Paranjohur, Paracaktuar, Përngjasuar me Krishtin
Nga Gospel Translations Albanian
(Faqe e re: {{info|Foreknown, Predestined, Conformed to Christ}} > Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të th...)
Ndryshimi më pas →
Versioni i 14 Qershor 2017 19:42
By John Piper
About The Foreknowledge of God
Part of the series Romans: The Greatest Letter Ever Written
Translation by Desiring God
Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
Këtij vargu të mrekullueshëm, Romakëve 8:28 i kushtuam tre mesazhe (“Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.”) Thamë se Romakve 8:28 ishte pjesë e argumentit të Palit për Romakëve 8:18, “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne. “ Me fjalë të tjera, gjithë vuajtjet tona janë të përballueshme për shkak se gjithçka, madje edhe këto vuajtje, do të bashkëveprojnë për të mirën tonë.
Tani do të kalojmë tek vargu tjetër (29) i cili fillon me “sepse” që do të thotë “për arsye se.” Tani kalojmë tek themelet masive të Palit, shtyllat mbi të cilat mbështetet premtimi tek vargu 28, e vërteta dhe realiteti që mbajnë lart dhe nuk e lënë të bjerë, të cilat na mbajnë gjithashtu edhe ne nga rrëzimi.
Ai tha, ne e dimë se të gjitha gjërat – gjërat e hidhura dhe ato të ëmbla – bashkëveprojnë për të mirën tonë (v.28), “SEPSE – ky është vargu 29, themeli i premtimit - “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.” Këtu kemi tri vepra të mëdha të Perëndisë tek të cilat do të fokusohemi këtë mëngjes – tre veprime të Perëndisë të cilat janë bërë që t'ju japin më tepër siguri se të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirën tuaj dhe se gjithë vuajtjet e kësaj jete nuk ia vlejnë të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne (8:18).
Këto tre veprime të Perëndisë shihen në fjalët, 1) “Njohu që më parë”, 2) “I ka paracaktuar”, 3) “Të jenë të ngjashëm me shmëblltyrën e Krishtit.” Ne e dimë që të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën tonë për arsye se Perëndia na njohu që më parë, na paracaktoi dhe po na bën të ngjashëm me Krishtin. Dy prej këtyre janë në të shkuarën (paranjohja dhe paracaktimi) dhe një prej tyre është e tashme dhe e ardhme (që na përshtat me shëmbëlltyrën e Krishtit).
Tani mund të imagjinoj të paktën dy arsye pse disa prej jush mund të thonë pse kjo gjë nuk ju intereson. Së pari, disa prej jush mund të thonë, “Në të vërtetë, nuk e vras mendjen çfarë vendimesh janë marrë shumë kohë më parë – si këto që u bënë qysh para krijimit në paranjohjen dhe paracaktimin e Perëndisë. Unë jam i interesuar për tani. Dhe për më tepër, nuk shoh ndonjë dobi të përfshihemi në debate lidhur me doktrina Biblike si paracaktimi.”
Së dyti, disa prej jush gjithashtu mund të thonë, “Të them të vërtetën, unë nuk dua të jem si Krishti. E para e punës, ai nuk bëri kurrë seks dhe për më tepër ai ishte aq serioz saqë nuk e di nëse u kënaq ndonjëherë, ishte aq debatues saq edhe e vranë. Prandaj nëse të bëhem si Jezui duhet të më bëjë të ndihem i sigurt se gjithçka bashkëvepron për të mirën time, harroje sepse nuk ndodh kështu.”
Më lejoni të them diçka lidhur me këto dy pengesa.
