Origjina e mëkatshme e Birit të Davidit
Nga Gospel Translations Albanian
Pcain (Diskuto | kontribute) (Faqe e re: {{info|The Sinful Origin of the Son of David}} Ky është mesazhi i gjashtë në një seri me shtatë pjesë të titulluar Mëkate Spektakolare dhe Qëllimi i tyre Global në Lavdinë e...) |
Pcain (Diskuto | kontribute) v (Mbrojti Origjina e mëkatshme e Birit të Davidit ([edit=sysop] (i pacaktuar) [move=sysop] (i pacaktuar))) |
Versioni momental që nga 13 Prill 2018 20:14
By John Piper
About Redemptive History
Part of the series Spectacular Sins and Their Global Purpose in the Glory of Christ
Translation by Desiring God
Ky është mesazhi i gjashtë në një seri me shtatë pjesë të titulluar Mëkate Spektakolare dhe Qëllimi i tyre Global në Lavdinë e Krishtit. Ky mesazh titullohet “Origjina mëkatare e Birit të Davdit.” Ideja është kjo: Mbretëria e Izraelit – fakti që Izraeli kishte mbretër – i atribuohet mëkatit. Ishte mëkat spektakolar që populli i Perëndisë t'i thoshte Krijuesit dhe Shpenguesit të tyre, “Dum të jemi si kombet. Nuk dëshirojmë që ti të jesh mbreti ynë. Dëshirojmë një mbret njerëzor.” Ky është një mëkat spektakolar. Samueli e quan këtë një ligësi të madhe (1 Samueli 12:17). Megjithatë, nëse Izraeli nuk do të kishte një linjë mbretërish, Jezu Krishti nuk do të kishte ardhur si mbreti i Izraelit dhe biri i Davidit, si Mbret i mbretërve. Por mbretërimi i Krishtit mbi Izraelin dhe botën nuk është një mendim i mëvonshëm në mendjen e Perëndisë. Nuk ishte një reagim i paplanifikuar ndaj mëkatit të Izraelit. Kjo ishte pjesë e planit të tij.
Përse ta bënte kështu?
Prandaj pyetja është: Nëse Perëndia e pa këtë mëkat spektakolar që po afronte duke e ditur që do ta lejonte dhe kështu e bëri mbretërinë e Izraelit pjesë të planit të tij për të përlëvduar Krishtin si Mbret të mbretërve, përse të mos e bënte mbretërinë pjesë të qeverisjes së Izraelit qysh prej fillimit? Përse të mos e bënte Moisiun, mbretin e parë? Pastaj Jozueun e kështu me radhë? Pse planifikoi një mbretërim më të drejtpërdrejtë në fillim dhe pastaj ta sillte mbretërinë njerëzore në historinë e Izraelit më vonë përmes një mëkati spektakolar?
Abrahami dhe Mbretërimi i ardhshëm
Le të fillojmë me vetë historinë. Perëndia e zgjodhi Abramin si atin e popullit të Izraelit tek Zanafilla 12 dhe i premtoi që përmes pasardhjes së tij do të bekoheshin të gjitha familjet e dheut (Zanafilla 12:1-3). Mesia, Jezu Krishti, do të vijë përmes kësaj linje.
Një prej gjërave të para që i ndodh Abramit është që ai takon një figurë të çuditshme të quajtur Melkisedek tek Zanafilla 14:18. Ai quhet “prift i Perëndisë Shumë të Lartë” dhe “mbret i Salemit”, Emri i tij do të thotë “mbret i drejtësisë”. Shkrimtari i letrës së Hebrenjve, në Dhjatën e Re, e sheh Melkisedekun si një tip, figurë apo hije të Krishtit, për shkak se Psalmi 110:4 thotë që mbreti i ardhshëm mesianik është gjithashtu “prift përgjithmonë sipas rendit të Melkisedekut.” Prandaj Hebrenjve thotë, “Sepse ky Melkisedeku... Emri i tij do të thotë më së pari "mbreti i drejtësisë", dhe pastaj edhe "mbreti i Salemit", domethënë "mbreti i paqes"... i përngjashëm me Birin e Perëndisë...” (Hebrenjve 7:1-3).
