk dini për të nesërmen.” Një shembull tjetër do të ishte Psalmi 131 ku Davidi thotë, “O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua”. Ka disa gjëra që janë përtej kuptimit tonë.
Ka gjëra të tjera të cilat i dimë për shkak se Perëndia na i ka zbuluar, por edhe ato i njohim pjesërisht. Ato janë mirë që t'i dimë. Por duhet të jemi të kënaqur të dimë vetëm pjesërisht, ashtu si Pali thotë tëk 1 Korintasve 13:12, “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.” Kjo është në mënyrë të veçantë e vërtetë për doktrinën e zgjedhjes. Ne kemi prirjen të bëjmë më tepër pyetje nga sa Perëndia zgjedh të na përgjigjet. Ka një rrezik të madh që pyetjet tona të kalojnë në akuzime.
Një prej rrjedhojave të kësaj pike është që nuk do ta dimë kurrë si një doktrinë e caktuar në Bibël është mirë për ne. Ne Amerikanët jemi veçanërisht pragmatikë dhe kërkues. Nëse nuk e shohim menjëherë vlerën e një doktrine, priremi ta injorojmë. Jemi si fëmijë pa mend kur e bëjmë këtë. Çdo prind e di që fëmijët duhet të detyrohen të mësojnë gjëra edhe pa e ditur sesi një ditë do të jenë të dobishme. Për shembull, ne u mësojmë hollësitë e sjelljes në tryezë kur janë të vegjël në mënyrë që më vonë të jenë në gjëndje të trajtojnë çdo situatë shoqërore me hijeshi.
Ata nuk e kanë idenë pse po u thoni ta mbajnë lugën në një mënyrë të caktuar dhe të mos i vendosin bërrylat mbi tavolinë. Ata duhet ta pranojnë fjalën tuaj, që dielli qëndron në vend, toka është rruzull, zarzavatet të bëjnë të shëndetshëm dhe ajo qesja e vogël me helm minjsh të vret. Nëse fëmijët duhet t'i dinë këto gjëra para se të dinë pse apo si, imagjinoni distancën mes nesh dhe Perëndisë dhe sa shumë mund të na duhet të dimë pa e ditur sesi na ndihmon.
Efektet e asaj që dimë në jetën tonë janë gjithmonë më tepër se dimë apo mund të shpjegojmë. Nganjëherë, thjesht duhet ta mësojmë diçka sepse Perëndia thotë se është e vërtetë. Pastaj më vonë mund të shohim si kjo njohuri na mbrojti, na forcoi, na përuli, na pastroi, na udhëzoi, apo na aftësoi të shohim gjërat e tjera si të vërteta. Gjithçka arrin tek besimi. A besojmë se Perëndia na ka zbuluar atë që është e mirë ta dimë?
Me doktrinën e zgjedhjes nuk i dimë të gjitha mënyrat si ajo është e mirë për ne, por dimë disa prej tyre. Gjë e cila na çon tek një mendim i dytë pastoral rreth efektit të njohjes së doktrinës së zgjedhjes.
2. Doktrina e zgjedhjes ka një prirje të fortë ta bëjë kishën rigoroze rreth së vërtetës dhe Shkrimit dhe kështu ta ruajë që të mos rrëshqasë në indiferencë doktrinore dhe të konformohet me kulturën.
Doktrina e zgjdhjes priret t'i japë qëndrueshmëri dhe karakter mendjeve të dobëta. Ajo priret të prodhojë të krishterë që mendojnë dhe që nuk rrëmbehen prej ideve që kanë njeriun në qendër dhe që janë në modë. Ajo ka një fuqi të mahnitshme ruajtëse që funksionon për t'i ruajtur doktrinat e tjera që të mos hollohen dhe humbasin. Në përgjithësi, priret të na ngulisë në mendje një botëkuptim që ka Perëndinë në qendër dhe është ndërtuar prej së vërtetës vërtet objektive. Ja ku kemi një shembull përse kjo ka rëndësi. Në numrin më të fundit të revistës Krishtërimi Sot Çak Kolson diskuton “postmodernizmin” - “filozofinë që pretendon se nuk ka të vërtetë supreme.” Ai jep katër apo pesë shenja nga kultura për faktin që postmodernizmi po e humbet forcën e vet dhe shpejt mund të kalojë. Por dëgjoni thirrjen që ai u bën kishave.
Nuk mund të mendoj për një kohë më kritike për pastorët, studiuesit dhe besimtarët e thjeshtë që të themelohen në një botëkuptim biblik dhe ta mbrojnë atë qartë për ata që kanë uri për të vërtetën.