Tabela e përmbajtjeve |
"Nuk e vras mendjen lidhur me vendimet e bëra në të shkuarën"
Nëse dikush do të vinte tek ju këtë mëngjes dhe t'ju thoshte, “Do t'ju jap një milionë dollarë,” do kishit të drejtë të tregoheshit dyshues. Por, po sikur t'ju tregonin një copë letër të vjetër dhe të rrudhosur, të tregonin me gisht dhe t'ju thoshin, “Babai im i pasur vdiq para disa muajsh dhe në testamentin e tij shkroi që ju duhet të merrnit një pjesë të pasurisë së tij, një milionë dollarë”? A do të thoshit atëherë, “Nuk e vras mendjen për vendime që janë marrë para shumë kohësh. Unë e vras mendjen për tani. Përveç kësaj qartësimi i kuptimit të dokumentave të lashta, në mënyrë të veçantë i testamenteve, mund të jetë tepër i debatueshëm. Prandaj le ta harrojmë këtë punën e një milionë dollarëve”? Ju premtoj, ajo që Perëndia paranjohu dhe paracaktoi është dhjetë mijë herë më e vlefshme për jetën tuaj tani sesa të trashëgoni një milionë dollarë.
"Nuk dua të jem si Krishti"
Dhe nëse thoni, “Në të vërtetë nuk dua të jem si Krishti,” kjo mund të jetë për shkak se po mendoni për këtë ngjashmëri në një mënyrë që është jo vetëm e gabuar por edhe tepër e ngushtë. Po kur të vijë momenti që të vdisni? A dëshironi të jeni si Krishti kur të vdisni. A dëshironi të mohoeni prej Gjykatësit të universit dhe të dënoheni me një ndëshkim të përjetshëm për shkak se mohuat Birin e tij, apo dëshironi të ringjalleni prej së vdekuri i dashur dhe i pranuar? A dëshironi të ringjalleni si Krishti apo të mos i ngjani Krishtit dhe të humbisni? Kjo nuk është pyetje e parëndësishme. Prandaj ju përgjërohem të dëgjoni.
Prandaj më së pari le të shohim dy veprimet e Perëndisë që ndodhën para shumë kohësh dhe pastaj të falsim për atë që Perëndia po bën sot dhe do të bëjë edhe nesër.
"Sepse ata që i ka njohur që më parë"
Vargu 29: "Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij.” Çfarë do të thotë “i ka njohur që më parë”? Disa thonë se kjo do të thotë që Perëndia thjesht parasheh se kush do të besojë në të dhe këta janë personat që ai i paracakton të jenë si Jezui. Por kjo hamendëson dy gjëra që nuk janë të vërteta. Një është që besimi që Perëndia parasheh është në fund të fundit dhe qartësisht puna jonë dhe jo e tija. Me fjalë të tjera, pika e këtij interpretimi është që Perëndia nuk e shkakton besimin tonë, ai vetëm sa e parasheh besimin që ne shkaktojmë.
Kjo nuk është ajo çka Bibla na mëson, jo vetëm gjetkë (Filipianëve 1:29, Efesianëve 2:8-9, 2 Timoetu 2:24-26, Mateu 16:17), por as edhe këtu në kontekst. Kur Pali thotë tek Romakëve 8:30, “Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi,” ai do të thotë që gjithë të thirrurit janë shfajësuar. Por që të shfajësohemi duhet të besojmë (Romakëve 5:1). Prandaj ai thotë, të gjithë ata që janë thirrur besojnë dhe shfajësohen. Por si mund të thotë ai TË GJITHË që janë thirrur besojnë? Arsyeja, ashtu si u përpoqa ta tregoj në shtjellimin e termit “thirrur” në vargun 28, është që thirrja është puna e fuqishme e Perëndisë për të sjellë në ekzistencë atë që ai kërkon. Kjo është një thirrje e efektshme. Kjo është një thirrje që krijon atë që urdhëron. Është si thirrja, “Llazar, dil jashtë!” dhe i vdekuri jetoi. Prandaj ideja është kjo, besimi për shfajësim nuk është diçka që e bëj unë vetë. Perëndia më aftëson. Perëndia më fuqizon. Unë duhet ta bëj. Besimi është diçka që unë e bëj. Por ajo që bëj unë është dhuratë e Perëndisë. Unë nuk mar lëvdata për këtë gjë. Për këtë e falenderoj Perëndinë. Unë jam i shpëtuar prej hirit sovran nga fillimi në fund.
Prandaj është e gabuar të hamendësojmë se kur Romakët 8:29 thotë se, disa “Perëndia i ka njohur që më parë,” do të thotë që ai thjesht e pa që më parë që ata do besonin me fuqinë e tyre. Ai ua dha fuqinë, prandaj këtu po ndodh diçka më tepër sesa thjesht parashikimi i asaj që ne bëjmë.