Ana dhe Mbretërimi i ardhshëm
Prandaj, tashmë në qëllimet e Perëndisë, Mesia që do të vinte do të ishte prift-mbret. Vendimi që ai të ishte mbret nuk erdhi më vonë. Këtë e shohim sërish në historinë e lindjes dhe dedikimit të Samuelit. Mbani mend që nëna e tij Ana ishte shterpë. Pastaj Eli profetizoi që ajo do të kishte një fëmijë. Samueli lindi dhe Ana e solli në tempull dhe ia kushtoi Zotit. Mes gjërave të mahnitshme që Ana thotë është edhe kjo tek 1 Samueli 2:10, mbani mend, kjo ndodhi disa dekada para se të kishte ndonjë mbret në Izrael (vetëm kur Samueli ishte plakur populli e shtyu që t'u jepte një mbret). Ajo thotë, “Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t'i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij.”
Moisiu dhe Mbretërimi i ardhshëm
Pas tek Ligji i Përtërirë 17:14-20 Moisiu kishte dhënë udhëzime rreth mbretërisë nëse populli do të shkonte dikur drejt saj. Ligji i Përtërirë 28:36 paratha mërgimin e popullit dhe mbretit të tyre nëse do të rebeloheshin kundër Zotit. Prandaj konkludoj që ajo që ndodhi tek 1 Samueli 12 nuk ishte surprizë për Perëndinë. Ai e dinte që ky mëkat spektakolar do të ndodhte, dhe ai e dinte që do ta lejonte. Kur Perëndia synon të lejojë një gjë, e bën këtë gjë me urtësi dhe jo pa mend. Prandaj, ky mëkat spektakolar është pjesë e planit të përgjithshëm të Perëndisë për lavdinë e Birit të tij.
Si erdhi Mbretërimi
Le të shohim si ndodhën gjërat para se të mendojmë pse e bëri kështu. Kërkesa për një mbret nisi qysh në kapitullin 8 të 1 Samuelit, por ne do ta nisim këtu në kapitullin 12. Vargu 8b, “Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin që i nxorën etërit tuaj nga Egjipti dhe i bëri të banojnë në këtë vend.” Vargu 9, “Por ata e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i shiti në duart e Siseras, komandantit të ushtrisë së Hatsorit, dhe në pushtetin e Filistejve dhe të mbretit të Moabit, të cilët u shpallën luftë atyre.” Vargu 10, “Atëherë i thirrën Zotit dhe i thanë: "Kemi mëkatuar, sepse kemi braktisur Zotin dhe u kemi shërbyer Baalëve dhe Ashtarothëve; por tani na çliro nga duart e armiqve tanë dhe ne do të të shërbejmë ty.” Vargu 11, “Dhe kështu Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftin dhe Samuelin, dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull, dhe ju jetuat në siguri.”
Populli mohoi Mbretërimin e Perëndisë
Ideja e këtyre vargjeve është të tregojë se Perëndia ishte besnik si mbreti i tyre hyjnor. Kur ata i klithën atij, ai i shpëtoi. Ai u dha siguri. Për këtë është mbreti, që të sigurojë paqe për popullin. Cili ishte reagimi i tyre? Vargu 12, “Por kur patë që Nabashi, mbret i bijve të Amonit, filloi të lëvizë kundër jush, më thatë [Samuelit]: "Jo, një mbret duhet të sundojë mbi ne", pikërisht kur Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj.”
Mund ta dëgjoni mosbesimin në zërin e Samuelit: Ju kërkuat një mbret, kur Perëndia ishte mbreti juaj! Çfarë duhet të bënte Samueli? Zoti tashmë i kishte thënë tek 1 Samueli 8:7-9, “Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta... Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta.”