Por a jemi ne të përgatitur për një sfidë të tillë? Xhorxh Barna kohët e fundit mbaroi një tur nëpër kishat e Ameriksë dhe u kthye me një raport tronditës që shumica e udhëheqësve laikë dhe të kishës – 90% sipas një vëzhgimi – nuk kanë një botëkuptim. Si do të luftojmë me filozofitë konkuruese nëse nuk jemi të rrënjosur në sistemin tonë të së vërtetës?
Në mënyrë ironike ashtu si duket që ka shenja inkurajuese në kulturë, ka gjithashtu shenja që kisha po i hollon gjërat, duke kaluar nga një mesazh i drejtuar Botës tek një mesazh i dhënë pas imazhit dhe emocionit (vini re sa shumë radiostacione të krishtera kanë kaluar kohët e fundit nga emisionet dhe predikimet tek vetëm muzikë).
Do të ishte ironi supreme dhe një tragjedi e tmerrshme nëse ne do të rrëshqisnim në postmodernizëm tamam në atë moment kur kultura ta ketë zbuluar se është një qorsokak. ("The Postmodern Crackup," in Christianity Today , Dhjetor 2003, Vol. 47, No. 12, p. 72).
Doktrina e zgjedhjes ka një efket të mahnitshëm për t'i zgjuar njerëzit që po shkojnë tatëpjetë lumit të supozimeve të trashëguara pa asnjë përfshirje të mendjes. Papritur ata mbërthehen prej fokusit qëndror radikal të Biblës në Perëndinë dhe nga fokusi i frikshëm i zemrave të tyre tek njeriu. Ata nisin një kërkim për të ndërtuar një mënyrë të menduari Biblik rreth Perëndisë dhe botës në mënyrë që të mund të mënjanojnë tragjedinë për të cilën Kolsoni na paralajmëron: domethënë, që bota më në fund zbulon se e vërteta është vërtet e rëndësishme dhe në po atë moment kisha ka vendosur në emër të përshtatshmërisë kulturore që doktrina nuk ka rëndësi. Doktrina e zgjedhjes është e mirë për ne dhe për nipërit tanë në mënyra të cilat as mund t'i imagjinojmë.
3. Një mendim i tretë pastoral rreth doktrinës së zgjedhjes është që kjo është një prej mënyrave më të mira për të provuar nëse kemi shkëmbyer rolet me Perëndinë.
Ky është një problem i vazhdueshëm, por në mënyrë të veçantë në botën moderne që hamendëson autonominë njerëzore, vë në dyshim çdo autoritet dhe e vendos veten në pozitën e gjykatësit për të caktuar madje nëse Perëndia ekziston.
Pali e trajtoi këtë çështje me më tepër forcë tek Romakëve 9:6-23. Ndërsa e bëri këtë, ai dëgjoi kundërshtimet e lashta dhe ato moderne, “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?". Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: "Përse më bërë kështu?” (Romakëve 9:19-20). Me fjalë të tjera, nuk ju shkon juve që të shkëmbeni rolet me Perëndinë. Ai është poçari. Ka pak doktrina që e provojnë kaq qartë nëse ne gjykojmë Perëndinë apo ai na gjykon ne.
Kur libri i Jobit mbaron, kur të gjitha mbrojtjet e Jobit janë shterur dhe të gjitha këshillat ngatërruese të Elifazit, Bildadit dhe Zofarit kanë shkuar tej, përmbledhja e gjithçkaje është kjo, “Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha: "E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet... Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.” Perëndia iu përgjigj, “Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.” Me fjalë të tjera, Job zir vendin që të takon dhe më dëgjo. Mëso prej meje, mos më mëso mua. Më beso, mos më akuzo. Ndaj së cilës Jobi më në fund thotë, “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh. Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin". (Jobi 42:1-6). Doktrina e zgjedhjes na vë në provë si pak doktrina të tjera për të parë nëse gjendemi në këpucët e Jobit që akuzon, apo të Jobit të thyer dhe të penduar që beson.
Për një peshk është e vështirë të dijë se është i lagur. Për peshkun gjithçka është e lagur. Peshku madje nuk mendon për këtë gjë. Prandaj është e vështirë për një njeri modern, që jeton në këto dy shekujt e fundit, të dijë se është arrogant karshi Perëndisë. Arroganca karshi Perëndisë është gjithçka ekziston në botën moderne. Është oqeani në të cilin notojmë, ajëri që thithim. Kjo është e thurur në thelb të mendjes tonë. Ne madje as që e dimë që është aty. Nuk mund ta shohim, për shkak se përmes saj shohim për të parë diçka tjetër.