Ja dhe hamendësimi tjetër i gabuar i kësaj pikëpamjeje. Ajo hamendëson se kuptimi i “paranjohjes” nuk është kuptimi që ky term ka në shumë tekste të Dhjatës së Vjetër dhe të Re të cilat do i jepnin një kuptim më koherent kësaj pjese. Dëgjoni këto përdorime të fjalës “njoh” dhe pyesni veten se çfarë kuptimi ka secila prej tyre. Tek Zanafilla 18:19 Perëndia thotë për Abrahamin, “Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit.” Pothuaj të gjitha versionet e Biblës në Anglisht e përkthejnë, “e kam zgjedhur.” Tek Amosi 3:2 Perëndia i thotë popullit të Izraelit, “Vetëm juve ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut.” Ai i njihte të gjitha familjet e dheut, por zgjodhi vetëm Izraelin. Tek Mateu 7:23 Jezui u tha hipokritëve në ditën e gjykimit, “Unë s'ju kam njohur kurrë, largohuni nga unë, ju të gjithë që keni bërë paudhësi.” Psalmi 1:6 thotë, “Zoti njeh rrugën e të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.” Ai e njeh edhe rrugën e të pabesëve, por rrugën e të drejtit ai e njeh me kuptimin që e aprovon e dallon dhe e do. Tek Osea 13:5 Perëndia i thotë Izraelit, “Unë të njoha në shkretëtirë, në kohën e thatësirës së madhe,” që do të thotë se ai e dëgjoi lutjen tuaj dhe u kujdes për ju. Dhe Zanafilla 4:1 thotë, “Dhe Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin.' kjo do të thotë që e bëri të tijën, e njohu në mënyrë intime dhe e deshi.
Për shkak të të gjitha këtyre teksteve mendoj se Xhon Stot dhe Xhom Mëri e kanë tamam kur që të dy thonë, “'Njoh' përdoret në një kuptim që praktikisht është i njëjtë me 'dashuri'.... 'Ata që i ka njohur që më parë'...është tamam ekuivalente me 'ata që i ka dashur që më parë'.” Paranjohja është “dashuria sovrane dalluese” (Xhon Stot, citon Mërin, Romakëve, fq. 249). Kjo është e njëllojtë me të dashurit dhe zgjedhjes për vete.
Prandaj kuptimi i veprimi të parë të Perëndisë tek Romakëve 8:29 është që Perëndia e paranjeh popullin e tij me kuptimin që i zgjedh, i do dhe kujdeset për ta. Pali flet për këtë më vonë me gjuhën e “zgjedhjes” (Romakëve 8:33, 9:11, 11:5, 7).
Të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirën tuaj nëse je i thirrur dhe i dashur prej Perëndisë, për arsye se ashtu si na thotë edhe vargu 29, Perëndia të ka njohur, të ka zgjedhur dhe të ka dashur qysh para themelimit të botës (Efesianëve 1:4v, 2 Timoteu 1:9, 1 Pjetri 1:20, Zbulesa 13:8, 17:8).
"Edhe i paracaktoi”
Veprimi i dytë i Perëndisë i cili u krye shumë kohë më parë për t'i dhënë siguri premtimit se të gijtha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirën tuaj është që “ai paracaktoi”. “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar.” Kjo thjesht do të thotë se, pasi të ka zgjedhur për veten dhe ka vendosur dashurinë e tij mbi ty, u kujdes për ty qysh para se të ekzistoje, ai vendosi se çfarë do të bëhej me ty, që do të bëheshe i ngjashëm me shembëlltyrën e Birit të tij.
“Paracaktuar” do të thotë vendosur apo caktuar qysh më parë se çfarë fati do të kesh. Arsyeja pse ky varg hedh një themel kaq masiv poshtë premtimit të Romakëve 8:28 është që ata që e duan Perëndinë dhe janë thirrur sipas premtimit të tij janë caktuar të jenë si Jezui – janë caktuar të bëhen të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Krishtit. Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën tuaj për shkak se u zgjodhët dhe u deshët qysh para se të ekzistonit dhe mënyra sesi zgjedhja dhe dashuria e tij e shpreh veten është duke caktuar për ju një të ardhme madhështore dhe të patregueshme, pra që të jeni si Krishti. Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën tuaj për shkak se të gjitha gjërat bashkëveprojnë që të të bëjnë si Jezuin. Për këtë arsye u deshët dhe për këtë u paracaktuat.