Mëkat Spektakolar: “Ligësia juaj është e madhe”
Prandaj Samueli thotë tek 1 Samueli 12:13b, “Zoti ka vënë një mbret mbi ju.” Pastaj ai i lutet Zotit që t'ju japë një shenjë bubullima dhe shi, dhe përshkruan mëkatin e tyre si një të keqe të madhe. Vargu 17, “A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit”
Thjesht për t'u siguruar që të mos na shpëtojë puna e shenjtë e Perëndisë përmes kësaj ligësie të paperëndishme, Pali tek Veprat 13:20-22, e bën të qartë që ishte Perëndia ai që i dha Izraelit mbretin e tij të parë. “Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel. Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet. Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin” Këtë e kemi parë në mënyrë të përsëritur në mëkatet spektakolare të historisë. Njeriu kishte në mend të keqen, kurse Perëndia kishte në mend të mirën.
Çfarë duhet të mësojmë prej kësaj?
Prandaj pyetja është kjo: Nëse Perëndia e pa këtë mëkat spektakolar që po afrohej duke e ditur që do ta lejonte dhe kështu ta bënte mbretërinë e Izraelit pjesë të planit të tij për të lavdëruar Krishtin si Mbret të mbretërve, përse të mos e bënte mbretërinë pjesë të qeverisjes së Izraelit qysh prej fillimit? Përse të mos e bënte Moisiun mbretin e parë? Pastaj Jozueun e kështu me rradhë? Përse filloi Perëndia me veten si mbret, dhe pastaj solli mbretër njerëzorë më vonë në historinë e Izraelit përmes një mëkati spektakolar? Çfarë duhet të mësojmë prej kësaj? Të paktën gjashtë gjëra.
1) Ne jemi qafëfortë, rebelë dhe mosmirënjohës
Prej kësaj duhet të mësojmë sa qafëfortë, rebelë dhe mosmirënjohës jemi ne. Prandaj 1 Samueli 12 fillon ashtu si fillon duke i kujtuar popullit si Perëndia i shpëtoi nga Egjipti, pastaj u dha tokën e premtuar dhe pastaj i çliroi nga mbretër të këqij. Çdo herë ata e harruan Perëndinë dhe shkuan pas gjërave të tjera. Kjo nuk është thjesht historia e Izraelit. Kjo është historia e njerëzimit. Është historia e jetës time dhe tuajës. Edhe si të krishterë, nuk jemi të qëndrueshëm në ndjenjat tona për Perëndinë. Kemi ditë mirënjohëse dhe ditë mosmirënjohëse. Edhe ditët tona mirënjohëse nuk janë aq mirënjohëse sa duhet të jenë. Thjesht mendoni sa të gëzuar dhe mirënjohës do të ishit nëse zemra juaj do të reagonte ndaj vetë Perëndisë dhe dhjetë mijë dhuratave të tij me admirimin dhe mirënjohjen për të cilat ai është i denjë. Prandaj Perëndia na jep tabllo të vetes tonë në histori të tilla. Ai e lejon popullin e tij të rrëshqasë në stinë të tilla mosëmirënjohjeje dhe idhujtarie në mënyrë që çdo gojë të mund të heshtë dhe e gjithë bota të mund t'i japë llogari Perëndisë (Romakëve 3:19).
2) Perëndia është besnik ndaj emrit të vet.
Prej kësaj duhet të mësojmë sa besnik është Perëndia ndaj emrit të tij. Shihni vargun 22, “Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet.” Cili është themeli më i thellë i besnikërisë së Perëndisë? Besnikëria e tij ndaj emrit të vet. Xhelozia dhe zelli për lavdinë e tij. Lexojeni vargun ngadalë dhe mendoni, “ Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet.” Nuk thotë “për hir të emrit të tyre të madh” por për hir të emrit të tij të madh. Perëndia është plotësisht i përkushtuar ndaj lartësimit të vlerës, të vërtetës dhe drejtësisë të emrit të tij. Prandaj histori të tilla janë në Bibël për të na mësuar se udhët e Perëndisë qeverisen prej një urtësie të pafundme që drejtohet prej vlerës së pafund të emrit të Perëndisë.
3) Hiri rrjedh tek mëkatarët prej besnikërisë supreme të Perëndisë ndaj emrit të tij.