Ja sesi e thotë K. S. Ljuis:
Njeriu i lashtë ju afrua Perëndisë... ashtu si i akuzuari i afrohet gjykatësit të tij. Për njeriun modern rolet janë shkëmbyer. Ai është gjykatësi: Perëndia është në gardhore. Ai është gjykatës goxha dashamirës: nëse Perëndia do të ketë një mbrojtje të arsyeshme për faktin që është perëndia që lejon luftërat, varfërinë dhe sëmundjet, ai është gati ta dëgjojë. Gjyqi mund të përfundojë madje me shfajësimin e Perëndisë. Por gjëja e rëndësishme është që njeriu është Gjykatësi dhe Perëndia i Akuzuari. ("God in the Dock," in Lesley Walmsley, ed., C.S. Lewis: Essay Collection and Other Short Pieces [London: HarperCollins Publishers, 2000], p. 36)
Ky është kuptimi i asaj se çfarë do të thotë të jesh modern, ndjenja e paperceptueshme – supozimi të cilin as që e dimë se e kemi – që për ne është e përshtatshme ta dyshojmë dhe madje gjykojmë Perëndinë. Doktrina e zgjedhjes është një test shumë efektiv për faktin nëse po çliroheni prej oqeanit të qenësishëm të arrogancës në botën moderne, apo jeni ende të zhytur gjer në palcë. Për ne është mirë që të provohemi në pikën kritike të sovranitetit të Perëndisë, në mënyrë që të mund të themi bashkë me Jobin, “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh. Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin". (Jobi 42:1-6).
4. Mendimi i katërt pastoral rreth doktrinës së zgjedhjes është ky: Përqafimi i përulur – jo diskutimi, as madje besimi intelektual, por përqafimi i përulur – i së vërtetës së çmuar të zgjedhjes dhe hirit sovran, prodhon shërbesa dhe misione radikale, të dashura dhe që ndërmarrin rreziqe.
Një shembull (në fakt mund të ketë shumë më tepër se Uilliam Keri dhe Adoniram Xhadsën, David Livinstone, Xhon Paton, Xhorxh Myller, Çarls Spërxhën, Xhonatan Eduards e kështu me rradhë). Kristin Karlson ka qenë në Zambia për të punuar për pothuaj një vit me fëmijët e rrugës me organizatën Action International (Përpiquni t'i njihni; drejtorin e kësaj organizate Dag Nikols mund ta kisha rradhitur përkrah atyre të Krishterëve radikalë që shkuan në Ruanda duke qenë të sëmurë me kancer për shkak se ai e përqafoi me përulësi të vërtetën e zgjedhjes). Ja se çfarë na shkroi Kristina në një imeil mëngjesin e festës së Falenderimeve:
Së pari, i jam mirënjohëse Perëndisë për hirin e pashpjegueshëm kur më zgjodhi mua. Nuk kam bërë asgjë për ta meritur këtë dhe vazhdimisht mahnitem me mirësinë e Atit tim ndaj meje. Arsyeja pse jam mirënjohëse që jam zgjedhur është për shkak se e di për çfarë jam zgjedhur. Jam zgjedhur që të shpall përsosmëritë e Perëndisë; e zgjedhur që kënaqem përjetësisht në Perëndinë përmes Jezusit; jam zgjedhur të jetoj në dritë dhe jo në errësirë; jam zgjedhur që të provoj dhe të shoh që Ai është i mirë.
Kjo të mos ju shpëtojë. Disa prej jush nuk e kanë idenë për çfarë po flet Kristina për shkak se u kanë mësuar se doktrina e zgjedhjes ose nuk është e vërtetë ose nuk është e dobishme. Ju gjithmonë keni qëndruar duke vështruar nga jashtë, jeni treguar dyshues dhe kritikues. Tani përmes këtij imeili po dëgjoni një histori nga brenda, nga dikush që e di çfarë do të thotë të përqafosh dhe të përqafohesh në doktrinën e zgjedhjes pa kushte. Efekti nuk është ai që mund t'u jetë mësuar. Dëgjoni efektin e kësaj. Ajo vazhdon:
Jam mirënjohëse që Perëndia zgjodhi Vaskon, një fëmijë i ashpër, i paditur dhe rebel, nga errësira në dritën e Tij të mrekullueshme. Fruti që tashmë shoh në jetën e Vaskos është dëshmi e qëndrimit të tij në Jezusin, Hardhinë.