Ky është ai paragrafi një milionë dollarë në testamentin e babait të shokut tuaj. Ashtu si ajo deklaratë e pathyeshme nga ana ligjore ju garanton pasuri mbi tokë, kështu edhe paranjohja dhe paracaktimi i pathyeshëm i Perëndisë ju garanton lavdinë dhe gëzimin tuaj të përjetshëm.
"Për të na bërë të ngjashëm me shembëlltyrën e Birit të Tij"
Kjo na sjell tek kundërshtimi i ngritur më herët. Ndoshta nuk ka për të qenë e gëzueshme të jesh si Jezui. Ndoshta të bëhesh si Jezui nuk i bën gjithë vuajtjet e kohës së tanishme të mos krahasohen me lavdinë që do të zbulohet. Prandaj duhet të shohim veprimin e fundit të Perëndisë që përmendet tek vargu 29: Perëndia po punon për të na “përshtatur me shembëlltyrën e Birit të Tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.”
Për këtë duhet të presim deri javën tjetër për dy arsye: një, është që sot nuk kemi mjaft kohë dhe dy, ngjashmëria me Krishtin në vargun 29 dhe përlëvdimi në vargun 30 janë të lidhura aq ngushtë saqë formojnë fillimin dhe mbylljen e mesazhit të javës së ardhshme.
Por gjithsesi më lejoni ta mbyll me një fjalë të shkurtër në lidhje me ngjashmërinë me Krishtin dhe me tekstin e sotëm. Kjo është shumë e përshtatshme për këtë arsye. Derisa mendja juaj të përshtatet me mendjen e Krishtit, mësimi i këtij teksti ka të ngjarë që të prodhojë konflikt dhe jo ngushëllim. Ky tekst ka për qëllim të të ngushëllojë, forcojë dhe për të të dhënë siguri që gjërat më të mira dhe më të këqija në jetën tënde do të bashkëveprojnë për të mirën tënde, për shkak se e do Krishtin dhe jeni zgjedhur e paracaktuar për lavdi. Por kjo ka për të patur këtë efekt vetëm kur Perëndia ju jep një masë të mendjes dhe frymës së Krishtit.
Këtë nuk e them për t'ju qortuar apo dënuar nëse keni përleshje. Krejt e kundërta. E them që t'ju inkurajoj që ashtu si përshtatja në sjellje me Jezuin është një beteje gjatë gjithë jetës me veprat e gabuara, ashtu si përshtatja emocionale me Jezuin është një betejë gjatë gjithë jetës me ndjenjat e gabuara, ashtu edhe përshtatja intelektuale me Jezuin është një betejë gjatë gjithë jetës me mendimin e gabuar. Prandaj nuk habitem kurrë kur disa persona pengohen me mësimet më të vështira të Shkrimit. Përshtatja me Krishtin nuk vjen një herë mirë, as përshtatja në sjellje, as ajo emocionale dhe as ajo intelektuale.
Prandaj le të lutemi për njëri-tjetrin, që në çdo mënyrë Krishti të mund të lartësohet përmes përshtatjes tonë me të, që ne të mund të gëzojmë sigurinë masive që për shkak të zgjedhjes dhe paracaktimit tonë gjithçka do të bashkëveprojë për të mirën tonë. Nëse jeni duke vrarë mendjen, a jam unë mes të zgjedhurve, të paracaktuarve, të thirrurve, ja se si mund ta dish. A e sheh Jezuin si më të dëshirueshëm se çdo gjë tjetër, të mjaftueshëm për të të shpëtuar prej mëkatit dhe për ta kënaqur zemrën tënde përgjithmonë? Kjo është shenja treguese e fëmijës së Perëndisë. Ai që ka Birin ka jetën (1 Gjoni 5:12). Të gjithë atyre që e pranuan ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë (Gjoni 1:12). Pranojë atë!