Prej kësaj duhet të mësojmë në ç'mënyrë të mahnitshme hiri për mëkatarë si ne rrjedh prej besnikërisë supreme të Perëndisë ndaj emrit të tij në mes të mëkatit. Shihni ilustrimin e mahnitshëm të kësaj në vargjet 19-22. Në vargun 19 populli tmerrohet me mëkatin e tyre spektakolar kundër Perëndisë. Pastaj thonë, “Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne” Fjalët që vijnë pas kësaj janë një tabllo e hirit falas të ungjillit për mëkatarët. Samueli u tha njerëzve (v.20) “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe.”
Qëndroni këtu dhe mahnituni. “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe.” A nuk është ky gabim ortografik? A nuk duhet të thotë, “Frikësohuni, se keni bërë gjithë këtë të keqe”? Por thuhet, “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe.” Ky është thjesht hir. Hiri i Perëndisë na trajton ashtu si nuk e meritojmë: “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe.” por më mirë se e meritojmë “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe.”
Si mund të ndodhë kjo? Cila është baza e këtij hiri? Jo ne! Ne kemi bërë vetëm të ligën. Po pastaj? Tashmë e kemi parë. Vargu 22, Mos u frikësoni “Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet.” Besnikëria e Perëndisë ndaj emrit të tij është themeli i besnikërisë së tij ndaj jush. Nëse Perëndia do ta braktiste besnikërinë e tij supreme ndaj vetes, për ne nuk do të kishte hir. Nëse ai do ta bazonte mirësinë e tij ndaj nesh në veprat tona, për ne nuk do të kishte mirësi. Ne jemi qafëfortë, rebelë dhe mosmirënjohës. Hiri falas, i pamerituar është shpresa jonë e vetme për të qenë ndryshe. Dhe baza e atij hiri nuk është vlera e emrit tonë, por vlera e pafund e emrit të Perëndisë. Kujtoni 2 Timoteu 2:13, “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.” Perëndia ka për qëllim që ne të mësojmë prej këtij mëkati spektakolar që hiri i shpëtimit tonë më në fund është i bazuar jo tek vlera jonë për të, por tek vlera e tij për vetveten.
4) Mbretërimi i përket vetëm Perëndisë
Ne duhet të mësojmë prej mënyrës që Perëndia solli mbretërinë në Izrael se mbretërimi i përket vetëm Zotit. Perëndia e inaguron marrëdhënien e tij me Izraelin pa ndonjë mbret njerëzor në mënyrë që ta bëjë shumë të qartë se vetëm Perëndia duhet të jetë mbreti i Izraelit. Vetëm Perëndia është mbret. Kur Izraeli kërkoi një mbret, ata po e mohonin këtë të vërtetë. Perëndia e thotë shkoqur tek 1 Samueli 8:7, “Më kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.” Nëse Perëndia do ta kishte nisur historinë e Izraelit me Moisiun dhe Jozueun si mbretërit e parë, nuk do të ishte e qartë që vetëm Perëndia mund të ishte mbreti i Izraelit. Ai nuk lejon konkurentë njerëzorë.
5) Një Perëndi-Njeri duhet të jetë Mbret
Prandaj, duhet të mësojmë prej mënyrës si Perëndia vendosi një mbret njerëzor që qëllimet e tij janë të inagurojë një linjë mbretërish njerëzorë të cilët do të dështojnë të gjithë derisa të vijë një mbret që nuk do të ishte vetëm njeri por edhe Perëndi, sepse vetëm Perëndia mund të ishte mbreti i Izraelit. Ideja është që vetëm Perëndia është Mbreti i Izraelit, dhe po vjen një mbret, një Bir i Davdit, që nuk do dështojë si të tjerët. Ai nuk do të jetë thjesht një njeri tjetër mëkatar. Ai do të jetë Perëndia-njeri.