Jam mirënjohëse për mirësinë e pafundme të Perëndisë këtë vit të fundit... Çfarë punë e mahnitshme është kjo pjesë e së cilës mund të jem – të zë shoqëri me fëmijët e rrugës dhe të ndaj me ta të vetmen shpresë të përjetshme. Si shtesë, jam mirënjohëse për zemrën që Perëndia më ka dhënë për këta fëmijë. Nëse flas objektivisht, e di që nuk është “normale” të DUASH kur je duke ecur përmes pirgjeve të plehërave dhe të ulesh mbi një divan (një objekt i vogël prej metali me një copë kartoni sipër për t'u ulur) me fëmijë të pistë dhe që kundërmojnë, por, është ushtë, përsëri më pëlqen.
Përqafimi dhe të qenurit i përqafuar prej doktrinës së hirit sovran – duke nisur me zgjedhjen pa kushte – së pari prodhon atë lloj dashurie radikale, sakrifikuese dhe që ndërmerr rreziqe; pastaj na përul të ngazëllojmë në të vërtetën që nuk e prodhuam këtë bukuri në veten tonë, Perëndia e bëri. Pastaj i japim atij lavdinë.
Nëse pyesni: A është kjo një mënyrë Biblike për të menduar? A na e mëson në fakt Bibla që e vërteta e zgjedhjes është dhënë prej Perëndisë që të ketë këto efekte? Përgjigja është po. Së pari, konsideroni fjalët e Kolosianëve 3:12-13, “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.” Ja ku e keni lidhjen. Kjo është e qartë dhe e drejtpërdrejtë në mendjen e Palit. Të dini se jeni zgjedhur prej hirit, që jeni veçuar për Perëndinë, që jeni dashur, kjo duhet t'ju bëjë një prej personave më të përulur në botë, gati për të duruar keqtrajtime dhe të gatshëm për të falur. Të duash të padashurit në Zambia dhe kudo tjetër.
Ja tek keni një tregues tjetër për mënyrën sesi funksionon kjo gjë. Tek Romakëve 8:33 Pali thotë, “Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.” Përgjigja është; Askush nuk mund të sjellë një akuzë kundër jush nëse jeni zgjedhur prej Perëndisë. Ai është për ju përjetësisht. Është jashtëzakonisht e qartë se Pali e thotë këtë për shkak se pret që të ketë një efekt praktik në ju. Ai pret të ndiejmë siguri dhe gëzim, pastaj të jemi guximtarë dhe sypatrembur. Ndërsa sot qëndroni përpara një vendimi që duket i drejtë dhe i dashur, por i rrezikshëm, a e ndjeni efektin e pyetjes, “Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?” A e ndjeni forcën e ungjillit që prodhon siguri në fjalën “të zgjedhurit”?
Kjo nuk është kryesisht një doktrinë për të cilën mund të debatojmë, por një doktrinë që duhet shijuar. Nuk është ideuar për debate, është ideuar për mision. Nuk ka për qëllim t'i ndajë njerëzit (edhe pse kjo do të ndodhë), është dhënë që t'i bëjë të dhembshur, të mirë, të përulur, zemërbutë dhe falës.
5. Po e mbyll me një mendim të fundit pastoral. Mos mendoni për zgjedhjen ndarazi nga Krishti.
Efesianëve 1:3 thotë, “sikurse [Perëndia] na zgjodhi në të [Krishtin] përpara se të themelohej bota.”. Me fjalë të tjera, kur Perëndia planifikoi në përjetësi të na rrëmbente prej skllavërisë së mëkatit, ai kishte Krishtin në mendjen si mënyra përmes së cilës do ta bënte këtë gjë. Perëndia planifikoi qysh para themelimit të botës që të na shpëtonte përmes vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit.
Prandaj, ajo që Perëndia ka bërë për të na shpëtuar, për të na thirrur tek vetja nuk është që të na thotë që më parë nëse jemi të zgjedhur. Perëndia nuk e zbulon kurrë këtë gjë përveçse përmes një marrëdhënieje me Jezu Krishtin, kështu Krishti është qendror për zgjedhjen tonë. Në vend që të na thotë nëse jemi të zgjedhur, ajo që Perëndia bëri ishte që dërgoi Birin e tij dhe tha, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:36). “Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete” (1 Gjoni 5:10) Ai e di që është i zgjedhur.
Prandaj në emër të Krishtit po ju bëj thirrje; Ejani, pranojeni atë si Shpëtimtarin, Zotin dhe Thesarin e jetës suaj. Ai asnjëherë nuk ka përzënë ata që vijntë tek ai me besim. Ai fal mëkatin. Ai vesh me drejtësi. Ai jep Frymën e Shenjtë. Ai do t'ju mbajë. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin. dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.” (Gjoni 10:27-28). Dëgjoje zërin e Bariut të mirë dhe eja.