Pyetja e fundit në buzët e Jezusit që ua mbylli gojën Farisenjve është e bazuar tek Psalmi 110:1, ku Davidi thotë, “Zoti i thotë Zotërisë time: 'Ulu në të djathtën time deri sa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua'”. Jezusi e citon këtë varg dhe pastaj pyet kundërshtarët e tij, “Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?” (Mateu 22:45). Me fjalë të tjera, për ata që kanë vesh për të dëgjuar, Jezusi është shumë më tepër se biri i Davidit. Ai është më tepër se thjesht një mbret njerëzor. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi... Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Gjoni 1:1, 14). Vetëm Perëndia mund të jetë me të drejtë mbreti përfundimtar i Izraelit. Kështu nisi. Kështu mbaron. Jezu Krishti është mbreti hyjnor-njerëzor i Izraelit.
6) Mbreti vdiq për popullin e tij
Më në fund, duhet të mësojmë prej mënyrës si Perëndia solli një mbret njerëzor në Izrael që duhej të kishte një mbret njerëzor. Vetëm Perëndia mund të ishte me të drejtë mbreti i Izraelit. Por duhej të kishte një mbret njerëzor. Pse? Për shkak se, në mënyrë që Perëndia të ketë një popull për të sunduar dhe për ta dashur, të cilët nuk do të shkonin në ferr për shkak të mëkateve të tyre, mbreti duhej të vdiste për popullin. Dhe Perëndia nuk mund të vdesë. Njeriu mund të vdesë. Prandaj Perëndia kishte planifikuar jo vetëm që vetëm Perëndia mund të ishte me të drejtë mbret i Izraelit, por që mbreti me të drejtë i Izraelit duhet të vdesë në vend të popullit. Prandaj mbreti i Izraelit është Perëndia-njeriu në mënyrë që mbreti të jetë Perëndi, por ai është gjithashtu Perëndia-njeri në mënyrë që mbreti të mund të vdesë.
Kur Samueli tha, “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.” (1 Samueli 12:20), cila ishte baza e këtij hiri? Ishte vlera e emrit të Perëndisë. “Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e vet.” (v.22). Lartësimi dhe nderimi i emrit të Perëndisë është baza e hirit. Ku u shfaq ky lartësim i emrit të tij në mënyrë më të qartë dhe përfundimtare? Përgjigja, në kryqin e Krishtit. Romakëve 3:25, “Atë [Krishtin] ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë.”
Në Kryq, për hir të Emrit të tij
Në të vërtetë kështu bëri. Tamam në këtë ditë kur njerëzit meritonin të shkatërroheshin për shkak se kërkuan një mbret, Perëndia i fali dhe i kaloi mëkatet e tyre – për hir të emrit të tij. Por mëkatin nuk mund ta fusim poshtë rrogozit të universit dhe ende të lartësosh emrin si një Perëndi i shenjtë dhe i drejtë. Mëkati duhet të trajtohet. Duhet të ndëshkohet. Dhe kjo ndodhi kur Jezusi vdiq.
E vetmja arsye që njerëz mëkatarë si ne mund të kenë një mbret të madh, të lavdishëm, të fuqishëm, të mirë, të shenjtë dhe të urtë si Jezusi pa u konsumuar për mëkatet tona është që Perëndia planifikoi që mbreti të vdiste për qytetarët e tij dhe pastaj të ngrihej sërish. Në çdo Ungjill, Jezusin e pyesin pak para vdekjes së tij, “A je ti mbreti i Judenjve?". Dhe Jezusi i tha: "Ti po thua!” (Mateu 27:11, Marku 15:2, Luka 23:3, Gjoni 18:33).
Mbreti i të gjithëve që po vjen
Jo vetëm mbreti i Judenjve, por mbreti i të gjithëve – në mënyrë të veçantë i atyre që i besojnë atij. Ai sot është i ulur në të djathtë të Atit derisa të gjithë armiqtë e tij të vendosen poshtë këmbëve të tij dhe gjithë të zgjedhurit e tij të mblidhen prej të gjithë popujve të dheut. Atëherë fundi do të vijë. Krishti “do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.” (Hebrenjve 9:28). Dhe “Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: - jo mbreti i Judenjve, por MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE.” (Zbulesa 19:16). Amen. Eja Mbreti Jezus.